Fitorja e Berishës, përlotja e Bashës dhe misioni i përfunduar i PD

Fitorja e Berishës, përlotja e Bashës dhe misioni i përfunduar i PD

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Ndërsa ka mbetur pak më shumë se një javë nga mbajtja e Kuvendit të 11 dhjetorit të thirrur nga Sali Berisha, bazuar në firmat e 4200 delegatëve të forumit më të lartë të PD, situata në partinë më të madhe opozitare po përjetohet në mënyra të ndryshme.

Ish kryeministri demokrat po e bën fakt të kryer fitoren në Kuvend, që mund të konkludojë që pasditen e 11 dhjetorit apo të nesërmen me ndryshimin e statutit që hyn në fuqi menjëherë, me shkarkimin e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të PD.

Berisha po i mëshon fort faktit se mbështetja për të në bazë është e madhe dhe që tani po e ndjen veten drejtues zyrtar të PD. Në fakt ai aty ka qënë s’ka ikur asnjëherë dhe këtë e ka konfirmuar dhe Lulzim Basha në deklaratat e tij politike, teksa është shprehur se në 8 vite që ka qënë në krye të PD, të gjitha vendimmarrjet politike kanë qënë të diktuara nga hija e rëndë e Sali Berishës. E ka thënë dhe në ambasadën e SHBA apo ambasadat e tjera këtë gjë: “S’më lë doktori”!

Pavarësisht deklaratave të mëparshme të Bashës se vendimin për hyrjen në çadër, kompromisin për bashkëqeverisje me Edi Ramën përmes një qeverisje teknike në maj 2017, si dhe djegien e mandateve të deputetit, protestat e dhunshme përpara kryeministrisë dhe institucioneve të tjera,  dhe bojkotin e zgjedhjeve të përgjithshme vendore, kanë qënë vendime personale të tij, pakkush e beson një gjë të tillë.

Sali Berisha, maksimumi ka diktuar të gjitha lëvizjet e Bashës, vetë apo në mënyrë të tërthortë me mbështetësit e tij në forumet dhe strukturat drejtuese të PD, ose minimumi ka “hedhur gurin dhe fshehur” dorën duke e lënë Bashën të gabojë, për shkak dhe të ndikimit të këshilltarëve të këqinj nga brenda dhe jashtë partisë, që të udhëhequr nga motoja “u bëftë pa punuar”, e futën Bashën në rrugë pa krye, dhe detyruan të “trashë zërin” atëherë kur s’duhet, e të heshtë atëherë kur duhej të kishte uluritur.

Fundja tërë historia politike e Lulzim Bashës ka qënë e mbushur me dhurata nga të gjitha anët, dhe i përcjellë nga përfitimi i gjithçkaje “qyl”. Duke filluar që nga pagesa e shkollës në Holandë, vazhduar me punësimet në Kosovës, postet e rëndësishme në 8 vitet e qeverisjes së PD, shtuar këtu dhe kryetar i bashkisë së Tiranës e në fund 8 vite kryetar i PD në opozitë.

Pra, themi se Berisha e ka lënë vetë për të gabuar për të perifrazuar pak situatën e sotme në të cilën gjendet PD, që me drejtimin e Bashës në 8 vite nuk ka shënuar asnjë fitore, megjithëse janë bërë katër palë zgjedhje, dy parlamentare dhe dy vendore. Më 30 qershor 2019 Basha nuk hyri fare në zgjedhjet lokale, duke ia dhënë fitoren në tavolinë kundërshtarit politik.

Sali Berisha nuk është budalla, është më shumë se i djallëzuar dhe për këtë arsye ka parë tek Lulzim Basha një humbës kronik, i cili nuk arrin vetë asgjë, por është gati të zbatojë urdhëra nga më të çuditshmit dhe më monstruozët si “dysh”. Dhe këtë e ka vertetuar më se njëherë, duke filluar nga afera e Rrugës së Kombit, duke firmosur me sy mbyllur faljen e detit Greqisë, dhe duke u bërë pjesë e urdhërit sipas zinxhirit komandues për Gardën e Republikëss që vrau 4 demonstrues të opozitës më 21 janar 2011 në mes të Bulevardit qëndror, përballë kryeministrisë.

Për këtë arsye, përjashtimi nga Grupi Parlamentar i PD, pas shpalljes “non grata” familjarisht nga SHBA, mund të ketë shërbyer thjeshtë si pretekst që Berisha të nisë lëvizjen për marrjen dhe zyrtarisht të PD, me argumentin gati që të përthithej, sikurse po përthithet nga baza, se një lider partie që shënon humbje të njëpasnjëshme, nuk mund të qëndrojë më në krye të saj.

A është ndikuar Berisha nga interesi personal për të reaguar pikërisht pas përjashtimit nga grupi parlamentar ndaj Bashës që e realizoi këtë përjashtim me vendim personal?

Padiskutim që po. Madje është thjeshtë një interes personal i Berishës, i cili nuk e mësoi pas përjashtimit nga grupi parlamentar i PD se Basha nuk mund të sjellë opozitën në pushtet duke mundur Ramën. E ka ditur që në krye të herës se Basha nuk ka “stof” lideri, ia ka thënë dhe Jozefina Tolalli ballazi se Lulzim Basha është mashtrues dhe pa asnjë peshë politike. Por Berishës i voliste. Për të treguar dhe se pas tij askush tjetër nuk mund të sjellë PD-në në pushtet, për të treguar se është ai “baba” në PD dhe lëviz gurët sa herë të dojë dhe si të dojë.

Berisha e di fort mirë se fitorja e tij është si e “Pirros”, pasi PD nuk mund të vijë në pushtet me të kryetar, sepse i mungon diçka themelore: Mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë, e veçanërisht  SHBA-së. Ambasadorja Yuri Kim e tha qartë se PD duhet të ndahet nga e shkuara, duke nënvizuar shqip, sikurse kuptojnë dhe politikanët shqiptarë, se me një PD me kryetar Sali Berishën SHBA nuk do të ketë kurrë bashkëpunim.

Por Sali Berisha kërkon të jetë kryetar i PD, tjetër çfarë premton se do të bëhet kryeministër. Madje bën dhe premtime të sferës ekonomike e sociale. Guxon të deklarojë se do të luftojë me forcë korrupsionin, duke i habitur të gjithë, pasi Berisha është shpallur person “non grata” nga SHBA familjarisht pikërisht për korrupsion të theksuar.

Flet dhe për një drejtësi të re, por Berisha është shpallur i padëshirueshëm nga SHBA pikërisht për presionin ndaj drejtësisë për të shpëtuar familjarët e tij dhe aleatët nga akuzat për korrupsion.

Flet dhe për rikthimin e demokracisë në PD dhe në Shqipëri, por pikërisht ky është një ndër tre elementët bazë mbi të cilat SHBA u mbështet për ta shpallur “non grata”, teksa në arsyetimin e dhënë për këtë vendim nga DASH nënvizohet se “ka minuar demokracinë në Shqipëri”.

Prandaj themi se Sali Berisha ka si qëllim në vetëvete vetëm marrjen e drejtimit të PD, dëbimin e Bashës që e quan besëprerë, dhe futjen e vetes në rrethin e lidershipit, si interlokutor i vetëm në PD.  Me Berishën PD e ka prerë biletën në opozitë. Me Bashën e kishte prereë me kohë!

Po Lulzim Basha?

Eshtë një pyetje që gjithkush e ka bërë që në momentin kur Berisha nisi foltoret e tij për të hequr Bashën nga drejtimi i PD. Lulzim Basha që në krye të herës tregoi se nuk ka mbështetje në PD.

Tjetër gjë se ai thotë se e bëri për të kursyer Berishën nga injorimi, janë deklaratat fillestare të tij, dhe për të mos e përçarë PD në një përballje në bazë me “babain” e tij politik. Në të vërtetë PD është e përçarë, nuk përcaktojnë sa mbështetje ka secila palë në konflikt, pavarësisht sondazheve që e nxjerrin Sali Berishën me mbështetje mbi 60% në PD.

E vërteta e kulluar është se Lulzim Basha nuk ka qënë kurrë lider në PD dhe këtu nuk po themi asgjë të re. Madje dhe mënyra që zgjodhi për të mbajtur vulën e partisë përmes procedurave dhe mbrojtjes që mbështetësit e tij i bëjnë në perimetrin e ngushtë të Tiranës, në studio televizive apo ne rrjetin social, ka qënë më se e gabuar. Përballja të ngre ose të ul, jo “analiza” sintaksore dhe morfologjike e neneve të statutit të PD.

Basha nuk ka frikë bazën, nuk e gjen gjë pasi nuk i ka bërë ndonjë të keqe asnjë demokrati përpos që i la rrugëve për 12 vite në opozitë, por i trembet sallave bosh. Pasi nuk ka mbështetje, dhe do të shihej publikisht se Basha nuk është kryetar i PD por “qeveris” vetëm selinë qëndrore të saj në Tiranë. Dhe atë vende vende.

Lulzim Basha kurrë nuk ngjiti në PD, s’patikurrë një “kimi” me partinë që drejtoi për 8 vite. Atë e kanë parë si një “mish të huaj” që në vitin 2005 kur u katapultua në strukturat drejtuese të PD dhe prej këtij viti, mori postet më të rëndësishme në qeverisjen e PD si dhuratë nga Berisha, Ministër Transportesh, ministër i Jashtëm, ministër i Brendshëm, kryetar bashkie në Tiranë dhe në fund kryetar i PD.

Sa herë që ka humbur, votimi i demokratëve na kujton ato ndeshjet e boksit, kur njëri nga boksierët është urdhëruar të humbë, dhe meqë kundërshtarin e ka të dobët por është i detyruar të përballojë goditjet, sheh me dhimbje nga sponsori shenjën që të rrëzohet. Kështu dhe demokratët, sa herë i kanë dhënë votën Bashës pas humbjeve të njëpasnjëshme, sytë i kanë pasur nga Berisha, dhe kanë votuar për humbësin.

Ndaj në momentin e parë që Berisha reagoi ndaj Bashës, theksojmë për interesin e tij thellësisht personal, si me komandë të gjithë u vunë kundër kreut aktual të PD, duke ia thënë të gjitha “nëmët” që i kishin të grumbulluara për 8 vite me radhë, e shumëkush dhe për 16 vite.

Edhe Lulzim Basha është i bindur që e ka humbur përballjen me Berishën për postin e kryetarit të PD. Në të vetmen përballje televizive nga distanca, në një nga mediat më të shikuara në vend, reagimi i Bashës ishte tepër i vakët, kapitullues dhe shpeshherë kur atij vinte ndonjë pyetje konkrete nga paneli i gazetarëve, përgjigjej me lot në sy. Sikur i kishin ngrënë hakun!

I përlotur, përmes frazave të përgjithshme, po demonstronte se ishte braktisur nga PD, nga forumet dhe strukturat dhe vetëm pak vetë i kanë mbetur afër. Dhe ata më shumë se i rregullojnë punë, i prishin. Dikush mund të na thotë se kur ka qënë deklarata e fundit e kreut të grupit parlamentar të PD Alfred Rrushaj, i cili po hesht. Nuk do që të përzihet, pasi nuk e akuzojmë se po pret nga do të anojë peshorja e fitores. Por dhe ai ka bindjen e tij për fituesin.

Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi, tashmë ka më shumë hallin e tij, pasi vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan dy ditë para zgjedhjeve të 25 prillit dhe në prezencë të tij, nga “grupi i gatshëm” i PD, po e rëndon politikisht dhe juridikisht deri në zbardhjen përfundimtare të tij. Madje dhe akuzat e LSI se Bardhi deklaronte në çdo takim se do të bëhej ministër i Brendshëm.

Ndërkohë që dhe deklaratat e Bardhit por dhe mbështetësve të tij se Berisha i ka marrë me dhunë dhe presione firmat e delegatëve për Kuvendin e 11 dhjetorit, përmendim dhe akuzat për Juel Çelën apo të tjerë, konfirmon se lidershipi zyrtar i PD është i bindur se Berisha i ka këto firma. Me dhunë apo pa dhunë, delegatët më 11 dhjetor do votojnë çfarë të dojë Berisha në Kuvendin e PD. Pra dhe largimin e Bashës e mbështetësve të tij nga drejtimi dhe strukturat e PD.

E thënë me pak fjalë, si Basha ashtu dhe mbështetësit e tij e kanë pranuar se Sali Berisha ka qënë gjithnjë në krye të PD, më 11 dhjetor vetëm e merr dhe zyrtarisht këtë parti, duke e ditur madje se dhe SHBA e ka kundër. Fundja Berishës vula e PD i duhet, aq i nevojitet për hallet personale.

Ndërsa për Kuvendin e 18 dhjetorit të thirrur nga Basha, mund të themi se ka pak gjasa për t’u bërë për shkak të kuorumit. Madje dhe justifikimi se janë marrë  firmat e delegatëve të Kuvendit të 11 dhjetorit me dhunë nga Berisha, do të shërbejë dhe si bazë për të justifikuar dështimin e 18 dhjetorit, pra që janë penguar me dhunë delegatët për të qënë pjesë e tij.

Në fund, ajo që mund të themi është se vetmja që humb në këtë mes është PD. Demokratët të gjendur në mes të dalldisë së nismës për largimin e Lulzim Bashës, njeriut që për ta nuk e sjell PD-në në pushtet, nuk kanë menduar asnjë sekondë se çfarë do të bëhet më pas me këtë parti. E cila rrezikon të ndahet, sado e vogël të jetë pjesa e Bashës që largohet, nëse ka nerva ta kryesojë këtë pjesë dhe nuk ikën në Holandë. Me sa duket më shumë i besojnë një të ngrituri nga “varri” siç është Berisha, se sa një të “linduri i vdekur”, politikisht themi, siç është Basha.

Ndaj PD rrezikon të ketë fatin e simotrave të saj në Europën Lindore që lindën pas shembjes së komunizmit e qeverisën në momentet e tranzicionit politik në vendet respektive, për t’u shuar më pas. Sot nuk ekzistojnë si parti efektive, emrat e tyre mund të gjenden vetëm përmes “motorit” të kërkimit Google. Kështu ndodhi në Poloni, në Ukrainë, në Bullgari, Rumani. Janë shembur apo minimizuar dhe parti të mëdha dhe traditcionale si Demokristinët italianë apo PASOK-u grek.

E thënë më thjeshtë, ato e përfunduan misionin e tyre dhe u shkrinë si parti. Me Berishën i njëjti fat do ndjekë dhe PD, misioni i saj do të quhet i përfunduar. Berisha thotë se do ta rithemelojë PD, gjë e pandodhur ndonjëherë në botë që “rithemelimi” të realizohet nga i njejti person, që pas 30 vitesh të rithemelojë partinë e tij.

Nëse Berisha “hap” krahun pas largimit të Bashës dhe nxjerrjes së inatit për besëprerje ndaj tij, për ndonjë “djalë Hawardi”, nuk është pa të tillë PD, madje kanë qënë dhe ekselentë dhe moshën mbi 35 vite e kanë, atëherë mund të ndodhë rihemelimi dhe riformatimi i PD, për të vazhduar misionin. Ndryshe ky mision ka përfunduar për të, sa të jetë gjallë Berisha.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ben: 30/11/2021 23:27

    Berishen do tavarimne shkop e si dordolec te trembe sorrat

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë