Aktori fierak Sotir Stefau nda nga jeta një ditë më parë është përcjellë mes lotëve nga të afërm e kolegë në banesën e fundit.

Homazhet për 79-vjeçarin u mbajtën në sallën e teatrit “ Bylis”. Familjarë, miq, kolegë, artdashës vlerësuan kontributin e tij të çmuar në artin skenik.

Vlerësime të ndjera për figurën dhe veprën e Sotir Stefës dhanë miqtë dhe kolegët e tij, Luftar Paja, Vasil Vaso dhe Xhulieta Kulla, të cilët e kujtuan me nostalgji bashkëpunimin e gjatë dhe miqësinë me aktorin fierak.

“Estradës së Fierit i iku një personazh që ishte i papërtuar. Ishte një aktor i madh me role të vogla. Do të mbtetet i paharruar në brezin që ka jetuar dhe brezat e rinj”, tha aktori Luftar Paja.

Edhe pse shpesh interpretoi role jo protagoniste, ai arriti të shkëlqejë në skenë, duke i kthyer personazhet dytësore në figura të paharrueshme për publikun.

Për dekada me radhë, ai dha një kontribut të vyer në jetën kulturore dhe artistike të Fierit, por jo vetëm, duke fituar respektin dhe dashurinë e publikut përmes roleve dhe interpretimeve të tij.