TIRANË- Festa të hidhura për Juventusin. Bardhezinjtë morën dje goditje të dyfishtë. Gjykata sportive i hoqi tre pikët e fitores në tavolinë me Napolin ndërsa në mbrëmje Fiorentina e mposhti thellë në fushë. “Vjollcët” bënë surprizën e madhe duke fituar 3-0 në Torino dhe i shkaktojnë Juventusit humbjen e parë për këtë sezon.
Vlahovic kaloi miqtë në avantazh që në minutën e 3-të ndërsa më pas Cuadrado u ndëshkua direkt me karton të kuq dhe ia vështirësoi punët skuadrës së Pirlos. Kampionët në fuqi reaguan por nuk shënuan dot ndërsa humbja e Juventusit mori përmasa më të mëdha kur Alex Sandro shënoi në portën e tij dhe ishi Caceres mbylli llogaritë. Fiorentina fundos Juventusin duke i shkaktuar humbjen më të thellë në “Allianz Stadium” ndërsa drejtuesit bardhezi kanë pretendime edhe për gjykimin. Sot për javën e 14-të të Serisë A kryesuesit e Milanit presin Lazion ndërsa Interi luan ndaj Veronës.
Në ndeshjet e mesjavës në La Liga nuk gabuan Barcelona dhe Atletico. Katalanasit fituan lehtësisht 3-0 në transfertë ndaj Real Valladolid dhe ngjiten në kuotën e 24 pikëve momentalisht në vend të pestë. Lenglet dhe Braithëaite shënuan në pjesën e parë për ekipin e Koeman ndërsa llogaritë i mbylli Leo Messi.
Ndërsa Atletico Madrid fitoi 2-0 duelin e kreut ndaj Sociedad falë golave të Hermoso dhe Marcos Llorente të shënuar në pjesën e dytë. Atletico Madrid është kryesuesja e La Ligas me 32 pikë./Përgatiti Andi Kapxhiu