Për herë të parë, kurset profesionale do të zhvillohen jo vetëm në qytete, por edhe në fshatra dhe jane falas për të gjithë ata që janë të regjistruar si punëkërkues pranë Zyrave të Punës.

Qendra e Formimit profesional ne Fier mbulon gjithe rajonin, duke përfshirë Lushnjën, Divjakën, Beratin, Kuçovën, Mallakastrën, Roskovecin dhe Patosin.

“Ka nisur një bashkëpunim i frytshëm me të gjitha bashkitë e Qarkut Fier, por edhe me qytetin e Beratit. Numri i nxënësve pranë qendrave po rritet, sipas dëshirave të personave të papunë për të mësuar një zanat dhe për t’u integruar në tregun e punës. Qendra ofron mundësi regjistrimi në çdo qytet të qarkut, përfshirë Beratin dhe Kuçovën”, thotë Drejtoresha e QFP Fier, Klotilda Naço.

Profesionet më të kërkuara janë elektricist, hidraulik, mekanik, parukeri, estetike e berber.

Kurset zhvillohen nga e hëna në të premte dhe përfundojnë me certifikimin që është i vlefshëm si në tregun vendas, ashtu edhe në atë të huaj.

"Certifikata që lëshohet nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit është e njohur në të gjithë Europën dhe i mundëson punëkërkuesit të jenë të kualifikuar jashtë vendit. Aktualisht, në Fier zhvillohen gjashtë kurse me frekuentim të rregullt",- tha Naço.

Kurset zgjasin 4 deri ne 5 muaj, në varësi të zanatit dhe pranohen te gjithe personat e interesuar pavaresisht moshes, me kusht që të kenë përfunduar arsimin 9-vjeçar.