TIRANE - Filmi i metrazhit të gjatë "Heroi", ka dalë të jetë fitues në festivalin e filmit në Filipine "iChill Manila Film Festival", ku për konkurrentë ka pasur edhe gjashtë filma të tjerë të kësaj kategorie.
Marrjen e këtij çmimi, e bëri të ditur regjisori i filmit, Luan Kryeziu,nëpërmjet një postimi në rrjetin social "Facebook" ndërsa ka publikuar edhe listën e fituesve të këtij festivali
Filmi "Heroi", që është shfaqur premierë vitin e kaluar në Prishtinë, ka pasur edhe prezantime të tjera ndërkombëtare, por edhe prezantime mbarëkombëtare, dhe së fundmi, ky film është shfaqur edhe në kinematë e Tiranës. Në film portretizohet jeta e një ushtari të UÇK-së, Shkëmbit (Arben Bajraktaraj), i cili bën gjithçka për të qëndruar besnik ndaj idealeve të tij, për të jetuar një jetë të ndershme duke shpresuar për ditë më të mira. Krenaria dhe dinjiteti kthehen kundër tij, kur shoqëria nuk ka më nevojë për të./ATSH/








