TIRANE - Sot, Kryeministri Berisha është takuar me Menaxherin e përgjithshëm të kompanisë TAP, z.Kjetil Tungland në kuadrin e firmosjes së gazsjellësit Trans-Adriatik në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

Z.Tungland shprehu mirënjohjen e tij për progresin e arritur në negocimin e Marrëveshjes Pritëse, bënë të ditur burimet zyrtare. Marrëveshja, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së projektit, përfshin parashikimet ligjore rreth aspekteve rregullatore e të lejeve, trajtimit ekonomik-fiskale, si dhe aspekteve mjedisore e sociale të projektit në territorin shqiptar. Z.Tungland shprehu mirënjohjen edhe për ratifikimin në Parlament të Marrëveshjes Ndërqeveritare mes Italisë, Shqipërisë e Greqisë rreth projektit të TAP-it. Të dyja marrëveshjet e arritura janë pjesë themeltare të paketës në mbështetje të aplikimit të TAP pranë Konsorciumit të Shah Deniz-it.

Kryeministri ritheksoi angazhimin e qeverisë shqiptare në mbështetje të plotë të projektit të TAP- it. Ai shprehu bindjen se projekti TAP është projekti më fizibël i plotësuar më të gjithë kuadrin dokumentar të një cilësie të lartë, i nevojshëm për shqyrtim nga Konsorciumi i Shah Deniz-it.

Konsorciumi i Shah Deniz-it pritet të japë vendimin përfundimtar për përzgjedhjen mes projekteve TAP e Nabucco brenda qershorit 2013.

Marrëveshjen në fjalë e nënshkroi sot ministri i sapoemëruar i Ekonomisë, Florion Mima: “Jam i lumtur që firma ime e parë si ministër do të përkthehet në miliarda euro investime për vendin dhe vende të reja pune",- tha Mima.

Nga ana e tij, drejtori menaxherial i këtij projekti ,Kjetil Tungland, u shpreh se falë këtij projekti Shqipëria mund të përfitojë miliona euro investime.

Gazsjellësi Trans Adriatik, projekti i të cilit nëse miratohet do të sjellë gazin natyror nga fusha e Shah Deniz 2 në detin Kaspik, në Evropën Perëndimore ndërsa do kalojë edhe nëpërmjet territorit të vendit tonë.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)