Jo vetëm humbjen që e largon drejt ëndrës për Botërorin. Shqipëria humbi shumë pikë për imazhin e saj me incidentet e tifozëve kuqezi.

Provokim i autorit të golit polak, apo jo, reagimi i një grupi të vogël të tifozëve të kombëtares, na la të gjithëve shije të hidhur. Në minutën e 78 tifozët qëlluan me ç’të mundin futbollistët kundërshtarë, përfshirë edhe kapitetin polak Levandoski që bënte thirrje për qetësi. 

“Sigurisht nuk mund ta duartrokas goditjen e lojtarëve polak. Në atë moment kishim energjinë e duhur. Na penalizoi ndërprerja, pasi kishim motivin e duhur për të reaguar. Uroj që në të ardhmen kjo të mos ndodh më pasi nuk penalizon vetëm Kombëtaren, por edhe Shqipërinë,"-u shpreh trajneri i Shqipërisë Edi Reja. 

Incidenti nuk ka kaluar pa pasoja. FIFA ka nisur  një hetim, ndërsa FSHF rrezikon gjobën, dhe ndëshkimin që kombëtarja mund të luajë dy ndeshje pa tifozë.

E marta ishte dita e incidenteve. Edhe në Londër kur në stadiumin Uembli, luhej Angli-Hungari, e vlefshme po për grupin e kombëtares shqiptare, tifozët hungarezë nxorrë një pankartë raciste që solli dhe përplasje fizike me policinë.

Në fakt, në Uembli, tifozët kanë vetëm fuqinë e pankartave. Ndryshe ndodhi në Shqipëri, ku në stadiumin “Air Albania” polakët u qëlluan me bidonë uji. Paradoksi është, se efektivët e policisë nuk ua lejojën tifozëve të futen në stadium me shishe, ndërsa vetë bizneset brenda “Air Albania” e tregtojnë këtë produkt.

Çakmakët e ndaluar gjithashtu, u panë në fushën e blertë por nuk mungonin as telefonat.

Në shumë stadiume, zgjidhja është gjetur duke i ofruar tifozëve ujë dhe pije në gota plastike, që nuk e kanë fuqinë për të arritur deri në fushë.