Filmat shqiptarë të Stratobërdhës
Anagnostit e Kekos shfaqen në Paris

Filmat shqiptarë të Stratobërdhës<br />Anagnostit e Kekos shfaqen në Paris
Arkiva Qendrore e filmit shqiptar AQSH do të prezantohet në festivalin Cinema Du Reel 2016 në Paris. Cinema Du Reel, festivali ndërkombëtar i filmit dokumetar që organizohet në Qendrën Pompidou në Paris nga 18 – 27 mars 2016, i dedikon sivjet në edicionin e tij të 38-të, një program të veçantë kinemasë shqiptare, duke sjellë në retrospektivë dokumentarët e fondit filmik të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.

AQSH në njoftim zyrtar na bën të ditur Programin mbi kinemanë shqiptare, i titulluar një histori përmes imazheve: ku është Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në fokus, është kuruar nga Clarence Tsui, një nga programuesit e festivalit Cinema Du Reel, kritik filmi dhe studiues i kinemasë. Retrospektiva e pasur me 16 tituj filmash dokumentarë shqiptarë dhe 1 film artistik është konceptuar e grupuar në 5 programe, të cilat paraqesin etapat kryesore të historisë së Shqipërisë treguar me anë të mediumit kinematografik:

Shqipëria e periudhës së shtetformimit përcjell përmes kamerës së drejtuar nga Mandi Koçi me dokumentarin e pare, prodhim krejtësisht shqiptar të vitit 1947, “Viktor Gjika, kinopoema dokumentareske e vitit 1964” mbi rindërtimin e vendit, Shkëlzen Shala me dokumentarin e tij të vitit 1974 mbi Tiranën e djeshme dhe të kohës, pra të ‘74ës, si dhe Kujtim Gjonaj me thirrjen që i bën shoqërisë në vitin 1993 për të mos ngritur më mite pasi kanë shembur idhujt e vjetër.
“Zërat” e censuruar, të kinematografisë shqiptare do të shfaqen  për publikun ndërkombëtar nëpërmjet kamerës së Viktor Stratobërdhës, me filmat e tj të shkurtër të viteve 1955-56, të veçanta në llojin e vet. Pas xhirimit të këtyre etydeve të shkurtra, Stratobërdha i kaloi në burg 20 vitet e tjera të jetës së tij. Kamera e drejtuar nga Mithat Fagu do të na flasë për dhuruesit e jetës, dhuruesit e gjakut. Sërish një regjisor që e përdor bukur syrin e tretë dhe realizon dokumentarë përtej atyre të zakonshmëve. Fagu u dënua më vonë për realizimin e tij “Në gjurmë të revolucionit tekniko-shkencor” film i cili nuk mori dot formën e tij përfundimtare por në AQSHF ruhen elementet kryesorë të kësaj vepre.

Kamera e regjisorit Dhimitër Anagnosti në këtë retrospektivë të filmit shqiptar në Paris vjen me premierën botërore të restaurimit të dokumentarit “Përjetësi’ një restaurim i realizuar nga AQSHF vitin e kaluar. Gjithashtu, pjesë e programit do të jetë edhe filmi tjetër ‘modern për kohën’ i Anagnostit, “Motive nga dita e diel”, 1974 ku regjisori luan shumë me planet detaj dhe muzikën xhaz.

Vendet e bukura turistike të Shqipërisë do të përcillen për publikun ndërkombëtar të Cinema Du Reel nëpërmjet dokumentarit të Mark Topallajt. Marrëdhëniet me ndërkombëtarët, zbulohen në programin e tretë nëpërmjet filmave të prodhuar në Shqipëri, nga kineastë të huaj si dokumentari i realizuar në 1935 nga Ëalter Frentz, që njihet si fotograf i propagandës naziste, apo bashkëprodhimeve me rusët (Shqipëria 1945, Roman Karmen) dhe kinezët (Krah për Krah, Endri Keko, Ho Y Shen, 1964)
Pasoja - Historia e risjellë, është programi i katërt i cili ritregon historinë e shqiptarëve, këtë herë përmes 2 dokumentarëve të kohëve të fundit, nga dy regjisorë të brezit të ri të kineastëve; “Superballkan”, Fatmir Koci, 1998 dhe “Pritja”, Roland Sejko 2015.

Loja e fëmijëve - Realiteti i Xhanfise Kekos, është programi i fundit i retrospektivës, dedikuar regjisores shqiptare. Studiuesve dhe kritikëve europianë të filmit po u bën përshtypje gjithnjë e më shumë puna dhe arti i një gruaje regjisore. Këtë herë sillet Xhanfise Keko me filmin artistik “Kur xhirohej një film” dhe dokumentarin e shkurtër “Para shfaqjes”, ku gjithnjë në fokus vendos botën e pafajshme të fëmijëve. Në kuadër të retrospektivës së kinemasë shqiptare, do të mbahet edhe një tryezë e rrumbullakët. 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kryeparlamentarja e Sllovenisë uron Spiropalin: Jam e bindur se do zbulojmë rrugë të reja për të rritur bashkëpunimin

Kryeparlamentarja e Sllovenisë uron Spiropalin: Jam e bindur se do zbulojmë rrugë të reja për të rritur bashkëpunimin