Projekti i Parkut Fotovoltaik të Karavastasë u finalizua ditën e sotme duke i hapur kështu rrugën ndërtimit të një projekti që sjell diversion të energjisë elektrike ne Shqipëri, ku vendi do të përfitojë edhe nga energjia diellore për të prodhuar energji elektrike. I pranishëm në këtë ceremoni të nënshkrimit të marrëveshjes ishte dhe kryeministri Edi Rama në nënshkrimin e marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë franceze Voltalia.

Duke e cilësuar investimin francez si thyerje të akullit mes Shqipërisë dhe investitorëve francez, Rama tha se ky investim është një lajm i mirë për ekonominë që jo vetëm të diversifikojë energjinë në Shqipëri duke përdorur diellin, por edhe që të hedhim më shumë dritë për Shqipërinë në Francë, ku njihet shumë pak dhe nuk njihet saktë. Shqipëria është një vend me pasuri të shumta natyrore në ujë dhe diell, Rama tha se ky është investimi po nis shfrytëzimin e energjisë diellore. Ai tha se ky bashkëpunim do të tregojë për të gjithë të tjerët se në Shqipëri nuk ka qeveri të korruptuar dhe se të gjitha proceset në garë janë transparente.

"Ky është një lajm i mirë për ekonominë dhe imazhin e vendit tonë. Me firmosjen e marrëveshjes në Shqipëri do të filloj nga puna një emër i madh që jo vetëm të diversifikojmë energjinë në vend duke përdorur diellin, por edhe që të hedhim më shumë dritë për Shqipërinë në Francë, ku njihet pak dhe nuk njihet saktë. Ky vend ka një pasuri të jashtëzakonshme në ujë dhe në diell dhe mbi këtë pasuri të jashtëzakonshme po ngrihet një sektor energjetik gjithmonë e më i fortë dhe me investimin e të  këtij sektori tek dielli shton edhe energjinë diellore si një potencial të madh që sapo nisim ta shfrytëzojmë.

Me marrëveshjen e sotme do të kemi një dëshmitar francez që do të mund të thotë qeveria ka treguar në këtë proces për partnerët ekonomi se Shqipëria nuk është e korruptuar janë stigma të ndërtuara në kohë, jo pa arsye në 30 vite të vështira të kalimit nga një regjim i mbyllur dhe e kishte bërë Korenë e Veriut në mes të Europës në një sistem demokratik me institucione të forta e të qëndrueshme. Nuk është në proces i lehtë por është një proces që vijon dhe në garantimin e transparencës në të gjitha proceset dhe jo vetëm me këtë kompani të madhe franceze që solli thyerjen e akullit mes dy vendeve.

Ky është një lajm shumë i bukur për ekonominë dhe imazhin e vendit tonë. Lajm i gëzuar dhe sepse vjen në një moment tronditës për botën mbarë jo në aspektin shëndetësor por dhe ekonomik, e më vjen mirë që vjen nga Franca. Ne kemi dëshiruar që Franca të jetë shumë më e pranishme në Shqipëri në aspektin ekonomik, e kjo është ambicie e shpallur nga vetë Presidenti i Francës" tha Rama.

 Parku i Karavastasë do të jetë më i madhi në Ballkan, me një fuqi prej 140 megavatesh, dhe do të ketë një vlerë investimi prej 100 milionë euro. Ky është ankandi i dytë që realizohet në prodhimin e energjisë së rinovueshme nga dielli. I pari është fituar nga kompania India Power në Akërni të Vlorës.  

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:02
Balluku: Projekti do tërheq më shumë investitorë, do sjellë mbi 100 milionë euro në ekonominë shqiptare

Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku e cilësoi finalizimin e projektit si një kartë për të tërhequr më shumë investitorë të tjerë francez në të ardhmen. Balluku thotë se ky investim do të sjellë mbi 100 milionë euro në ekonominë shqiptare, ndërsa me projektin e Parkut Fotovoltaik të Karavastasë është krijuar një shembull për investitorë të tjerë francezë.

"Sot jemi për të nënshkruar marrëveshjen me kompaninë gjigande franceze Voltalia. Nuk është vetëm proces model, por në një bisedë me ekspertë të Harvardit, do të përdoret si studim, pasi në një vit kaq të vështirë ka sukses. Mbi 100 milionë euro do injektohen në ekonominë tonë. Por jemi në vitin 2020. Voltalia ka gjetur atraktiv tregon shqiptar, në vitin më të vështirë për botën. Kemi ngritur një proces model që do të ndiqet dhe në ankandet e tjera ndërkombëtare. Kemi ecur krah për krah me BERZH. Kemi pasur përkrahjen e tyre. E kam thënë kur hapëm ankandin, si dhe kur erdhën ofertat, të gjitha detajet janë në dokumentacion. Asnjë nga grupet s’ka pasur tolerim pa sqaruar gjë. Ne do firmosim për t’i hapur rrugë ndërtimin të këtij parku sa më parë. Kjo është një kartë biznesi në Francë. Ne kemi krijuar një shembull për investitorë të tjerë francezë. Dhe do keni mbështetjen e qeverisë", tha Balluku.