Trajneri i Partizanit, Florin Bratu është i qartë. Objektiv për të edhe për klubin janë titulli kampion në Superligë dhe trofeu i Kupës së Shqipërisë. Trajneri rumun do të debutojë në stolin e 'Demave të Kuq' në Superligë, teksa përballë në raundin e parë do të ketë Teutën e trajnerit Edlir Tetova.
Ndeshja e sotme do të marrë jetë në orën 16:00 dhe do të zhvillohet në stadiumin e Vorës, impiant i cili ka një fushë sintetike.
"-Si prisni sezonin e ri në drejtimin e Partizanit?
Eshtë një kapitull i ri, një jetë e re për mua dhe Partizanin, sepse mendoj se ka ndryshuar shumë sidomos në dy muajt e fundit. Shpresoj ta nisim mbarë. Do të përballemi me një skuadër të mirë që drejtohet nga një trajner mjaft i mirë. Tetova është një prej trajnerëve më të mirë në Shqipëri, di gjithçka për të. Ai e transformoj Egnatian dhe fitoi mjaft trofe me atë skuadër. Për këtë arsye presim një ndeshje të vështirë dhe shumë të fortë. Por mendoj se ne tani jemi gati.
-Si kanë shkuar përgatitjet, i kënaqur me testet miqësore?
Ndeshjet miqësore na kanë shërbyer për të improvizuar disa ide rreth skuadrës apo disa prej lojtarëve taktikisht, të themi sipas ideve të mia. Mendoj që jemi në progres duke u përmirësuar gjithnjë e më mirë dhe tani presim kampionatin.
-Keni ardhur në një prej klubeve më të mëdha të Shqipërisë. Cilat janë objektivat tuaja për këtë sezon?
Gjithmonë objektivat e Partizanit janë trofetë, titulli kampion, Kupa e Shqipërisë, pjesmarrja në kupat e Evropës është e rëndësishme sepse kështu tregojmë respekt për tifozët tanë. Dhe po ashtu edhe këtë vit presim të bëjmë të njëjtën gjë dhe kemi shumë ambicie të bëjmë mirë çdo ditë, çdo ndeshje bashkë me lojtarët. Lojtarët ata janë më të rëndësishëm se unë. Mendoj se do të bëjmë më të mirën për këtë klub të madh në Shqipëri.
-Afrimet e reja?
Disa prej lojtarëve janë bashkuar pak vonë përgjatë përgatitjeve. Disa nuk janë ende gati por mendoj se ata kanë eksperiencën e duhur të debutojnë në këtë sezon dhe të ndihmojnë skuadrën, sepse ata kanë ardhur për të na ndihmuar ne.
-Mesazhi juaj për të gjithë tifozerinë e Partizanit?
E di që në tre vitet e fundit Partizanit i kanë munguar trofetë dhe e di që është e vështirë për tifozët. Por unë pres që tifozët tanë të na mbështesin sepse është tifozeria më e bukur në Shqipëri. I ftoj të jenë prezent në Vorë dhe të mbështesin skuadrën", tha trajneri rumun i Partizanit.
Edicioni i ri në Superligë filloi dje me ndeshjen Vllaznia 2-2 Skënderbeu, teksa sot do të zhvillohen Partizani - Teuta dhe Laçi - AF Elbasani, të dyja në orën 16:00. Të dielën në orën 21:00 do të luhen Dinamo - Vora dhe Egnatia - Tirana.
Superliga, sezoni 2026-27, raundi i parë:
E premte, 21 gusht 2026
21:00 Vllaznia 2-2 Skënderbeu
E shtunë, 22 gusht 2026 - 16:00
Laçi - AF Elbasani
Partizani - Teuta
E diel, 23 gusht 2026 - 21:00
Dinamo - Vora
Egnatia - Tirana










Komente
Komento