TIRANE - Çështja çame duket se e ka fituar betejën e saj të parë politike në Kuvendin e Shqipërisë. Kuvendi i Shqipërisë, pasi ka "shkundur" arkivat e tij dhe ka kryer hetimet, ka dalë në konkluzionin se rezoluta e 8 prillit 2004 për çështjen çame është miratuar dhe do të hyjë në fuqi zyrtarisht nga Parlamenti me botimin në Fletoren Zyrtare

PDIU e vlerëson këtë akt dhe vendim me rëndësi juridike dhe politike. PDIU sqaron se "teksti i asaj rezolute ka shumë ngjashmëri me tekstin e propozuar nga PDIU-ja: ajo kërkon heqjen e ligjit të luftës, kthimin e shumë të drejtave dhe lirive njerëzore për shtetasit shqiptarë në përgjithësi dhe çamët në veçanti. E çertifikuar dhe riaktivizuar sot, kjo rezolutë shënon ripohimin e vullnetit të Parlamentit për çështjen came si një çështje që ekziston dhe që duhet zgjidhur medoemos. Tani qeveritë e ardhshme kanë për detyrë që t’i përmbahen vullnetit Sovran të parlamentit dhe nuk mund ta injorojnë më këtë çështje të rëndësishme kombëtare.

Rezoluta për çështjen çame , e propozuar konsensualisht nga Komisioni i jashtëm i parlamentit në 8 prill 2004, do të hyjë në fuqi brenda pak ditësh me botimin në Fletoren Zyrtare- ky është konfirmimi i kryetares së Parlamentit zonjës Jozefina Topalli, bërë dy deputetëve të PDIU-së, zotit Shpëtim Idrizi dhe zotit Dashamir Tahiri. Kjo përgjigje e saj vjen pas hetimit të kryer nga administrata e Kuvendit të Shqipërisë, në bazë të së cilës është konkluduar se rezoluta e vitit 2004 është e miratuar. (shikoni bashkangjitur rezultatin e hetimit parlamentar )Kryetarja e Kuvendit, znj. Jozefina Topalli e ka dërguar tashmë për botim, pas kërkesës zyrtare të dy deputetëve të PDIU-së, z. Shpëtim Idrizi dhe z. Dashamir Tahiri.

Kjo përgjigje e kryetares së Parlamentit të sotëm, e cila ka fuqi të rishikojë gabimet proceduriale të legjislaturave të mëparshme, në momentin e hyrjes në fuqi, ka rëndësi jo thjesht juridike, por dhe politike.PDIU e vlerësoi këtë vendim si një vendim historik që detyron shtetin shqiptar të trajtojë çështjen çame në axhendën zyrtare".

Partia Drejtësi, Integrim e Unitet thekson se "nxjerrja nga pluhurat e harresës së atij teksti resolute për të cilën shoqata Camëria bëri shumë përpjekje duke u përgjakur me policinë ka kështu një rëndësi simbolike. Presioni dhe këmbëngulja e palëkundur e PDIU-së çoi në shkundjen e parlamentit shqiptar dhe në demaskimin e një përpjekje për të shtrembëruar dhe fshehur miratimin e rezolutës çame në 2004 akt ky që përbën një shkelje të rëndë dhe paprecedentë. Prandaj PDIU do të kërkojë në një moment të përshtatshëm krijimin e një komisioni hetimorë për të sqaruar e zbardhur rrethanat dhe përgjegjësit e fshehjes së rezolutës së miratuar".

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)




PDIU vazhdon të mbetet e mendimit se miratimi i rezolutës është beteja e parë e fituar në luftën e saj për zgjidhjen e çështjes came. Ajo do t’i bëjë presion partive të mëdha që t’I përmbahen kësaj rezolute, sepse megjithëse kanë kaluar shumë vite, shumë pak është bërë për zgjidhjen e kësaj çështjeje.



Rezoluta nuk është qëllim në vetëvete: ajo është mjeti për të arritur tek qëllimi: zgjidhja e plotë e çështjes came, restaurimi i gjithë të drejtave të komunitetit martir çam dhë vënia në vend e dinjitetit kombëtar shqiptar. Konfirmimi i miratimit të kësaj rezolutë përbën një hap të madh e të rëndësishëm në drejtim të përmbushjes së këtij qëllimi të madh e fisnik.