Një banesë është djegur mbrëmjen e sotme (31 janar) në fshatin Neohori në Bashkinë e Finiqit. Mësohet se banesa u përfshi nga flakët pasi i ka rënë rrufeja.
Banesa është në pronësi të Vasil Qeskos. Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar por vetëm dëme materiale.
Mësohet se në banesë, në momentin e zjarrit nuk ndodhej asnjë nga familjarët pasi ata janë emigrantë në Greqi.
Nga pamjet e siguruara nga gazetari i Report Tv, Limos Dizdani shihen dëmet që ka shkaktuar zjarri në këtë banesë.
Në vendngjarje kanë shkuar forca të zjarrëfikëses dhe efektiv policie që po bëjnë këqyrjen e dëmeve në shtëpi. Një prej banorëve të zonës shprehet se ngjarja ndodhi rreth orë 19:00 ku si pasojë e një vetëtime, banesa u përfshi nga flakët.
“Ngjarja ka ndodhur në orën 18:50. Nga rrufeja ka ardhur, u bë dritë e madhe këtu. Kjo ishte shtëpi e re, nuk ka as 5-6 vite. Banorët e saj ndodhen në Greqi, dëmi mund të shkojë në mbi 50 mijë euro” – tha një banor.