Fitër Bajrami po kremtohet sot në Kosovë, duke sjellë atmosferë feste, reflektimi dhe bashkimi pas përfundimit të muajit të Ramazanit. Manifestimi qendror u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ku besimtarët falën namazin në orët e para të mëngjesit, ndërsa dita vijoi me vizita familjare dhe respektim të traditave.

Në mesazhin e tij, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, e cilësoi këtë ditë si një moment gëzimi, por edhe reflektimi për besimtarët.

“Të nderuar vëllezër e motra, sot është ditë e Bajramit, ditë e gëzimit, falënderimit dhe shpërblimit për ata që e përjetuan Ramazanin me besim dhe përkushtim. Është ditë kur në shpirtra Allahu shfaqet dhe zemrat mbushen me dritë e qetësi”, tha ai, duke theksuar se Ramazani shërben si një shkollë që mëson durimin dhe vetëpërmbajtjen.

Atmosfera e Bajramit në Kosovë mbetet e lidhur fort me familjen dhe traditat. Qytetarët e shohin këtë ditë si një moment bashkimi dhe afrimi me njëri-tjetrin, përmes vizitave dhe tryezave të përbashkëta.

“Në këtë festë të madhe të botës islame përzemërsisht anë e mbanë globit ju uroj këtë festë me urimin që të mbretëroj harmonia… Traditat janë ato që kanë qenë përpara… është traditë të shkojmë e të bëjmë Bajram me të afërmit”, u shpreh një qytetar pjër Kosovapress, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së zakoneve ndër breza.

Në të njëjtën linjë, edhe liderët politikë e kanë vendosur theksin te solidariteti dhe kujdesi për njëri-tjetrin.

Kryeministri Albin Kurti, në mesazhin e tij, uroi besimtarët dhe theksoi se kjo festë duhet të shërbejë si moment reflektimi për shoqërinë

“Mirëmëngjes dhe me fat të gjithëve Fitër Bajrami! Uroj që agjërimi dhe lutjet tuaja të jenë pranuar. Në këtë ditë Bajrami, kur mëshira zbret dhe zemrat pastrohen, le të kujtojmë se fëmijët janë amanet i shenjtë. Kujdesi i vërtetë nuk lind nga shërimi, por nga mbrojtja – në ushqimin që u japim, në trupin që ua mbrojmë dhe në dijen që ndriçon mendjen e shpirtin e tyre. Le të mos presim sprovën për të treguar mirësi, respekt dhe përkushtim ndaj fëmijëve” tha ai

Edhe Presidentja Vjosa Osmani e lidhi mesazhin e saj me bashkimin dhe afrimin mes njerëzve.

“Ju uroj të gjithë qytetarëve me fat festën e Fitër Bajramit… duke shpresuar që kjo ditë të na bëjë të gjithëve bashkë, t’i hapë zemrat dhe dyert e secilit, ta rrisë solidaritetin dhe vlerat njerëzore. Ky bashkim dhe hapja e zemrave na ka ndihmuar që t’i tejkalojmë kohë shumë të rënda për shtetin dhe kombin tonë” tha ajo. 

Në të njëjtën frymë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e përshkroi këtë festë si kurorëzim të një muaji sakrifice dhe durimi.

“Në këtë ditë të Fitër Bajramit urova Myftiun Tërnava, si dhe qytetarët e Kosovës të besimit islam, për festën që kurorëzon një muaj të sakrificës, përkushtimit dhe durimit. Muaji i Ramazanit na mëson mirësinë, ndërsa Fitër Bajrami na mëson se si ta ndajmë këtë mirësi me të tjerët”, tha ajo.

Në këtë linjë ishte edhe Bedri Hamza, i cili e vendosi theksin te ndihma për familjet në nevojë.

“Në këtë ditë të bekuar, mendja dhe zemra jonë janë veçanërisht pranë atyre që kanë më shumë nevojë. Bajrami është kujtesë për solidaritetin, për dorën që zgjatet dhe për kujdesin ndaj njëri-tjetrit. Le ta ndajmë gëzimin me familjet në nevojë, me të moshuarit dhe me çdo qytetar që ka nevojë për mbështetje”, u shpreh ai.

Edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e pa këtë ditë si një kujtesë për vlerat që mbajnë bashkë shoqërinë.

“Me fat Fitër Bajramin! Lutje dhe agjërim të pranuar për të gjithë besimtarët që, me përkushtim, durim dhe besim në Krijuesin, përmbyllën këtë muaj të shenjtë”, tha ai.

Abdixhiku theksoi se festa sjell në qendër solidaritetin, faljen dhe kujdesin për tjetrin, sidomos për ata që janë në vështirësi. “Janë këto vlera që e forcojnë shoqërinë tonë dhe e bëjnë më të mbarë edhe shtetin tonë”, u shpreh ai, duke uruar më shumë unitet, mirësi dhe shpresë për Kosovën.