Fishta, Konica e Noli ja pse i
mbanin mëri njëri-tjetrit

Fishta, Konica e Noli ja pse i<br />mbanin mëri njëri-tjetrit
TIRANE- Gjergj Fishta lindi më parë se Konica e Noli, dhe u nda nga jeta më shpejt, në moshën 69-vjeçare (1871-1940); Faik Konica lindi 4 vjet mbas Fishtës dhe vdiq dy vjet pas tij, pra, jetoi dy vjet më pak (1875-1942); Fan S. Noli vjen në jetë respektivisht 11 dhe 7 vjet mbas tyre dhe qe më jetëgjatë (1882-1965): vdiq në moshën 83-vjeçare.

Përse kjo matematikë e thjeshtë? Sepse të tre janë në kulmin e veprimtarisë së tyre atdhetare kur shpallet Pavarësia e Shqipërisë (1912).  Të tre janë gurë themeltarë të godinës kulturore e të vetëqeverisur të shqiptarëve. Por dy të parët u ekskomunikuan brenda kufijve të shtetit shqiptar për gati një gjysmë shekulli, ndërsa të tre u përfolën sa qenë gjallë dhe “post mortem” deri në ditët e sotme, kush më shumë e kush më pak.

U dënuan nga të huajt me “persona non grata” apo me dënime kapitale në mungesë nga të vetët, mbi kurrizin e të cilëve të huajt galuc ishin (dhe janë) ulur. Fishtës as eshtrat nuk ia lanë rehat, ia nxorën nga varri për t’ia humbur gjurmët përjetësisht, ndërsa Konicën e lanë 6 vjet mbi dhe, sepse nuk i dhanë leje varrimi në Atme apo Atdhe, fjalë këto që nuk po ua dinin më kuptimin as ata që i kishin krijuar.

Nga një këndvështrim tjetër, Fishta, Konica e Noli janë tre gjentelmenë të konstitucionit shpirtëror shqiptar, që letërsinë në atë gjuhë (shqipe) e ngritën në nivele të krahasueshme me gjuhët e tjera të zhvilluara të kontinentit të vjetër. Por vepra e Fishtës, duke qenë shkruar (dhe receptuar) në vend të vet, peshon, si ai guri i rëndë, në vend të vet. Prandaj, mendoj unë, vepra e tij (dhe emri) është goditur më tepër, shpesh herë, duke ia kundërvënë edhe Konicën dhe, po e po, Nolin.

Në fakt, po të merrnim në konsideratë vendlindjen, banimin dhe përkatësinë fetare, do ta kishim më të lehtë të argumentonim diferencat dhe kundërtitë ndaj njëri-tjetrit, si janë rrekur të bëjnë disa autorë të kohëve të fundit me Konicën e Nolin. Dhe kjo mund të ndodhte, pra, në shumësinë e rrethanave të paqarta që kalonte aso kohe (por edhe sot) Shqipëria, domosdo që do të gjenden diferenca në qëndrimet e tyre.

Kjo mund të ndodh edhe pse secili në vetvete ka qenë një personalitet me individualit të spikatur. Por diferencat nuk do të mund t’i kundërvinin ata për shkak të përkatësive fetare (Fishta-katolik, Konica-mysliman, Noli-ortodoks), as për shkak të prejardhjeve krahinore (Zadrima e Fishtës në veri; Konica e Faikut në jug, madje, jashtë kufijve shtetërorë; Ibrik-Tepeja e Nolit edhe më tej, e jo vetëm jashtë kufijve shtetërorë, por edhe më tutje, në kufijtë e Greqisë me Turqinë): Shqipëria e tyre bashkonte të gjithë shqiptarët e trojet shqiptare e jo disa banorë të ndarë sipas krahinave e përkatësive fetare, aq më pak, kur secila krahinë kërkonte të zotëronte ndaj fqinjëve të vet një hije sundimi, që dikur ia kishin njohur lloj-lloj pashallarësh me shtatë a më shumë tuje.
 
Diferencat
Do të doja të shtoja, me këtë rast, se unë nuk jam aspak dakord me ata disa që diferencojnë preferencat a qëndrimet politike të intelektualë tanë të së kaluarës (edhe të sotëm): Fishta, “françeskan” dhe antikomunist; Konica, “bejlurçinë” dhe socialiste; Noli “psalt ortodoks” dhe komunist. Unë nuk ndaj të njëjtin qëndrim as me ata disa që Konicën, për ta hedhur poshtë (dje) apo për ta ngritur lart, e etiketojnë si bashkëpunëtor të Zogut; Nolin, dikur për ta ngritur e sot për ta hedhur poshtë, e gjuajnë me nofkën peshkopi i kuq, që Patriarkana e Stambollit ia kishte ngjitur qysh në 10-vjetshin e parë të shekullit të kaluar; ndërsa Fishtën e lakojnë (dje dhe sot) se ka pranuar pushtimin fashist, e sajime të tjera gjithfarëshe. Jo vetëm që nuk jam dakord, por dua të shtoj me një fjalor të drejtpërdrejtë se të tjerë i shërbyen dhe ia lëpinë këmbët monarkut të tyre diktator apo cilitdo “regji” të komshiut donator, dhe të tjerë përfliten e vazhdojnë të ekskomunikohen në forma nga më të rafinuarat deri në ditët e sotme.

Për Konicën, Nolin dhe Fishtën është gjithmonë aktuale thënia e këtij të fundit (e Fishtës): “Ne nuk e bëmë Shqipërinë që ta gëzojmë, por gëzojmë që Shqipëria u bë”, thënie e cila tingëllon njësoj në gojën e secilit prej tyre.
 
Vlerësime të ndërsjella
Për Gjergj Fishtën, Konica “ishte njëri nga shkrimtarët me kulturë më të gjerë të të gjitha kohëve, ‘arbiter elegantorum’ i letërsisë shqiptare”(Starova, f.15), ndërsa Noli, “i përnderueshmi Theofan”, siç e quan Fishta, kishte botuar një histori popullore për Skënderbeun (1921), “një libër, i cili në çdo pikëpamje, mund të thuhet se asht një visar fort i çmueshëm i literaturës sonë” (Vepra 9, f.390). 

Nga ana e tij, Faik Konica për Fishtën ka shkruar: Gjergj Fishta “është më tepër se një poet; ai ka qenë për një çerek shekulli një prijës intelektual i shquar. At Fishta e ka provuar dorën në çdo degë të letërsisë, me poezi, drama, komedi, dhe gjithmonë me sukses” (Vepra, f.489), ndërsa për Nolin Konica ka shkruar: “Pa dyshim, shkrimtari i sotëm shqiptar më i rëndësishëm është hirësia e tij, peshkopi Fan S.Noli, reformator i kishës, gojëtar, udhëheqës politik, kompozitor muzike dhe njeri me shumë dhunti të tjera, i cili ka botuar përkthimin shqip të disa pjesëve të Shekspirit...”(Vepra, f.488).

Fan Noli, nga ana e vet, i njeh Konicës tri karakteristika të pamohueshme në dobi të çështjes kombëtare dhe  e cilëson “krijues i prozës moderne shqipe”. Sa i përket Fishtës, Noli kishte një respekt të veçantë e besim të padiskutueshëm për gjithë veprimtarinë e tij. “I kam thanë At Fishtës [...],- i thotë ai në një takim Gjeçovit,- të jeni të sigurt se mendjen e zemrën e kam për bashkimin me Kishën Katolike”(Publicistikë, f.98).

Noli atëherë ishte kryeministër. Dëshmia e Gjeçovit (ditari i tij, 1924) na intrigon të mendojmë se Fishta, kur udhëtonte për Tiranë, takohej me Nolin, me të cilin diskutonin kokë më kokë për çështje me rëndësi të veçantë, siç ishte aso kohe (ndoshta edhe sot) Kisha Unite Shqiptare.

Shtjefen Gjeçovin e kishin mik të përbashkët edhe Fishta me Konicën. Ndërkohë që Konica ishte në Shkodër (1913) takohej çdo ditë me Fishtën në kuvendin e fretërve dhe, kur ky i fundit e grishi t’i bënin një vizitë Gjeçovit në Gomsiqe, ai pranoi me kënaqësi, megjithëse do t’i duhej të udhëtonte 8 orë mbi kalë. Po kështu, mund të sjellim nëpër mend se me Nolin Fishta kishte edhe një mik tjetër të përbashkët, Luigj Gurakuqin.

Ndërsa ata të dy, Fishta dhe Noli, kanë pasur një mirëkuptim të pazëshëm, që u ka qëndruar gjithnjë pezull, sidomos gjatë kohës që ishin në Parlament (1921-1924) si dhe kur Noli drejtoi qeverinë e dalë nga Revolucioni i Qershorit. Sa i përket Konicës dhe Nolit, ata kishin shumë miq (dhe armiq) të përbashkët, pasi jetonin në ShBA, së paku, që nga viti 1909 kur Konica, veshur me fustanellë shqiptare, iu shfaq Nolit në Boston. 
 
Nëse do të përmblidhnim nga tre vlerësime me rëndësi kombëtare për secilin, si bëri Noli për Konicën (“tri karakteristika të pamohueshme”), do të kishim:
I. Noli (sipas Konicës): (1) Reformoi ose themeloi Kishën Autoqefale Shqiptare dhe qe peshkopi i para i saj; (2) udhëhoqi opozitën dhe u bë kryeministër i Qeverisë së parë Demokratike të Shqipërisë; (3) qe shkrimtar i rëndësishëm e përkthyes i madh, historian e eseist, poet e kompozitor.

II. Konica (sipas Nolit): (1) Është një ndër pionierët e pavarësisë dhe të fletorisë kombëtare; (2) zbuloi flamurin e Skënderbeut dhe lartësoi trashëgiminë etnokulturore të shqiptarëve; (3)  qe mjeshtër i prozës dhe, veçanërisht, i eseistikës në gjuhën shqipe, dhe jo vetëm.

III. Fishta (sipas Konicës etj): (1) Kryesoi komisionin e alfabetit të unifikuar të shqipes në Kongresin e Manastirit; (2) qe një prijës intelektual i shquar që ndikoi për ta bërë Shkodrën (dhe Shqipërinë) kryeqendër kulturore të shqiptarëve; realizoi gjuhën shqipe si gjuhë më simi në shkolla; ka provuar dorën në çdo degë të letërsisë... dhe gjithmonë me sukses; (3) u dhuroi shqiptarëve veprën madhore “Lahuta e Malcis për të cilën punoi 35 vjet.

Ata të tre (Fishtën, Konicën dhe Nolin) i ka bashkuar përherë qëndrimi opozitar e  kritik, vizioni i palëkundur për një shtet demokratik dhe modeli perëndimor i tij. Prandaj ishin kaq shpotitës e ironikë (deri në grotesk) ndaj kujtdo që me bëmat dhe mosbëmat e veta komprometonte të ardhmen e shqiptarëve: pa kursyer të madh a të vogël.
 
Bleni i parë i “Lahutës së Malcis” (5 këngë) u botua në Zarë (1904/5) me ndërmjetësimin e Konicës, ashtu si krijimet letrare të hershme të Fishtës u botuan nga Konica në revistën e tij “Albania”, duke nisur me esenë “Një hije e zezë”(1899).


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 28 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?