3 ditë më parë në Genova të Italisë humbën jetën 39 persona si pasojë e shembjes së një ure, por ky fakt ka nxjerrë në pah problematikën e urave në vendin tonë. Gjatë ditës së djeshme Report Tv solli në vëmendje 5 ura të cilat janë ndërtuar para më shumë se 50 vitesh por që prej ndërtimit të tyre ato nuk kanë parë rikonstruksion. E tillë është edhe ura e ndërtuar në afërsi të burgut të Fierit, e cila lidh më shumë se 14 fshatra, por në këtë urë kalojnë edhe qytetar nga Roskoveci e Berati. Siç shihet edhe nga pamjet ura duket tërësisht e amortizuar....
Intensiteti në këtë urë është mjaft i lartë, por problem më i madh mbetet vjedhja e hekurave për skrap. Përdoruesit e kësaj ure shprehen mjaft të frikësuar gjatë kohës që kalojnë në të.
Shumë të rrezikuar jemi. Nuk i dihet sesi ndodh, mund të biem dhe brenda. Ka që në kohën e Enver Hoxhës. Kanë hequr hekurat, i kanë vjedhur, s’lenë gjë pa vjedhur. Kjo urë kështu ka qenë, urë shumë e keqe. Rrezik njerëzor, mund të ketë njerëz me fëmijët e tyre.
Qytetarët
Ura që ndodhet në afërsi të burgut të Fierit ka një tabelë që nuk lejon kalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë, por kjo tabelë neglizhohet duke bërë që në të të kalojnë edhe autobus, por edhe makinerit të cilat transportojnë hidrokarbure nga zonat naftënxjerrëse.