“Besojmë që ky është dhe fillimi i fundit të një kapitulli të gjatë zvarritjeje të pakuptimtë e sfilitëse për të gjithë shqiptarët, familjet shqiptare që jetojnë në fshat, që jetojnë me tokën dhe që përmes tokës mundohen të krijojnë mirëqenien e tyre. Nga ana tjetër, ky është edhe fillimi i një kapitulli të ri për bujqësinë, blegtorinë dhe gjithë hapësirën shqiptare të fshatit, sepse është fillimi i një formalizimi të tregut të tokës”, tha Kryeministri. Ndërsa ka lajmëruar nisjen e procesit të aplikimit të skemave të reja të financimit e të mbështetjes nga ana e qeverisë, për projekte dhe plane zhvillimi në gjithë hapësirën në fshat, ku gjithsecili nga fermerët është i ftuar të aplikojë, të paraqesë idenë, të paraqesë programin e vet e të përfitojë nga kjo mbështetje. Ndërsa në Divjakë, Rama u ndal në sipërmarrjen “Agro-Liço”, një serë e prodhimit të fidanëve të perimeve, ku po realizohet me sukses një investim prej mbi 38 milionë lekë, për përmirësimin e teknikës dhe teknologjisë së prodhimit në serë të fidanëve të certifikuar.
“Agro-Liço” është një nga sipërmarrjet e agrobiznesit që ka përfituar nga skema e granteve IPARD, një program për mbështetjen e bujqësisë që bashkëfinancohet nga qeveria shqiptare dhe BE, përmes projektit të parazgjerimit IPA. Sipërmarrësi vuri në dukje se aktiviteti i tij është rritur me 300% falë mbështetjes që i është dhënë. “Në bazë të kontratave ju i garantoni që i merrni prodhimin kur ai prodhohet dhe kur vjen në pikat e autorizuara të grumbullimit merr plus edhe 10%-15%mbrapsht të faturës së shitjes” ka sqaruar Ministri Panariti. Fondi i skemës së grantit IPARD është mbi 8 milionë euro dhe i dedikohet zhvillimit të sektorit agro-ushqimor.
Nga drejtuesit e Bujqësisë, Rama u informua se në thirrjen e parë për aplikime janë kontraktuar 19 aplikantë, nga të cilët 16 për investime në fermë dhe 3 për agro-përpunim. Si një nga përfituesit e këtij fondi, sipërmarrësi tha se synon të sigurojë jo vetëm prodhimin e fidanëve të perimeve në sera, në përputhje me standardet e BE por dhe shpërndarjen e tyre për mbjellje gjatë gjithë vitit, duke minimizuar sezonalitetin. “Ne eksportojmë në të gjitha vendet e rajonit dhe po tentojmë të hyjmë edhe në tregun perëndimor. Pas disa ditësh kemi një takim për të eksportuar në Angli”, u shpreh sipërmarrësi divjakas. Të strukturohet një grup pune që do shqyrtojë masat lehtësuese administrative, duke nisur nga shtrirja edhe në këtë sektor të “ndalesës së vetme”, ndryshe “one stop shop”, sugjeroi Braçe. A.A
Shkrimi u publikua sot 3 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)