Dy oficerë policie nga South Florida pretendojnë se filmi aksion-thriller i Ben Affleck dhe Matt Damon, “The Rip”, përdori tepër detaje reale në narrativën e tij të trilluar, duke dëmtuar reputacionin e tyre personal dhe profesional sipas një padie për shpifje.

Jason Smith dhe Jonathan Santana, rreshterë në Miami-Dade, ngritën padinë në gjykatën federale të Miamit kundër Artists Equity, kompania filmike në pronësi të Affleck dhe Damon. Dokumentet nuk specifikojnë shumën që kërkojnë oficerët, por në shkresa cilësohet se kërkojnë dëmshpërblim kompensimi dhe pagesën e shpenzimeve ligjore, si dhe tërheqje publike dhe korrigjim.

“The Rip” paraqet Affleck dhe Damon (që në këtë film janë edhe producentë) si oficerë policie në South Florida që gjejnë miliona dollarë brenda një shtëpie. Pjesë të filmit janë frymëzuar nga një rast real i vitit 2016, kur policia gjeti mbi 21 milionë dollarë të lidhura me një trafikant të dyshuar marijuane në një shtëpi në Miami Lakes.

Affleck dhe Damon kanë thënë gjatë promovimit të filmit se historia është bazuar në rrëfimet e policit Chris Casiano, i cili shërbeu si këshilltar teknik për filmin. Damon i tha Associated Press gjatë një interviste në janar se ai dhe Affleck kaluan kohë me Casiano dhe oficerë të tjerë të antidrogës për t’u përgatitur për filmin.

“Ne vërtet donim të kuptonim si ishin ato dinamika,” tha Damon. “Këto njësi janë shumë të lidhura mes tyre sepse ata i besojnë jetën njëri-tjetrit dhe bëjnë një punë shumë të rrezikshme.”

Leita Walker, avokate e Artists Equity, shprehej në një letër në mars se filmi nuk pretendon të tregojë historinë e vërtetë të incidentit apo të portretizojë njerëz realë, gjë që ishte deklaruar edhe në një paralajmërim në titrat e filmit.

Megjithëse Smith dhe Santana nuk përmenden me emër në film dhe nuk ishin të përfshirë në prodhimin e tij, padia pretendon se Santana ishte detektivi kryesor në rastin real, ndërsa Smith ishte rreshteri që mbikëqyrte ekipin hetimor. Përfshirja në film e detajeve reale të rastit krijon përshtypjen se personazhet bazohen tek paditësit.

Sipas padisë, kjo ka bërë që miqtë, familjarët dhe kolegët të besojnë se paditësit kanë kryer aktet kriminale që shfaqen në film, të cilat përfshijnë komplot për të vjedhur para droge të sekuestruara, vrasjen e një eprori, komunikim me anëtarë karteli, zjarrvënie në një lagje banimi, rrezikimin e jetës së civilëve, shkelje të përsëritura të protokolleve bazë të zbatimit të ligjit dhe ekzekutimin e një agjenti federal në vend të arrestimit.

Ëalker shkroi në mars se paditësit nuk kanë identifikuar as se cili personazh supozohet të bazohet tek Smith apo Santana, kështu që edhe nëse “The Rip” do të ishte vërtet për një ekip real antidrogë, nuk ka asnjë mënyrë për të lidhur personazhet me paditësit.

“The Rip”, me regji të Joe Carnahan doli në Netflix në muajin janar.