Fiksimi/ Si i përgjoi Berisha armiqtë dhe bashkëpunëtorët e tij për 30 vite, nga Azem Hajdari e Serreqi tek Lulzim Basha, dëgjoi mbi 800 biseda të Metës (fakte e dëshmi)

Fiksimi/ Si i përgjoi Berisha armiqtë dhe bashkëpunëtorët e tij për 30 vite, nga Azem Hajdari e Serreqi tek Lulzim Basha, dëgjoi mbi 800 biseda të Metës (fakte e dëshmi)

Gjatë një takimi në Shkodër, në 1 tetor 2021, në kuadër të aksionit politik për të rrëzuar Lulzim Bashën, Sali Berisha deklaroi se e kishte përgjuar sistematikisht Bashës, kur ky i fundit frekuentonte zyrën e tij, për të marrë këshilla dhe për t’u konsultuar për çështje të ndryshme.

“Në këtë iPad kam shumë dokumente, që faktojnë se Lulzim Bashës i kam thënë në zyrën time shumë gjëra”, tha Sali Berisha, duke i dhënë një mesazh të qartë Bashës se e ka përgjuar në zyrën e tij.

Deklarata ishte edhe një përpjekje për shantazh ndaj Bashës, të cilit Berisha i kërkon që të largohet në Holandë, pas vendimit të tij për ta përjashtuar nga partia, nën presionin e SHBA. Lulzim Basha nuk është bashkëpunëtori i parë, tashmë i kthyer në armik politik, që përgjohet nga Sali Berisha.

Përgjimi i bashkëpunëtorëve, kundërshtarëve brenda partisë apo në një parti tjetër, si dhe i të dyshuarve, është një nga fiksimet që ka dominuar jetën politike të Sali Berishës për gjatë tre dekadave. Si reflektim i këtij fiksimi, Berisha ka demostruar një obsesion të vazhdueshëm për kontrollin e shërbimeve informative, duke krijuar përplasje të forta me Perëndimin, siç ishte edhe rasti kur shkarkoi në gusht të vitin 2012 kreun e SHISH, Bahri Shaqirin, duke e zëvendësuar me Visho Ajazi Lika, i cili ishte pjesë e qeverisë së tij si zëvendësministër për Inovacionin. 

Në 26 qershor 1992, vetëm tre muaj pasi erdhi në pushtet, Berisha emëroi njeriun e tij të besuar, Bashkim Gazideden në krye të Shërbimit Informativ Kombëtar, organ i cili shndërruar në një strukturë më natyrë mafioze, duke udhëhequr operacionet antiligjore të përgjimeve, rrëmbimeve, torturave dhe zhdukjen e njerëzve, dhunimin e kundërshtarëve politikë të Berishës, reprezaljet, shtypjen e protestave, përndjekjet, djegien e gazetave kritike, sulmet fizike ndaj gazetarëve, planet për pushtimin e jugut të vendit etj.

Vetëm dy muaj pas këtij emërimi, Azem Hajdari, njeriu i dytë më i rëndësishëm në PD, u ankua publikisht se po përgjohej nga Bashkim Gazidede, natyrisht për llogari të Berishës. Azemi ishte shumë i shqetësuar se Bashkim Gazidede e përgjonte dhe monitoronte këmba-këmbës. Azem Hajdari shihej si rrezik nga Sali Berisha në atë kohë dhe deri kur mbylli sytë natën e 12 shtatorit 1998. Kjo duket se ishte edhe arsyeja se pse Berisha kishte angazhuar SHIK-un e Gazidedes për ta përgjuar, me qëllim që këto materiale t’i përdorte për ta shantazhuar në raste nevoje politike.

Në 7 shtator 1992, gjatë një interpelance me prokurorin e përgjithshëm në atë kohë, Maksim Haxhia, Azem Hajdari shprehet: “Përse nuk u ndalua Bashkim Gazidede për përgjimet e paligjshme ndaj Azem Hajdarit?”.

Maksim Haxhia, sot një avokat i njohur, shprehet se “Për sa i përket fjalëve, zoti Azem Hajdari që dëgjohen lart e poshtë, unë nuk mund të shkoj me arsyetimin e tyre, ashtu si nuk mund të shkoja të filloja përgjegjësinë penale për zoti Gazidede, për incizimin që ju ka bërë juve, flitet, të paktën, nëpër gazeta. Kush ka denoncime konkrete për persona konkretë, me prova konkrete, derën e Prokurorisë e ka hapur dhe përkushtimin tonë e ka gjithmonë gati”.

Nisur nga ky shqetësim i Azem Hajdarit, Parlamenti thirri në interpelancë, kreun e SHIK, Bashkim Gazideden, në 22 shtator 1992.

I pyetur çështjen e përgjimit të Azemit, Bashkim Gazidede deklaron se “Në lidhje me këtë pyetje, atë ditë që ka mbajtur konferencën e shtypit deputeti Hajdari, unë kam bërë një deklaratë në ATSH, e cila është transferuar ne radio dhe risqaroj ne lidhje me këtë problem se është fjala në lidhje me një bisedë telefonike të bërë midis z. Hajdari dhe meje drejtpërsëdrejti, dhe jo midis z. Hajdari dhe ndonjë personi të tretë. Pra, z. Hajdari ka folur me mua në Shqipëri dhe jo nga SHBA-ja, pra ka folur në telefon me mua. Ai më ka thënë diçka në bisedën telefonike drejtpërsëdrejti midis meje e z. Hajdari dhe këtë fakt i kam dhënë unë atij në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike”.

Teksa Bashkim Gazideden qëllimisht tregohet i paqartë dhe mjegullues, Azem Hajdari ishte shumë konkret, kur tha se “Ai gaboi në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike kur tha që unë e kam incizuar Azem Hajdarin në një bisedë telefonike, sepse ai duhet ta dinte që sigurimi i sotëm nuk ka mundësi që të incizojë më tepër se 50 telefona. Unë e di mirë mundësinë e rrjetit informativ të SHIK-ut që është plotësisht i shkatërruar dhe që duhet të organizohet”.

Po ç’punë kishte kreu i SHIK-ut në mbledhjen e PD-së. Për këtë, Bashkim Gazidede ka sqaruar deputetët: “Po, kam qenë në një mbledhje, ku ishin të pranishëm edhe deputetët. Unë në atë kohë kam qenë deputet dhe në atë mbledhje kam marrë pjesë me cilësinë e deputetit. Unë jam i depolitizuar dhe madje mund të them se nuk kam pasur asnjëherë teserën e Partisë Demokratike, me përjashtim të faktit që jam nënshkrues i 300 vetëve për legalizimin e kësaj partie”.

Azem Hajdari nuk ishte i vetmi që përgjohej për llogari të Berishës. Në vitin 1992, një përgjues ishte vendosur në zyrën ministrit të Jashtëm të PD, Alfred Serreqi, i cili pas përgjimit dha dorëheqjen. Për këtë çështje, deputeti i PS në atë kohë, Namik Dokle, që në fillim të sesionit të ri parlamentar, në 9 shtator 1992, kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor. Dokle u shpreh se “Po të jetë një përgjim sekret i vendosur me kohë, ne duam të dimë se kush e ka vendosur, më tepër që janë përgjuar dy ministra socialistë, dhe tani së fundi ministri i PD-së, z. Serreqi. Po të jetë se është vendosur vetëm për z. Serreqi, aq më shumë duhet kërkuar llogari, megjithëse në demokraci ka aq shumë transparencë saqë nuk ka nevojë për aparate përgjimi. Ruana zot, sikur të jetë përgjuar z. Gensher në zyrën e ministrit tonë pikërisht para se të jepte dorëheqjen. Prandaj, unë propozoj që të ngrihet menjëherë një komision i përkohshëm parlamentar ose të ngarkohet për të marrë informacion për çështjen Komisioni i Punëve të Jashtme i Parlamentit, dhe nëse është e vërtetë kjo gjë, ose ky Uotergejt shqiptar, të merren të gjitha masat ligjore, madje nga më të rreptat”.

Edhe ky skandal u tejkalua pa përgjegjës.

Sali Berisha u rikthye në pushtet në vitin 2005. Në kushtet kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës i treguan vijën e kuqe për të mos prekur Shërbimin Informativ Shtetëror, Berisha u akuzua se përdori Shërbimin Informativ të Ushtrisë për të përgjuar kundërshtarët politikë, por ndoshta edhe bashkëpunëtorët e dyshimtë në PD.

Socialistët në opozitë, pretenduan se për llogari të Berishës, si dhe nën kujdesin e veçantë të ish-ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami dhe ish-kreu i SHIU, Ylli Zyla, SHIU ka përgjuar për 27 muaj me radhë, kreun e PS Edi Rama, deputetët socialistë, përfaqësitë e huaja diplomatike në Tiranë dhe disa eksponentëve të dyshimtë të Partisë Demokratike, me anë të pajisjeve të blera në mënyrë të paligjshme.

Në mas të vitit 2014, Mimi Kodheli, në atë kohë ministre e Mbrojtjes tha se “Ajo çka mund të them është se me atë agjenci është abuzuar dhe shkelur ligji me të dyja këmbët. Janë gjëra të komplikuara dhe që kërkojnë një konfidencë të caktuar, po flasim për inspektim të dokumenteve që janë të klasifikuara. Është një dosje që ia vlen të ndahet me organet kompetente për të parë çfarë ka ndodhur me atë që ka ndodhur, me përgjimin e opozitës, me një agjenci që nuk e ka fare për detyrë këtë”.

Në prill të 2014, Ministria e Mbrojtjes depozitoi në Prokurori një kallëzim penal për kreun e SHIU-t, Ylli Zyla, për praktikat e ndjekura për blerjen e një pajisjeje përgjimi.

Pas emërimit të Bujar Nishanit si Presidentit në vitin 2012, Sali Berisha, pavarësisht presionit të SHBA, arriti që përmes Nishanit të kapte Shërbimin Informativ Shtetëror, duke shkarkuar kreun Bahri Shaqiri, të cilin e zëvendësoi me Visho Ajazi Lika.

Dyshimet tek opozita e atëhershme socialiste ishin të menjëhershme. Edi Rama, në atë kohë kryetar i opozitës, e komentoi lëvizjen në këtë mënyrë: “Për llogari të Kryeministrit, Presidenti zëvendësoi drejtorin e Shërbimit Sekret me një shërbëtor të Saliut, njësoj siç është vetë”.

Gjatë drejtimit të SHISH nga Visho Ajazi Lika pati akuza sistematike për përgjime të paligjshme për llogari të Berishës, madje edhe pas largimit të tij nga pushteti në shtator 2013. Në mars të vitit 2014, Komisioni i Sigurisë Kombëtare ngriti një grup për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së SHISH.

Grupi i kontrollit hartoi një raport me konstatimet e verifikimit të veprimtarisë së SHISH dhe ia dorëzoi Ilir Metës, i cili ishte kryetar Kuvendi. Edhe pse raporti i mbajt sekret, anëtarë nga grupi i kontrollit pretenduan se ishin përgjuar të gjithë krerët e politikës, përveç Berishës. Ilir Meta ishte politikani më i përgjuar, konkretisht mbi 800 herë. Ishte koha kur Meta u largua nga PD, duke u bashkuar me PS. Me sa duket, Berisha ishte i shqetësuar dhe kërkonte të mësonte lëvizjet e Metës.

Pas zbulimit të skandalit dhe me sa duket pasi ka lexuar raportin, Ilir Meta u shpreh se: "Mu më jep kënaqësi çdo lloj ideje e atyre përgjimeve...". Gjithashtu pretendime pati se janë përgjuar kryeministri Edi Rama, deputetë dhe ambasadorë. Në media pati disa pretendime se objekt përgjimi kishte qenë edhe Sokol Olldashi, i cili sfidoi Lulzim Bashën në korrik të 2013, për të marrë drejtimin e PD-së. Olldashi nisi të shihej si rrezik nga Familja Berisha, e cila mbështeste Bashën si të besuar.

Nga ana tjetër, SHISH i mohoi pretendimet për përgjime. Në 30 tetor 2017, Visho Ajazi Lika dha dorëheqjen në këmbim të një posti diplomatik. Dorëheqja u reflektua me alarm tek Sali Berisha, i cili u shpreh se “Analistë dhe burime të besueshme konfirmojnë se ai pagoi me dorëheqjen e tij të papritur, çmimin e denoncimeve në prokurori dhe institucione të tjera si dhe informacioneve të panumërta që faktonin lidhjet e Noriegës...”.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 12/10/2021 01:45

    Watergate dhe perpjekja per t'a mbuluar i kushtuan karrigen Nixonit.Nga ana tjeter,ne kemi Berishen qe mburet dhe inkriminon veten me ze te larte per cdo budallallek e maskarllek qe ben dhe nuk i futet nje gjemb ne kembe.Eshte mungese ligjore,apo mungese vullneti e guximi nga drejtesia shqiptare, qe Berisha te ndihet kaq i sigurte nga mbajtja e pergjegjesise para ligjit?!

    Përgjigju
  • Shkodran: 11/10/2021 20:56

    Nuk do të ketë model më të poshtër shteti demokratik se sa shteti që ka ndërtuar dhe drejton Berisha!!

    Përgjigju
  • Ratabole Zenun Tyta: 11/10/2021 17:02

    Ore salheu dihet se çfar monstre është por dhe lyl dyli njësoi është si salheu. Me një fjal kta të dy jan një bajg që kalon biçikleta e i ndan përgjysëm. Kta jan të dy bajg e qelbur që duhen larguar 1 or e më par.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë