Në Korçë mund ta marrin frymë lirisht pasi Klubi i Futbollit Skënderbeu ka paguar borxhet që kishte në FIFA dhe tanimë e ka merkaton e zhbllokuar. Bardhekuqtë kanë regjistruar në sistemin e FIFA-s të gjithë futbollistët e afruar në dritaren e transferimeve të kësaj vere duke bërë që trajneri Julian Ahmataj të ketë më shumë mundësi zgjedhjeje.
Skënderbeu prej disa javësh e kishte merkaton e bllokuar kjo për shkak se kishte humbur në FIFA një gjyq kundër një ish-futbollisti dhe duhej të shlyente pagat e papaguara ndaj të dëmtuarit.
Kësisoj, klubi korçar ka paguar borxhet dhe tanimë FIFA i ka dhënë dritën jeshile për të regjistruar afrimet e reja. Që nga ndeshja e të hënës kundër Dinamos (në Elbasan), klubi i Skënderbeut do të jetë i plotë.
Në ndeshjen e raundit të parë të Superligës kundër Vllaznisë, barazuar 2-2 në 'Loro Boriçi' të Shkodrës, trajneri Ahmataj nuk mund të përdorte thuajse gjysmën e ekipit. Kështu, pas KF Tiranës që i zgjidhi borxhet e prapambetura, edhe Skënderbeu del nga 'lista e zezë' e FIFA-s.
Klubet shqiptare me merkaton e bllokuar nga FIFA vijojnë të jenë: KS Luftëtari, Lushnja, Oriku, Valbona dhe Kastrioti.
Lista aktuale e klubeve nga Shqipëria me merkato të bllokuar, faximile nga faqja e FIFA-s








Komente
Komento