Nuk i bindet urdhërit të punonjësit të policisë për të ndaluar, ndiqet dhe kapet nga patrulla e policisë 37-vjeçari nga Fieri, K.B. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet blutë i kanë gjetur një shumë parash prej 30450 euro.

Shuma e eurove është sekuestruar ndërsa ndaj 37-vjeçarit ka nisur edhe një hetim për "mosbindje ndaj urdhrit të policisë" dhe "pastrim parash". Ai nuk ka dhënë shpjegime për origjinën e eurove që po transportonte me automjetin e tij tip "Mercedes Benz".

Ndërkaq, një ditë më parë policia kufitare në Portin e Durrësit gjeti në një çantë brenda një automjeti tip "Audi" 30 mijë paund. Paratë po transportoheshin nga tre shqiptarë, të cilët nuk i kishin deklaruar kur po iu nënshtroheshin procedurave të kontrollit.

Njoftimi i Policisë:

Nga Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, u procedua penalisht shtetasi:

•K.B, 37 vjeç, banues në Fier.

Në datën 21.07.2018, në lagjen “1 Maji” Fier, në vendin e quajtur "Rotondo e Kryqëzimit të Parkut”, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, nuk i është bindur urdhërit të punonjësve të policisë në pikë kontrolli dhe mbasi është ndjekur e ndaluar nga shërbimet e policisë, iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 30450 euro, për të cilat nuk dha spjegim për origjinën e tyre.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale "Pastrimi i produkteve të veprës penale" dhe "Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik" parashikuar nga Nenet 287 e 242 të Kodit Penal.