Ben Blushi: FITORJA E KOSOVËS

Ben Blushi: FITORJA E KOSOVËS

Homazhet për efektivin Afrim Bunjaku i vrarë të dielën në krye të detyrës nga grupi serb

Kosova mori një fitore të papritur, por të merituar, kur ishte në një ditë të keqe për shkak të lodhjes së Perëndimit që nuk po e zgjidh dot ngërcin mes saj dhe Serbisë. E izoluar dhe e lënë vetëm nga aleatët e vet natyralë, Kosova gjeti aleatë aty nuk e priste :tek kundërshtarët e saj. Ata i bënë një dhuratë që ajo do ta shijojë për një kohë të gjatë. Serbët i dhuruan Kosovës provën e padiskutueshme se e kanë sulmuar pabesisht ndërkohë që ajo ishte ulur në tryezë për të biseduar. Në asnjë kod lufte, ai që pranon të bisedojë, nuk sulmohet pas shpine dhe serbët e shkelën këtë kod.

Qëllimi i atyre që e sulmuan ishte i qartë: të krijonin në Kosovë një vatër konflikti të armatosur, e cila do t'i jepte mundësi Serbisë të fitonte avantazh në bisedime. Dekori i këtij zjarri, tymi i të cilit do arrinte menjëherë në Washington dhe Moskë, ishte perfekt: disa serbë të sulmuar nga policia që fshihen në një manastir, aty rezistojnë bashkë me priftërinjtë dhe pelegrinët e pafajshëm, për t'i dhënë mundësi gjithë botës të shikojë sesi Qeveria Shqiptare e Kosovës trajton pakicat etnike dhe fetare. Ky operacion konsiderohej një spastrim etnik.

Meqë manastiri ishtë në mes të fshatrave, nuk përjashtohej që dhjetëra fshatarë serbë, të mblidheshin aty për të mbrojtur vëllezërit e rrethuar nga shqiptarët, në territorin e shenjtë të Banjskës. Nga krahu tjetër i kufirit, në Serbi, thirrjet për të ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë do ktheheshin në ulërima dhe Presidemti lunatik i Serbisë, do ia shiste shtrenjtë Perëndimit përpjekjen e tij të mundimshme, për të qetësuar popullin e revoltuar serb. Në shkëmbim, do kërkonte dicka më shumë në tavolinën urgjente të bisedimeve, ku ai do shkonte si viktimë dhe Kosova si agresor. Ndoshta autonominë e Veriut të Kosovës, çka do ishte një hap më shumë se asosacioni i komununave serbe që diskutohet sot. Republika Serbska e Kosovës do ishte themeluar në atë manastir, të djelën e 24 shtatorit 2023. Kjo Republikë kishte dëshmorët e vet të vrarë nga shqiptarët, priftërinjtë ortodoksë do ta pagëzonin,ndrësa ndërkombëtarët do ta negocionin në pushimin mes dy sulmeve ruse në Ukrainë.

Nëse ky ka qenë plani që ka dështuar, do të thotë se Kosova ka qenë me shumë fat. Horoskopi i historisë së popujve njeh ditë me fat për ata që janë në krahun e të drejtës, siç është edhe rasti i Kosovës.

Megjithatë kjo fitore nuk është vetëm një fitore e fatit, por edhe e shtetit të Kosovës. Jo vetëm ata që e kanë sulmuar Kosovën, por edhe ata që e kanë dashur dhe e duan, kanë dyshuar gjithmonë në aftësinë e saj për t'u mbrojtur. Ky dyshim i kthyer në bindje ishte arsyeja që 40 serbë të armatosur u sakrifikuan në atë mënyrë, duke besuar se ata mund ta mundnin lehtësisht mbrojtjen e një Republike të vogël dhe pa përvojë ushtarake siç është Kosova.

Por ajo që ndodhi ishte e paimagjinueshme. Pa patur nevoëjn e Kforit, Kosova i neutralizoi serbët e armatosur me një operacion kirurgjikal, të denjë për manuale të ndërhyrjes së shpejtë. Republika e Kosovës bëri atë që do bënte cdo republikë tjetër kur sulmohet me armë :ajo të ndjek, të gjen, të rrethon dhe të vret. Në këtë betejë të fituar me gjak ajo la një të vrarë, por vrau më shumë nga pala tjetër.

Një ditë më parë, kjo ndërhyrje kaq efikase, as mund të imagjinohej. Dyshimet se Kosova ka aftësi të mbrohet dhe të vetëqeveriset kanë qenë armiku i saj kryesor. Nga dita e djelë ato janë fashitur. Serbët, që kur nisen në Kosovë sillen sikur po shkojnë në një gjueti lepujsh, do mendohen mirë nëse hyjnë më në përplasje fizike me forcat e shtetit të Kosovës.

Në 25 vitet e fundit, Kosova ka fituar mbi serbët si një popull, por asnjëherë si shtet. Në vitin 1999 shqiptarët u ngritën si popull kundër shtetit serb dhe me ndihmën e Perëndimit i mundën. Ndërsa të djelën, Kosova i mundi serbët si shtet dhe për më tepër i mundi vetëm, pa ndihmën e askujt. Prandaj Kosova ka arsye ta festojë këtë ditë si një fitore të Republikës së vet. Atëherë kur duhej Republika e Kosovës funksionoi dhe mbrojti territorin e saj, çka përbën detyrën e parë të cdo Republike.

Tani Kosova mund të shkojë në bisedime më e fortë dhe më e pavarur. Natyrisht që kurthet e historisë nuk kanë mbaruar këtu. Ato vazhdojnë. Kundërshtarët e saj kanë marrë një goditje, por nuk janë tërhequr. Diplomacia është terreni ku duhet mundur Serbija. Në këtë fushë, Kosova ka kufizimet e veta, si çdo Republikë e re, e vogël, e varfër dhe pa përvojë. Megjithatë fitorja e Banjskës që u arrit me gjuhën e armëve do tia lehtësojë edhe gjuhën e diplomacisë dhe këtë kosovarët e dinë mirë. Por tani edhe serbët e dinë shumë mirë.

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë