FIER- Muzeu Historik i Fierit organizoi një veprimtari të veçantë në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore.

Në qendër të aktivitetit ishte vallja dyshe myzeqare, një prej shprehjeve karakteristike të trashëgimisë shpirtërore të zonës, e klasifikuar së fundmi si vlerë kombëtare e trashëgimisë kulturore jomateriale.

Vallja u demonstrua nga artistët e familjes Myzeqeja, të cilët sollën para të pranishmëve elementet karakteristike të saj, ndërsa pjesë e programit ishte edhe vallja rrethore e vajzave.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua pranisë së nxënësve dhe të rinjve, me synimin që njohja me trashëgiminë të nisë pikërisht nga brezat e rinj.

Drejtori i Muzeut Historik Ilirjan Gjika, theksoi se për ta mbrojtur trashëgiminë kulturore, duhet së pari ta njohim atë. Të rinjtë duhet të njohin pasurinë materiale dhe shpirtërore që mbart territori i Fierit, historinë dhe vlerat që kanë trashëguar.