Në Greqi nuk po diskutohet nëse “The Odyssey” do të jetë një sukses në kinema, por mënyra se si Christopher Nolan ka sjellë në ekran veprën e Homerit. Kastingu i filmit ka hapur një debat të gjerë mes politikanëve, historianëve, kritikëve dhe publikut.
Në një vend ku “Odisea” mësohet që në klasën e shtatë, pyetjet që dominojnë debatin janë disa: Sa besnik i ka qëndruar Nolan veprës së Homerit? Pse në kast nuk ka asnjë aktor grek? Dhe pse Helena, personazhi që sipas mitologjisë nisi Luftën e Trojës, interpretohet nga aktorja meksikano-keniano-amerikane Lupita Nyong’o?
Filmi, ku Matt Damon luan mbretin Odise, ndjek rrugëtimin 10-vjeçar të heroit pas Luftës së Trojës, ndërsa përpiqet të kthehet në Itakë dhe të ribashkohet me bashkëshorten e tij, Penelopën. Gjatë udhëtimit ai përballet me perëndi dhe krijesa mitologjike, për t'u kthyer në fund në pallatin e pushtuar nga pretendentët e gruas së tij.
Një pjesë e xhirimeve u zhvillua në Greqi, në vende si Pallati i Nestorit në Pilos, plazhi Voidokilia, Kalaja e Methonit dhe Akrokorinthi. Për shumë grekë kjo ishte një mundësi për të promovuar trashëgiminë e vendit dhe për të treguar se epika e Homerit vazhdon të mbetet pjesë e kulturës botërore edhe pas rreth 3 mijë vitesh.
Produksioni përfitoi rreth 6.5 milionë euro subvencione nga shteti grek, ndërsa buxheti total i filmit arriti në 250 milionë euro. Financimi u bë në kuadër të skemës së rimbursimit që Athina aplikon që nga viti 2017 për prodhimet ndërkombëtare që realizojnë xhirime në Greqi.
Debati mori edhe më shumë vëmendje pasi Elon Musk reagoi në platformën X, ku shkroi se Christopher Nolan kishte "përdhosur Homerin" për t'iu përshtatur, sipas tij, rregullave "woke" për të fituar një çmim Oscar.
Mediat greke kanë zhvilluar debate të gjera me historianë, regjisorë dhe kritikë filmi. Ata që mbështesin zgjedhjet artistike argumentojnë se veprat e Homerit janë pjesë e qytetërimit perëndimor dhe u përkasin të gjithëve, ndërsa mitet mund të interpretohen lirisht nga krijuesit.
Kundërshtarët, nga ana tjetër, kujtojnë se Homeri e përshkruan Helenën si grua me flokë të bukur, fytyrë të bukur, veshje elegante dhe me "krahë të bardhë", edhe pse nuk jep një përshkrim të plotë të pamjes së saj, duke lënë hapësirë për imagjinatën e lexuesit.
Edhe partia ultra-ortodokse greke Niki kundërshtoi si zgjedhjen e kastingut, ashtu edhe subvencionimin e filmit nga shteti. Kryetari i saj, Dimitris Natsios, deklaroi se taksapaguesit grekë po financojnë imponimin e një ideologjie "woke" mbi historinë dhe identitetin kulturor të vendit.
Nga ana tjetër, ministrja greke e Kulturës, Lina Mendoni, mbrojti lirinë artistike, duke theksuar se nuk është roli i shtetit t'i tregojë një regjisori se si duhet të interpretojë një vepër apo një mit. Edhe ministri i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis, tha se nuk është kundër financimit të filmit, por shtoi se e ka të vështirë të kuptojë disa nga zgjedhjet e Nolan.
Reagime pati edhe për mungesën e aktorëve grekë në kast. Faqja e diasporës Greek City Times publikoi një letër të hapur ku shkruan se "Greqia nuk është vetëm një sfond i antikitetit. Është një vend i gjallë. Grekët nuk janë figura historike, por bashkëkohës".
Edhe Endy Zemenides, drejtor ekzekutiv i Hellenic American Leadership Council, e cilësoi mungesën e aktorëve grekë si një mundësi të humbur për Nolan, ndërsa revista greke Lifo ngriti pyetjen: "Homeri u përket të gjithëve, por pse grekët mungojnë nga 'Odisea' e Nolan?". Me të njëjtën pyetje është marrë edhe "The Guardian".
Pavarësisht polemikave, filmi pritet të jetë një sukses në mbarë botën dhe edhe në Greqi. Biletat për shfaqjet e para u shitën shpejt, ndërsa dalja e filmit ka rritur edhe interesin e lexuesve për veprën origjinale të Homerit në libraritë greke.
Komente








