Franca është finaliste, por në atdhe kanë ende dyshime për cilësinë e djemve të Didier Deshamp. Me një analizë të bazuar mbi pyetjet që mundojnë francezët, e përditshmja “France Football” është munduar t’u japë përgjigje bashkatdhetarëve.
E para, a ka Franca kundërsulmin më të mirë të Botërorit?
Në imagjinatën kolektive, një skuadër që godet me kundërsulm nuk është sinonim i cilësisë, duke qenë se skuadrat që zgjedhin këtë strategji janë teorikisht më të dobëta se rivali. Sidoqoftë, mbajtja e topit nuk do të thotë sukses me Spanjën dhe Gjermaninë, që janë një shembull negativ i kësaj filozofie. Kundërsulmi është një armë që francezëve iu solli në finale, por jo domosdoshmërisht mënyra për të zgjidhur ndeshjet.
Pyetja e dytë: Më mirë pa se sa me top, a përbën problem Zhirud që nuk shënon?
Kur një ekip vuan në mbrojtje, thuhet se sulmuesit nuk bëjnë si duhet detyrën e mbrojtësit të parë. Formula i përshtatet më së miri Olivier Zhirud, i cili nuk po shënon, por statistikat tregojnë se në ekonominë e lojës së “Gjelave” është një pjesë thelbësore. Golat nuk janë aspekti kryesor, por nëse vijnë në finale, do të jetë mirë.
E treta: A është Hugo Loris portieri më i mirë i kompeticionit?
Është një temë delikate, por nëse i hedhim një sy ndeshjes ndaj Belgjikës, rëndësia e tij në portë është e madhe. Përveç cilësive, Loris ka dhe një vizion loje që pak portierë e kanë. Kapiteni është trajneri në fushë i mbrojtjes dhe nëse Franca është kaq solide, meritat janë edhe të Loris.
Pyetja e katërt: Skuadra titullare është e përcaktuar apo duhet ndryshuar në finale?
Ekipi fitues nuk ndryshohet dhe këtë e ka vërtetuar më së miri Didier Deshamp, që ndryshimet i ka bërë vetëm kur ka qenë i detyruar. Formacioni i së dielës do të jetë i njëjti me atë të gjysmëfinales, teksa fjala “surprizë” duket se nuk ekziston në fjalorin e teknikut francez.
Dhe pyetja e fundit: Sa mundësi ka që Franca të shpallet kampione bote?
Objektivi minimal i Francës ishin gjysmëfinalet dhe ky është një tregues i qartë i ambicieve të federatës transapline. Pas eliminimit të Argjentinës, Uruguait dhe Belgjikës, nuk duket një utopi shpallja kampionë. Nëse në llogari shtojmë edhe faktin që vetëm dy vjet më parë ky ekip rindërtohej nga e para pas dështimit me Portugalinë, atëherë “Gjelat” mundet dhe duhen të sjellin trofeun në atdhe.
Komento