Tentoi të vrasë me armë zjarri një person, policia kap dhe arreston në flagrancë autorin e dyshuar i cili ishte larguar nga vendngjarja pas kryerjes së krimit. Ngjarja ka ndodhur natën e kaluar, në fshatin Drizë, Fier, pas një debati të momentit, Harun Hoxha ka qëlluar me armë zjarri pistoletë Sh.K, 45 vjeç, banues në Fier.
 
Mësohet se Sh.K ndodhet në Spitalin Rajonal Fier nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa Harun Hoxha pasi ka qëlluar Sh.K, është larguar nga vendngjarja. Menjëherë është organizuar puna dhe falë veprimeve të shpejta hetimore, nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
 
-Harun (Fejzi) Hoxha, 53 vjeç, banues në fshatin Drizë, Fier.
 
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale "Vrasje e mbetur në tentativë" dhe "Prodhimi dhe mbajta pa leje e armëve dhe municionit luftarak" parashikuar nga Nenet 76, 22 dhe 278 të Kodit Penal.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com