Fitoret e përditshme të Bamir Topit

Fitoret e përditshme të Bamir Topit
Mjaftuan tre javë për të kuptuar vlerën e Bamir Topit në Presidencë. Kur në zyrën e tij po hynte Bujar Nishani kishte ende optimistë që shpresonin se ajo e 24 korrikut nuk ishte ceremoni pushtimi. Pastaj Berisha mori SHISH-in dhe gjëra u sqaruan. Pastaj Ministri i Mbrojtjes shkarkoi gjithë Shtabin e Ushtrisë dhe u kuptua që i emëruari në krye të Shtetit nuk ka pushtet as sa një ministër.

Ai vlen 500 milionë lekë dhe një rritje rroge. Të paktën për këto që ka bërë deri tani se vlera mund t’i rritet në nëntor kur të pushtohet Prokuroria, apo kur të emërohen anëtarët e Gjykatës Kushtetuese apo Gjykatës së Lartë. Nuk dihen datat kur këto do të ndodhin, por me siguri 100 – vjetori i Pavarësisë do ta gjejë Shqipërinë të kontrolluar nga Sali Berisha. Bamir Topi 7 vjet më parë mund të zgjidhte t’i bënte të gjitha këto. Buxheti i Shtetit kishte më shumë lekë dhe çmimi do të ishte shumë më i lartë. Ai mund të gëzonte një Presidencë të pasulmuar nga Qeveria. Mund të sillej mirë dhe ta shtonte në vend që ta pakësonte buxhetin. Zgjedhja e vështirë e Topit, e varfëroi presidencën por i dha dinjititet, ruajti institucionet e pavarura nga pushtimi, megjithëse nuk mund t’i ruante nga sulmet. Të gjithë kërkonin më shumë nga Presidenti, por sot mund të thuhet që ai ka bërë vërtet shumë.
Duke mbrojtur institucionet, Bamir Topi ka bërë edhe një shërbim për Sali Berishën, e ka maskuar atë. Duke patur pengesën e pakapërcyeshme të Presidentit, kryeministri nuk e mori dot SHISH-in, nuk e kontrolloi dot Prokurorinë, nuk i pushtoi dot plotësisht gjykata. Kjo situatë e bënte drejtimin e tij thuajse normal për një vend me demokraci të re dhe imazhi i tij i ndërtuar pa mund në ’92-’97 nuk dukej i njëjtë. Me ikjen e Topit dhe emërimin e Nishanit, ra maska. Berisha – Kryeministër është i njëjtë me Berishën – President. Tani i ka kushtet të jetë.

Shqipëria do të shkojë drejt zgjedhjeve të përgjithshme me Prokurori partiake, me Shërbim inteligjence partiak, me gjykata partiake dhe me polici partiake. Të gjitha këto janë hallka të rëndësishme në proçesin zgjedhor, përpara dhe pas votimit. Ata që do të ruajnë qendrat dhe kutitë e votimit do kenë teresën e PD-së, ata që do të shqyrtojnë ankimimet do të kenë teserën e PD-së dhe ata që do të proçedojnë penalisht prishësit e zgjedhjeve do të kenë teserën e PD-së. Një ushtri e drejtuar nga Berisha do të quhet Shtet, ndërsa opozita do të kërkojnë rotacionin pas 8 vjetësh.
Reagimi i opozitës nuk mund ta përmirësojë situatën. Në këtë pikë u pa qartë që as paralajmërimet apo reagimet e ndërkombëtarëve nuk vlejnë më. Kërcënimet për dështimin e integrimit nuk kanë më vlerë për Berishën. Ai nuk priti as përgjigjen e Brukselit në tetor për të marrë Shtetin. Emëroi në krye të SHISH një nga bashkëdrejtuesit e Gazidedes, një nga demaskuesit e “destabilizimit amerikan” të Shqipërisë në vitin 1997. Ndaj ky emërim, më shumë se mosmirënjohje për mbështetjen që Washingtoni i dha Shqipërisë për anëtarësimin në NATO, duket si hakmarrje.
Ndërsa këto ndodhin dhe Berisha mbledh thërrimet e Shtetit që po shkallmon, aksionet e Bamir Topit ngrihen. Ish – presidenti që në shtator do të rifillojë jetën politike, ka me çfarë të krenohet. Çdo pushtim institucioni nga Berisha i jep kapital politik Bamir Topit, tregon qartë se kush kishte të drejtë në konfliktin 5-vjeçar, u jep përgjigje akuzave që i bëheshin Presidentit nga të gjitha krahët. Ish – presidenti do të jetë më i besueshëm kur t’u premtojë shqiparëve Institucione të pavarura dhe kur t’u garantojë partnerëve ndërkombëtar luajalitet. Duke marrë Shtetin, Berisha po krijon me duart e veta një kundërshtar gjithmonë e më të fortë brenda së djathtës. Ndërsa merr institucionet që mbrojnë votën, ai humbet votat. Ndoshta ditën e zgjedhjeve do të shërbejnë më shumë institucionet e pushtuara se votat. Zgjedhjet lokale në Tiranë ishin një provë që kontrolli i institucioneve nga militantët mund të sfidojë rezultatin e votimit.
Me rikthimin e Bamir Topit në politikë dhe me marrjen e gjithë institucioneve nga Berisha, rikthehet statusi politik i vitit ’96. Atëherë, përveç Partisë Socialiste, një parti e qendrës së djathtë, Aleanca Demokratike ishte opozitë kërcënuese për Partinë Demokratike. E përbashkëta e drejtuesve të AD atëherë me drejtuesit e FRD sot, është se paralajmëruan kërcënimin e Berishës për institucionet dhe demokracinë. PAD hyri në zgjedhje me ambicie të mëdha, por zgjedhje nuk pati. Institucionet e drejtuara nga militantët manipuluan me urdhër dhe proçesi u prish. Në vitin 2013, 17 vjet mbrapa, por prapë me Berishën, Shqipëria rrezikohet nga minitantët që kanë pushtuar institucionet.

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës