Grevistët në Marinzë të Fierit tregojnë se po përballen me presione psikologjike dhe ekonomike, ndërsa disa punonjës janë rikthyer në punë, por nuk janë më pjesë e grevës. 'Po mbijetojmë me shpirt ndër dhëmbë', thonë ata ndërsa futen në ditën e 11- të të grevës.
“Pa sindikata, nuk ka demokraci dhe ka ardhur koha që kjo thirrje të buçasë fuqishëm për të kthyer dinjitetin e punonjësve. Presioni dhe intimidimi i punonjësve nga ana e kompanisë ka qenë kaq i fortë sa disa prej grevistëve të cilët kishin bojkotuar punën duke mbështetur grevën, janë rikthyer në fushën naftëmbajtëse,” u shpreh Dritan Rrapushi.
Sindikata e sektorit hidrokarbur ka dërguar shkresa zyrtare Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Avokatit të Popullit dhe Ambasadorit të BE-së, Silvio Gonzato, duke kërkuar mbështetje për kauzën e tyre. Rrapushi theksoi se çështjet sindikale duhet të kenë prioritet edhe në procesin e integrimit europian.
"U kanë vendosur në fyt litarin e bukës, bukën e fëmijëve, duke i detyruar të rikthehen në punë , dhe me keqardhje duke na kërkuar falje nuk janë më pjesë e grevës ka thënë Rrapushi, por ne nuk do të dorëzohemi. Presionet e tyre psikologjike nuk do munden të na përçajnë dhe ne do ti shkojmë deri në fund kauzës tonë”, thotë grevisti Dritan Rrapushi.
Nga ana tjetër, “Bankers Petroleum Albania” njofton se po monitoron situatën dhe ka kërkuar dialog me përfaqësuesit e sindikatës. Kompania thekson se operacionet vazhdojnë normalisht dhe prodhimi i naftës nuk është prekur nga greva.
Sipas njoftimit të kompanisë, rritja e trajtimit ushqimor do të hyjë në fuqi më 1 nëntor, por për shkak të sfidave financiare, nuk mund të miratohet një rritje shtesë për pagat.
Në grevën e nisur që prej 15 tetorit dhe e organizuar nga Sindikata e Sektorit Hidrokarbur, naftëtarët e Marinzës kërkojnë rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës në një kohë kur kompania “Bankers Petroleum Albania LTD” hetohet nga SPAK, me dyshimin se i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm, prej 110 milionë lekësh. Naftëtarët tregojnë se paga mesatare është 60 mijë lekë, ndërsa kërkojnë të shkojë deri në 100 mijë lekë në muaj.
Komente








Nuk keni per te arritur gje.Sindikaten nuk e keni te forte,nuk keni as unitet mes jush per veprimet qe do te beni dhe keni te beni me kineze.Gjithe bota i ka derguar fabrikat e uzinat ne Kine,sepse kostoja e punes eshte e lire dhe punetoret kineze jane te urte.Sa greva/protesta keni pare te ndodhin ne Kine? Me perjashtim te atyre qe ndodhen dikur ne Tienanmem e Hong-Kong qe ishin politike e keni degjuar deri tani per ndonje greve/proteste per ceshtje ekonomike atje? Por duket qe ne Shqiperi Bankers ka gjetur tek shqipot dhe me /kineze/ te bindur e te urte se sa kinezet e tyre.Ndryshoni taktike nese doni sukses,por mos u dorezoni!
Përgjigju