SHKODËR - Vllaznia dhe Egnatia do të përballen të shtunën në orën 19:00 në 'Air Albania' për ndeshjen e dytë të 'Final 4', miniturneut që do të vendos edhe skuadrën kampione të Superligës së futbollit.

Në prag të ndeshjes për mediet foli drejtori sportiv i Vllaznisë, Vioresin Sinani. Ai tha se në ekipin shkodran nuk ka asnjë problem veç tre mungesave të Kastratit, Bismark dhe Bajramit. Sa i takon bllokimit të merkatos nga FIFA për shkak të borxheve, ish-sulmuesi tha se ajo do të zhbllokohet në kohën e transferimeve, duke përjashtuar problemet financiare.

Sinani vlerësoi Egnatian, ndërsa kërkon mbështetjen e tifozëve të Vllaznisë nesër në 'Air Albania'.

“Është sfidë e vështirë. Egnatia është një ekip që meriton respekt, e njohim për lojën dhe nivelin që ka. Një ekip me shumë emra cilësorë. Por, ne jemi për rezultatin pozitiv që do na ndihmojë të shkojmë në rrugën tonë drejt titullit.

Mungesa? Kastrati e Bismark për arsye dëmtimi dhe Bajrami për kartona. Djemtë që do i zëvendësojnë jam i bindur që do të bëjnë më të mirën, do luftojnë me 100% e tyre. Normalisht se sfida është mjaft e fortë, por në fund shpresojmë të triumfojmë ne.

Në 'Final 4' janë të gjitha skuadrat e forta. Janë me nivel shumë të mirë. Besoj se fusha do e tregojë, shpresoj shumë që fitorja të anojë nga ne. Megjithatë, e vlerësoj Egnatian se është ekip mjaft i fortë dhe meriton respekt.

I bëj thirrje tifozëve, kush të ketë mundësi, të jetë në stadium. Djemtë kanë nevojë për përkrahje. Kanë nevojë për ngrohtësi. Jemi në vend të parë. Jemi dhe dy ndeshje larg fundit të kampionatit dhe do bëjmë çmos për ta mbajtur vendin e parë. Kam thënë në intervistat e mia, që do luftojmë deri në fund për titull. Dhe po luftojmë. Kemi nevojë për mbështetjen e të gjithëve.

Gjendja? Shumë e mirë. Zero probleme. Problemi i vetëm i yni janë ata dy djemtë e dëmtuar, që kanë qenë lojtarë kryesor. Po them problem se janë gjëra që ndodhin në sport. Problem tjetër zero.

Bllokimi nga FIFA? Merkato do të zhbllokohet kur të fillojmë të bëjmë afrimet e lojtarëve, besoj se nuk do ketë asnjë problem", tha ish-bomberi Sinani.

Egnatia, Vllaznia dhe AF Elbasani kanë nga 31 pikë dhe konkurrojnë 'kokë më kokë' për titullin e kampionit. Dinamo me 27 pikë mbetet në vendin e katërt.