Në ditën e 15-të të grevës, naftëtarët e Patos - Marinzës e kanë zhvendosur protestën e tyre përballë zyrave të kompanisë” Bankers Petroleum” në Fier.

Me pankarta në duar dhe thirrjet” “Turp t’ju vijë” ata kanë kërkuar njëzëri reagim nga kompania një zgjidhje konkrete për plotësimin e kërkesave teksa kanë dënuar intimidimin që u bëhet punonjësve për të bojktotuar grevën.

“Po u bëjnë presion punonjësve me litarin e varfërisë, me bukën e fëmijëve” ka thënë kreu i sindikatës Dritan Shahu.

I shoqëruar nga dy fëmijët e tij grevisti Eduart Selami, ka pohuar se nuk do të dorëzohen.

“Unë kam marrë edhe fëmijët me vete, se për këta fëmijë po punojmë. Duam atë që na takon dhe nuk dorëzohemi “ ka thënë ai.

Një ndër punonjësit më të vjetër të vendburimit Ago Nuhaj, ka thënë ndër të tjerash se nuk do t’i lënë të argëtohen me djersën e tyre.

Me dinjitetin dhe me djersën tonë ne nuk do t’i lëmë të argëtohen se këta argëtohen edhe kur ne vuajmë. Greva mund të ndalojë, por jo të dështojë. E rëndësishme është që u thye frika ka thënë grevisti Nuhaj.

Këtu ka humbur çdo vlerë, ka humbur identiteti kombëtar. Me para këta po blejnë çdo gjë, thotë grevisti Dritan Rrapushi.

“Investitorët e huaj duhet të sillnin zhvillim, por ata po sjellin vetëm mjerim ndaj duhet reagim popullor. Nuk dorëzohemi dhe nuk do të ndalemi , por do të shkojmë drejt Tiranës, aty ku është qendra e korrupsionit kanë thënë grevistët”, thekson ai.

Në grevën e nisur që prej 15 tetorit dhe e organizuar nga Sindikata e Sektorit Hidrokarbur, naftëtarët e Marinzës  kërkojnë rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës në një kohë kur kompania “Bankers Petroleum Albania LTD” hetohet nga SPAK, me dyshimin se i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm, prej 110 milionë lekësh.