SHKODËR - Superliga shqiptare e futbollit e nisi edicionin e 88-të me spektakël në ‘Loro Boriçi’. Vllaznia dhe Skënderbeu dhuruan një ndeshje me katër gola, duke ndarë nga një pikë pas barazimit 2-2.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, por gjithçka ndryshoi pas pushimit. Vllaznia hyri më mirë në fraksionin e dytë dhe brenda pak minutash arriti të krijojë një avantazh të dyfishtë.
Në minutën e 50-të, Bekim Balaj zhbllokoi takimin, ndërsa vetëm katër minuta më vonë sulmuesi shkodran realizoi sërish, duke çuar Vllazninë në avantazhin e dyfishtë.
Skënderbeu reagoi menjëherë dhe nuk u dorëzua. Në minutën e 57-të, Janaqi realizoi një supergol me një goditje nga distanca, duke dërguar topin në trekëndëshin e portës shkodrane dhe rihapur plotësisht sfidën.
Korçarët e drejtuar nga Julian Ahmataj vijuan të besonin te përmbysja dhe në minutën e 75-të gjetën edhe golin e barazimit. Bismark përfitoi nga aksioni i skuadrës dhe vendosi shifrat në 2-2.
Në fund, Vllaznia e komplikoi edhe më shumë situatën, pasi në minutën e 88-të mbeti me 10 lojtarë pas kartonit të dytë të verdhë të marrë nga Duliç. Skënderbeu tentoi të përfitonte nga superioriteti numerik në minutat e mbetura, por nuk arriti të gjente golin e fitores.
Kështu, sfida hapëse e sezonit të ri të Superligës u mbyll në barazim 2-2, paçka se Skënderbeu kishte një ekip të plotë në tribunë për shkak se nuk ka mundur ende t’i regjistrojë afrimet e kësaj merkatoje vere. Klubi korçar nuk ka shlyer ende borxhet ndaj ish-futbollistëve dhe FIFA nuk i ka dhënë akoma dritën jeshile.
Superliga, sezoni 2026-27, raundi i parë:
E premte, 21 gusht 2026
21:00 Vllaznia 2-2 Skënderbeu
E shtunë, 22 gusht 2026 – 16:00
Laçi – AF Elbasani
Partizani – Teuta
E diel, 23 gusht 2026 – 21:00
Dinamo – Vora
Egnatia – Tirana









Komente
Komento