TIRANË - AF Elbasani ka siguruar fitoren e parë në fazën “Final 4” të Superligës, duke triumfuar këtë të diel me rezultatin bindës 3-0 ndaj Dinamos në stadiumin “Air Albania”. Një paraqitje shumë e mirë e skuadrës elbasanase në pjesën e parë vulosi fatin e këtij takimi.

AF Elbasani dominoi plotësisht fraksionin e parë, duke shfrytëzuar edhe superioritetin numerik pas kartonit të kuq të Gudiabit. Goli i avantazhit erdhi në minutën e 25-të, kur Tsague finalizoi me kokë një top të ardhur nga Loukili. Vetëm dy minuta më vonë, Tsague përfitoi nga një gabim në mbrojtjen e Dinamos për të realizuar edhe golin e dytë personal në këtë sfidë.

Skuadra elbasanase vijoi presionin dhe në minutën e 38-të ishte Diallo ai që vulosi shifrat 3-0, duke mbyllur një pjesë të parë perfekte për verdheblutë.

Në pjesën e dytë ritmi i lojës ishte më i qetë, me AF Elbasanin që administroi avantazhin dhe ruajti rezultatin deri në fërshëllimën finale.

Falë kësaj fitoreje, Elbasani ngjitet në kuotën e 34 pikëve, po aq sa Egnatia kryesuese. Vllaznia renditet në vendin e tretë me 31 pikë, ndërsa Dinamo mbetet në vendin e katërt me 27 pikë, duke e bërë edhe më të fortë garën në fazën “Final 4”.

Superliga do ta vendosë ekipin kampion të dielën që vjen. Në Elbasan do të luhet sfida mes Egnatias dhe Dinamos, ndërsa në Tiranë ajo mes Vllaznisë dhe AF Elbasanit.

Egnatia dhe AF Elbasani janë më të favorizuar për titullin kampion, ndërsa Vllaznisë i duhet të fitojë kundër AF Elbasanit dhe të shpresojë në humbjen e Egnatias për t’u shpallur kampione.

Superliga, kalendari dhe rezultatet e fazës 'Final 4':

Java 1

Vllaznia 0-2 Dinamo, 16.05.2026 19:00

AF Elbasani 0-4 Egnatia, 17.05.2026 19:00

Java 2

Vllaznia 1-2 Egnatia, 23.05.2026 19:00

AF Elbasani 3-0 Dinamo, 24.05.2026 19:00

Java 3

Egnatia vs Dinamo, 31.05.2026 19:00 (Elbasan Arena)

Vllaznia vs AF Elbasani, 31.05.2026 19:00 (Air Albania)

Renditja e 'Final 4':