Aktorja amerikane e cila shfaqet në videon që pretendohet se fyen islamin e që ka zgjuar protesta në të gjithë botën myslimane ka vendosur të padisë drejtorin e filmit. Cindy Lee Garcia akuzon Nakoula Basseley se e ka mashtruar duke e përfshirë në një film urrejteje ndërsa besonte se thjesht po xhironte një aventurë të thjeshtë në shkretëtirë.

Ajo gjithashtu do ti kërkojë gjykatës që të urdhërojë rrjetin YouTube të heqë filmin nga arkivi. Videoja provokuese ka zgjuar valë reagimesh të ashpra në botën arabe ndërsa pretendohet se fyen konkretisht figurën e profetit Muhamet. Filmi "pafajësia e myslimanëve" është bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërsa protestat e menjëhershme në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut janë kthyer në demonstrim dhune ndaj përfaqësive diplomatike perëndimore. Katër amerikanë përfshirë ambasadorin Chris Stephens u vranë gjatë sulmit që ju bë pak ditë më parë konsullatës në Bengazi të Libisë.

Aktorja thotë tanimë se skenari që kishte marrë në dorë në fillim nuk përmendte në asnjë vend profetin Muhamet dhe as nuk bënte referenca besimi. Ajo pohon se ka marrë kërcënime me vdekje që prej publikimit të videos në YouTube dhe thotë se gjithçka ka dëmtuar rëndë reputacionin e saj. Padia është depozituar në Gjykatën superiore në Los Anxhelos të mërkurën dhe aty thuhet se drejtori i filmit ka ndryshuar dialogjet në pjesën e post-produksionit. Rrjeti YouTube ndërkaq e ka refuzuar kërkesën e aktores për heqjen e filmit por në mënyrë të njëanshme bllokimin e kanë bërë Arabia Saudite, Libia dhe Egjipti. Një zëdhënës i YouTube tha se po e shqyrton kërkesën sërish dhe se kjo kompani do të jetë pjesë e gjyqit.
(dm/shqiptarja.com)