Sipas “The Guardian”, FIFA po përgatit një reformë të madhe për Botërorin e Klubeve. Pas edicionit të parë me formatin e ri që u mbajt në SHBA më 2025, institucioni i futbollit botëror synon ta zhvillojë kompeticionin çdo dy vite, jo çdo katër siç ishte parashikuar fillimisht.
Ndryshimi nuk ndalet vetëm te frekuenca. FIFA planifikon të zgjerojë pjesëmarrjen nga 32 në 48 ekipe, duke rritur kështu përfaqësimin global dhe duke shtuar garën mes klubeve të kontinenteve të ndryshme.
Ky hap shihet si përpjekje për të rritur interesin dhe të ardhurat nga turneu, megjithëse pritet të ngjallë diskutime mes federatave dhe klubeve për ngarkesën e kalendarit futbollistik.
Ky propozim është përplasur me shqetësimet e Ligave Botërore, të cilat kanë ngritur ankesë ligjore në Komisionin Evropian, duke akuzuar FIFA-n për “abuzim me pozitën dominuese” për shkak të mungesës së konsultimit për oraret e turneut.
Ndërkohë, pas vitit 2030, pritet rinegocim i të gjithë kalendarit global të futbollit. FIFA po konsideron heqjen e ndeshjeve të qershorit për të lehtësuar ngarkesën mbi lojtarët dhe për të hapur vend për Kupën e Botës për Klube, një veprim që pritet të hasë rezistencë nga UEFA, e cila përdor atë periudhë për finalet e Ligës së Kombeve.
FIFA gjithashtu po shqyrton ndryshime në kriteret e kualifikimit për edicionin 2029, duke marrë në konsideratë heqjen e limitit prej dy klubeve për vend dhe rritjen e numrit të ekipeve nga 32 në 48, në përputhje me formatin e zgjeruar të Kupës së Botës për meshkuj (2026) dhe Kupës së Botës për femra (2031).
Komente




