Financat: Raportimi financiar i shoqërive, ndryshon ligji për auditimin

/ATSH/- Ministria e Financave ka pergatitur ndryshime në ligjin "Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar".
Ky ndryshim është pjesë e reformës së ndërmarrë nga Ministria e Financave në bashkëpunim me Bankën Botërore për përmirësimin e raportimit financiar të shoqërive. Në të njëjtën kohë, ky rishikim synon përafrimin me acquis communautaire duke mbështetur kështu angazhimet strategjike të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ndryshimet përfshijnë një sërë përafrimesh të kornizës së kontabilitetit dhe auditimit me kërkesat e BE-se, si dhe në të njëjtën kohë synojnë përmirësimin e cilësisë së legjislacionit, përmirësimin dhe forcimin e rolit të mbikëqyrjes së profesionit, qartësimin e terminologjive përkatëse ku janë hasur problematika, me synim unifikimin dhe përmirësimin e zbatueshmërisë si dhe ndryshime operacionale në interes të organeve përgjegjëse kyçe.
Ministria e Financave gjykon se ndryshimet përkatëse, do të bëjnë të mundur rritjen e cilësisë dhe përgjegjshmërisë së audituesve ligjorë dhe shoqërive të auditimit, duke përmirësuar procesin e certifikimit, mbikëqyrjes së cilësisë, si dhe forcimin dhe qartësimin e shkeljeve dhe masave disiplinore.
Në këtë përmirësim, Ministria e Financave ka pasur parasysh edhe sigurimin e pasqyrave financiare të besueshme dhe transparante, të domosdoshme për të gjitha palët e interesuara si: administrata shtetërore, sistemi bankar dhe financiar, si dhe vetë bizneset, rritjen e besimit të investitorëve të brendshëm dhe të huaj, si një kriter i rëndësishëm për inkurajimin e investimeve, inovacionit dhe rritjes ekonomike në vend etj.

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Gjermani/ Karuseli përfshihet nga flakët gjatë një festivali, 20 të plagosur