Milani i fashuar. Trajneri Massimiliano Allegri foli para ndeshjes kundër Fiorentinës, e cila vlen për raundin e shtatë në Serie A. Livornezi ka thënë se pas ndeshjeve të kombëtareve, ekipi i tij ka disa probleme. Rabiot, Pulisic dhe Estupinian nuk do jenë të gatshëm për këtë duel, teksa do vlerësohet gjendja e Nkunku.

 "Do t'i kemi Rabiot dhe Pulisic jashtë deri në pushimin e ardhshëm ndërkombëtar, Estupinan do të jetë jashtë dhe Nkunku është ende duke u vlerësuar për shkak të një problemi me gishtin e madh të këmbës. Të tjerët janë të disponueshëm, përfshirë Saelemaekers. Kemi lojtarë të mjaftueshëm për t'u përballur me ndeshjen e nesërme. E dimë që lëndimet janë pjesë e sezonit", tha mes të tjerash Allegri.

Trajneri i Milanit konfirmoi kështu se Rabiot dhe Pulisic do mungojnë disa javë për kuqezinjtë. Allegri u ndal edhe te kundërshtari, duke vlerësuar Fiorentinën.

"Të gjitha ndeshjet janë të vështira për t'u luajtur dhe për t'u fituar. Fiorentina ka cilësi të shkëlqyera. Ata kanë lojtarë në sulm që mund të shënojnë gola. Janë të stërvitur mirë dhe të organizuar. Meritonin më shumë pikë dhe për këtë arsye do të duhet të luajmë një ndeshje shumë të fokusuar, duke u përpjekur të përmirësojmë situata të caktuara, si në mbajtje topi ashtu edhe në presing. Ka shumë pikë për të marrë dhe duhet t'i marrim hap pas hapi", tha Allegri.