'Filmit s’i vjen tjetër si ai', lamtumirë Dhamos, pionerit të kinemasë shqiptare! Xhepa, Anagnosti e Mitro rrëfejnë regjisorin e parë: Kishte brenga

U rikthye në shtëpi, siç e pat lënë amanet. Familja, miq e kolegë nderojnë në hollin e “Arteve” pionerin e kinematografisë shqiptare, kineastin Kristaq Dhamo.

“Gjyshi ishte një njeri që falte shumë dashuri dhe buzëqeshje. Unë e njoh ndryshe, jo kineastin e madh për të cilin të tjerët flasin. E njoh nga afër, për shëtitjet e kafet që ai pëlqente aq shumë. Për tregimet që më rrëfente, për prezencën e tij, e mbi të gjitha për faktin se na falte shumë dashuri. Nëse do të ishte gjallë ai do më thoshte, mos u shqetësoni, jam i qetë, jam mirë!”,

U shua matanë Adriatikut në Itali, në moshën 89-vjeçare në 14 gusht, duke i lënë trashëgimi brezave mbi 11 filma artistik e 5 dokumentarë. Me “Tanën” e tij nis dhe historia e filmave artistik të gjatë shqiptarë, e më tej një sërë prodhimesh të tjera si “Vitet e para”, “Detyrë e posaçme”, “Vendimi”, “Mëngjeze lufte”, “Botë e padukshme” e të tjerë.

“E kam njohur që në Lushnjë, e donte artin që në moshë të re. Dhe mbasi erdhi nga studimet në Budapest të Hungarisë ai filloi filmin e parë “Tana”. Është regjisor i parë! Pastaj u angazhova me Kristaqin tek “Vitet e para” është roli i parë që pata në kinematografi e që më hapi rrugën për rolet e tjera që do të vinin”, rrëfen aktorja Margarita Xhepa.

“ Unë jam nxënës i Dhamos, dhe këtë e kam shpallur me kohë! Dhamo më dha vetëbesim për të bërë film, por jo vetëm mua, por edhe shumë të tjerëve, që erdhën dhe mbas meje. Nuk i vjen më kinematografisë shqiptare një figurë e tillë”, shprehet regjisori Kristaq Mitro.

“Rolin e parë me të e kam pasur në moshën 17-vjeçare. Luajta në “Detyrë e posaçme e më tej në ‘Botë e padukshme’, filma të tij. Kishte një etikë, që mund të gjendet rrallë sa i përket sjelljes së tij me aktorët. Në mënyrë të padukshme ai arrinte të depërtonte në thellësi”, rrëfen aktorja Roza Anagnosti.

“Pata fatin të luaja në filmin e tij ‘Qortimet e Vjeshtës’. Ishte një njeri e regjisor i jashtëzakonshëm. Njeri që kujdesej për gjithçka, për regjinë, veshjen, dritat, mizansenën e të tjerë. Të mësonte teorikisht gjithçka që mund të mësojë një njeri në sheshxhirim e jashtë saj”, thotë aktori Kastriot Çaushi.

“Kishte një aftësi të jashtëzakonshme, për të ndihmuar njerëzit me aftësi pa i paragjykuar. Qendra Kinematografike e Filmit po përgatit edhe një dokumentar për Kristaq Dhamon”, thotë regjisori e drejtori i Qendrës Kinematografike Eduart Makri.

“Ikona të tilla fatkeqësisht humbasin fizikisht, por vepra e tyrë mbetet në përjetësi”, thotë ministrja e Kulturës Elva Margariti, e cila në bashkëpunim me Ministrinë e Evropës dhe Punëve të Jashtme bën të mundur që trupi i kineastit të vinte nga Italia ku u shua, në vendin e tij.

 “Artisti i merituar”, “Artist i popullit” e prej 2021-shit i vlerësuar edhe si “Nderi i kombit” ndonëse i tillë ka qenë ngaherë për artistët e shqiptarët që ndoqën krijimtarinë e tij. Dhamo ishte një shkollë për brezin e kineastëve që pasoi e një rojtar i patundur i punës së tyre si drejtor artistik në ish-Kinostudio.

“Është merita e tij, çelësi që në Kinostudio ka pasur një lloj libealizmi në raport me aktorët, regjisorët etj. Ishte mjeshtri! “, rrëfen më tej Anagnosti.

“Tek regjisori Kristaq Dhamo pikonte mirësia dhe thjeshtësia. Kishte respekt i gjithë kolektivi, sepse i deshi njerëzit e veçmas artistët”, rrëfen Xhepa.

Ndonëse në vitet e fundit jetoi në Nju Jork, komunikonte me miq e kolegë, herë pas herë edhe duke folur për brengat për filmin e kinematografinë vendase.

“Kishte brenga, mbi të gjitha për ne që nuk arritëm të realizoheshim deri në fund, sepse Kinostudio u mbyll. Tani nuk flitet më për Qendrën, e cila ka pesë para dhe ato s’di ku ti çojë sepse nuk bëhet filmi me dy lekë. Dhamo kishte atë që e ndjente dhe e thoshte që nuk do të ketë më Kinostudio”, rrëfen regjisori Kristaq Mitro.

Mesditen e së premtes miq e të afërm e përcjellin për në banesën e fundit në Sharrë, por Dhamo mbetet mes nesh për krijimtarinë në filma, humanizmin e elegancën e pashoq edhe përtej punës, dijen e urtësinë me të cilën gdhendi kujtime të pashlyeshme.

“Kristaq Dhamon sot do ta përcjellim me buzëqeshje dhe me duartrokitje sepse rrugëtimi i tij gati 70-vjeçar me kinematografinë është shumë i gjatë”, shprehet kineasti Piro Milkani.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • LORA: 19/08/2022 17:19

    I qofte i lehte dheu yne mjeshtrit te kinematografise shqiptare Kristaq Dhamo. Ndhej mirenjohje te thelle per kontributet e tij te vyera,ne sherbim te artit te vertete e te pavdekshem.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Udhëheqësi de fakto i Sirisë: Do të duhen 4 vjet derisa të mbahen zgjedhje

Udhëheqësi de fakto i Sirisë: Do të duhen 4 vjet derisa të mbahen zgjedhje