FIER-E qëlluan me thikë dhe më pas tentuan ta djegin me qëllim për të zhdukur gjurmët. Këto janë të dhënat e para hetimore që hedhin dritë mbi humbjen e jetës së teknologut të Uzinës së Naftës së Ballshit, Shefo Duraj.

Katër ditë pas gjetjes së kufomës së 57-vjecarit nga Mallakastra në pyll mjekët ligjorë kanë konfirmuar vrasjen e tij. Dyshimet e para të Policisë së Fierit se 57-vjeçari Shefo Duraj është vrarë, rezultuan të vërteta.

Ngjarja mendohet të ketë ndodhur në 14 Nëntor kur Duraj me profesion teknolog në Uzinën e Ballshit komunikoi me familjarët në telefon duke i njoftuar se do të udhëtonte drejt Skraparit me disa shokë por humbi çdo kontakt ndërsa trupi i tij u gjet dy javë më vonë.

Ekspertiza mjeko-ligjore saktësoi se viktima është vrarë me mjet prerës. Ka plagë vdekjeprurëse në brinjë dhe në kokë ndërsa trupi i tij është djegur pjesërisht.

Burime nga grupi hetimor i ngritur për hetimin e ngjarjes thanë se autori ka dashur të humbasë gjurmët duke tentuar të djegë kufomën.

Duraj kishte dalë nga turni i tretë kur foli për herë të fundit me familjarët. Pas kësaj telefonate ai humbi cdo kontakt ndërsa dy ditë më pas familjarët denoncuan zhdukjen e tij. Policia nisi kërkimet në fshatin Kalenjë ku banonte 57 vjeçari, por trupi i tij u gjet vetëm dy javë më pas nga një bari në pyllin e fshatit.

Telefonata e fundit me familjaret
Shefo Duraj me profesion teknolog në uzinën e Naftës në Ballsh u zhduk më 14 Nëntor pa lënë gjurmë pasi doli nga turni i tretë në Uzinën e Ballshit ku punonte prej 20 vitesh.

"Po shkoj me disa shokë tek një mik në Skrapar për ngushëllim". Kjo ishte telefonata që teknologu në uzinën e Naftës në Ballsh, Shefo Duraj bëri me familjarët pak pasi mbylli turnin e tretë, meson Shqiptarja.com. Pas kësaj telefonate ai nuk pasur asnjë kontakt me familjarët duke bërë që këta të fundit të denonconin dy ditë më pas zhdukjen e tij.

Shefo Duraj rezultonte i zhdukur prej datës 14.11.2016. Policia nisi kërkimet në zonë, por nuk gjeti asnjë gjurmë të 57-vjeçarit deri mbrëmjen se martës kur një bari i zonës lajmëroi autoritetet për një kufomë në pyllin e fshatit Kalenjë ku edhe banonte 57-vjeçari.

Pista e hetimit
Pas zbardhjes se rrethanave ne te cilat iu mor jeta teknologut, policia ka dhe pisten e pare ku dyshon se perse mund te kete ndodhur krimi makaber. Burime thanë per Shqiptarja.com se pista e hetimeve është ajo e hakmarrjes për një vrasje të përpara viteve ‘90 ku ka qenë i përfshirë një i afërm i viktimës.

(d.b/Shqiptarja.com)