Sali Berisha më kot bën fajtor vetëm Lulzim Bashën për dosjen e financimit rus në Partinë Demokratike pasi ka vetë përgjegjësi shumë të mëdha. Ky është qëndrimi i analistit Arben Meçe, i cili i ftuar në studion e lajmeve në Report Tv, tha se kjo sjellje e ish-Kryeministrit është e patolerushme.

“I gjithë enturazhi propagandistik i Berishës ka ndërtuar një skemë që ia vënë të gjithë fajin Bashës. Enturazhi i Berishës e shkarkon të gjithin te Lulzim Basha që tashmë e ka konsideruar armik.  Berisha e tha vetë që i ka shkuar Lu me dosje. Pra, Berisha për këtë situatë që i ka ardhur në mënyrë zyrtare nga ambasada amerikane nuk e ka marrë seriozisht. Ky indiferentizëm të Sali Berishës krahasuar me agresivitetin e tij normal do të thotë që Sali Berisha po gënjen, nuk po thotë të vërtetën. Lulzim Basha ka qenë absolutisht i lidhur me Sali Berishën", u shpreh Meçe, në bisedën në studio me gazetarin Arbër Hitaj. 

Duke përmendur edhe rastin e një denoncimi për LSI (tani Partia e Lirisë) që mund të jetë financuar nga burime të paditura në llogari ofshore, Meçe tha se Berisha nuk mund të ishte indiferent ndaj një historie të tillë.

“Ne kemi një denoncim për Ilir Metën tani, që thotë se LSI ka pasur financime nga ofshore. Unë e quaj të pafalshme për këto dhe të pajustifikueshme faktin që Berisha paska qenë indiferent për një çështje kaq të ndjeshme dhe të rëndësishme. Ai thjesht kërkon të përjashtojë veten nga përgjegjësia e tij.  Lulzim Basha ka qenë zyrtarisht kryetari i PD dhe sigurisht që firmën do ta vendoste ai por kjo nuk do të thotë që ai është i vetmi përgjegjës”, tha Meçe.

Analisti Arben Meçe gjithashtu ngriti edhe shqetësimin e situatës së ndikimit rus në media, që sipas tij është shumë e madhe dhe kërkon më shumë vëmendje.

“Nuk po e shoh thjesht te Partia Demokratike apo  te politika shqiptare. Influenca ruse është jo vetëm tek PD. Shqetësimi kryesor i ngritur prej meje është influenca ruse në media. Qëllimi i tyre është për të goditur sistemin e demokracisë. Kjo është luftë sistemesh. Në Shqipëri është instaluar një filozofi mediatike për të goditur sistemin demokratik. Media jonë është absolutisht e ngarkuar dhe vëmendja e institucioneve ligjzbatuese duhet të fokusohet edhe këtu”, tha ndër të tjera në studion e Report Tv, Arben Meçe.