Kryebashkiaku i sapo zgjedhur i Mirditës, Albert Mëlyshi nga koalicioni Berisha-Meta ka pasur një kërkesë disi të pazakontë për kryeministrin. Ai e ka ftuar në një takim kryeministrin. 

Në një reagim në rrjete sociale, Mëlyshi nuk i kursen falenderimet për ata që e votuan, ndërsa shprehet i vetëdijshëm që pesha e kësaj detyre ka filluar që sot për të.

“Motra dhe vëllezër Mirditorë, nga zemra dhe nga mendja, JU FALEMINDERIT për besimin tuaj! Jam i vetëdijshëm që pesha e kësaj detyre fisnike ka filluar pikërisht sot për mua. Pushteti i Kryetarit të Bashkisë do të jetë në dispozicionin e secilit prej jush, në shërbimin tuaj, në mesin tuaj, çdo ditë të mandatit tim!”

Ai falenderoi për urimet edhe kundërshtarin socialist, ndërsa një ftesë për kafe e kishte për kryeministrin Edi Rama, siç shkruan “për projekte të rëndësishme që dua t’i paraqes sa më parë për zhvillimin e Mirditës.”

“Falenderoj z. Dedaj për urimet! Njerëzisht dhe profesionalisht i uroj suksese dhe mbarësi! Rinovoj ftesën time ndaj Kryeministrit të Shqipërisë për një kafe në Rrëshen, si djalë i mirë e si Kryetar Bashkie i mirë, për projekte të rëndësishme që dua t’i paraqes sa më parë për zhvillimin e Mirditës. Faleminderit Mirditë! Së bashku, për ditë më të mira!”.- shkroi ai.

Kërkesës së Mëlyshit, Rama iu përgjigj duke thënë se si fillim ka shumë takime dhe shumë punë për të bërë duke nisur nga transformimi i Shkodrës.