FIER - Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme në fshatin Kallm të rrethit Fier, ku vjehrri ka tentuar të vrasë dhëndërin e tij, ndërsa dyshohet se shkaku të jetë për motive pronësie.

Meleq Seferi banues në fshatin Peshtan i Madh të po këtij rrethi, ka shkuar në shtëpinë e dhëndërit, Agim Muka 30 vjeç banues në fshatin Kallm dhe aty kanë debatuar, duke kaluar më tej edhe në grushte të ndërsjella. Në këtë sherr ka ndërhyrë edhe kunati i të dëmtuarit, Valter Seferi, i cili së bashku me të atin e tij (Meleq) kanë qëlluar 30 vjeçarin me një çekiç në kokë.

Pas këtij veprimi dhëndëri i familjes Seferi ka rënë në një kanal të mbushur me mbetje hidrokarburesh, ku është tentuar prej vjehrrit të tij që ta mbysë. Ka qenë ndërhyrja e bashkëshortes së të riut Muka që ka arritur t’i shpëtojë jetën duke e hequr prej duarve të babait të saj, teksa ky i fundit tentonte ta mbyste.

Ndërkaq, i dëmtuari është transportuar menjëherë në spitalin e Fierit në sallën e reanimacionit, ku mjekët kanë arritur t’i shpëtojnë jetën.

Policia e mbërritur në vendngjarje pas hetimeve paraprake ka arrestuar dy autorët, vjehrrin e të dëmtuarit Meleq Seferin dhe kunatin e tij Valter Seferi.

(gm/Shqiptarja.com)