TIRANË- Protestuesit janë rikthyer me akte dhune nëpër rrugët e Tiranës prej orëve të para të mëngjesit. Grupe nxënësish e studentësh kanë bojkotuar mësimin, por në krye të akteve vandale janë protestues të maskuar. Ata kanë nisur shkatërrimin, duke djegur koshat e plehrave në mes të rrugës së Elbasanit dhe duke shkulur tabelat e thyer semaforët.

Protestuesit po marshojnë në disa rrugë, një pjesë shkuan edhe te Kuvendit, ku u anulua seanca plenare. Policia ka nisur me shoqërimet e para.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:10
Protesta e dhunshme në Tiranë, Ministria e Shëndetësisë: 89 të lënduar deri më tani, te ‘Trauma’ 4 efektivë dhe 2 protestues nën mjekim

1792001538_polici.jpg

89 të lënduar është bilanci i përgjithshëm nga spitali i Traumës dhe “Nënë Tereza”, bën me dije Ministria e Shëndetësisë. Nga këta, 61 janë policë dhe 18 protestues që janë trajtuar te Trauma. Momentalisht atje ndodhen 4 efektivë dhe 2 protestues. Dy efektivë dhe një protestues do t’i nënshtrohen ndërhyrjes.

Në QSUT janë mjekuar 10 pacientë që pasi janë trajtuar në urgjencë dhe te djegie-plastika, janë larguar.

Njoftimi i plotë:

Sipas informacionit nga Spitali Universitar i Traumës dhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, gjatë protestës së djeshme kanë marrë kujdes shëndetësor gjithsej 89 persona, nga të cilët 61 efektivë të Policisë dhe 18 protestues në Spitalin Universitar të Traumës, si dhe 10 pacientë në QSUT.

Në Spitalin Universitar të Traumës aktualisht ndodhen 4 efektivë policie dhe 2 protestues të shtruar në spital, të cilët do të vijojnë të jenë nën kujdesin e ekipit mjekësor. Ndërsa të tjerët kanë marrë mjekimin e nevojshëm dhe janë larguar, pas marrjes së kujdesit mjekësor, sipas këshillave të mjekut.

Në QSUT, 10 pacientët janë trajtuar në shërbimet e Urgjencës Polivalente, Djegie-Plastikës dhe Okulistikës. Pas vlerësimit dhe marrjes së trajtimit të nevojshëm mjekësor, të gjithë janë larguar nga spitali me rekomandimin e mjekëve.

Aktualisht, nuk ka persona të lënduar që vijojnë të marrin kujdes shëndetësor në QSUT.

Në SUT priten t’i nënshtrohen ndërhyrjes një protestues si dhe dy efektivë policie, të cilët janë koshient dhe në gjendje të mirë shëndetësore.

Ora 09:52
Protestuesit djegin koshat e plehrave në mes të rrugës së Elbasanit, bllokojnë qarkullimin në njërin kah (VIDEO)

 

Protestuesit marshuan në rrugën e Elbasanit duke bllokuar qarkullimin për pak kohë në njërin kah. Disa protestues shkulën tabelat e sinjalistikës rrugore dhe dogjën koshat në mes të rrugës. Ata u ndalën edhe te shkolla e Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi” dhe bënë thirrje për bojkot mësimi.

Ora 09:44
Studentët në Shkodër i bashkohen bojkotit të mësimit, thirrje për PD: Parti Demokratike, si u shite gjithë këto vite! (VIDEO)

 

Studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Shkodër kanë bojkotuar sot mësimin dhe kanë dalë në protestë. Tanimë i janë drejtuar bashkisë dhe po bëjnë thirrje si “Shqipëria kërkon revolucion!”, “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve!”

Kur kaluan pranë një dege të Partisë Demokratike, deklaruan “Parti Demokratike, si u shite gjithë këto vite!”

Pika fundore duket se do të jetë godina e rektoratit.

Ora 09:39
Dy ditë protesta të dhunshme, 3 procedime penale të regjistruara, 3 prokurorë po hetojnë për agresorët

Pas dy ditësh protestash të dhunshme në Tiranë, janë regjistruar 3 procedime penale. Tre prokurorë po hetojnë për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë të autorëve të akteve të dhunës.

Ora 09:35
Auditorët bosh! Bojkotohet mësimi në Fakultetin e Bujqësisë në Korçë, studentët në mbështetje të protestës në Tiranë (VIDEO)

 

I boshatisur është paraqitur këtë mëngjes Fakulteti i Bujqësisë në Korçë, ku pedagogët janë paraqitur në ambientet e fakultetit, por studentët kanë bojkotuar mësimin.

Mbi 80% e studentëve nuk janë paraqitur në auditorë në shenjë mbështetjeje për protestën e zhvilluar në Tiranë.

Ndërkohë studentë dhe nxënës të gjimnazeve në Korçë kanë paralajmëruar edhe një protestë e cila pritet të mbahet rreth orës 11:00 në qendër të qytetit.

Ora 09:33
Protesta në Tiranë/ Thirrje për bojkot të mësimit në universitetin ‘Aleksandër Moisiu’ në Durrës (VIDEO)

 

Në Durrës, një grup i jashtëm organizator që nuk i përket universitetit “Aleksandër Moisiu” po bëjnë thirrje për bojkotim të mësimit. Atyre u janë bashkangjitur disa dhjetëra studentë që po shkojnë nëpër fakultete dhe bëjnë thirrje për bojkot si dhe përsërisin “Rama jepe dorëheqjen.”

Në plan kanë një marshim në këmbë nga universitet “Aleksandër Moisiu” në qendër të Durrësit në mbështetje të protestës në Tiranë.

Ora 09:27
Protesta, gjimnazistë e studentë në Elbasan bojkotojnë mësimin (VIDEO)

 

Edhe gjimnazistë e studentë në Elbasan kanë nisur të grumbullohen duke bojkotuar mësimin për të vijuar më pas me protestën.

Ora 09:14
Protesta/ Nxënës të Tiranës e Kamzës bojkotojnë mësimin, djegin kosha mbeturinash dhe hedhin fishekzjarrë (VIDEO)

Të rinjtë e shkollave të mesme të Tiranës kanë nisur me bojkotimin e mësimit për t’iu bashkuar protestës.

Disa gjimnazistë kanë shkuar te Hoteleri-Turizmi duke u bërë thirrje “bashkohuni me ne!”

Afër gjimnazeve “Ismail Qemali” e “Partizani” kanë nxjerrë në rrugë edhe koshat e mbeturinave duke u vënë flakën, si dhe po hedhin fishekzjarre.

Edhe nga shkollat e Kamzës ka bojkot të mësimit me thirrjen “të gjithë së bashku!”