'Fitorja' e Pirros së PD

'Fitorja' e Pirros së PD

Kreu i PD-së Lulzim Basha

Ajo ç’ka bëri Lulzim Basha me zgjedhjet e stisura në Partinë Demokratike, ishte edhe kësaj here, një maskaradë, që do ti kushtojë në të ardhmen jo atij si person, por asaj force politike. Rezultati i “zgjedhjeve” në atë parti, ishin shansi i humbur, për të ribashkuar, riformuar dhe ridimensionuar politkisht atë forcë të zgërlaqur politike. Ajo ç’ka arriti Basha ishte një “fitore” si e Pirros. Ai sot ka të drejtën të shpallet “mbreti pa ushtri” i Partisë Demokratike, por duke harruar se, ka larguar qindra e mijëra anëtarë dhe militantë të cilët prisnin me padurim largimin e Lulit nga posti i pamerituar dhe ndryshimin e madh. Komisioni Zgjedhor dhe kryetari Gjana, zgjodhën ti binden përulësisht diktatit të (ish) kryetarit, dhe masakruan procesin. Duke mos harruar se, edhe rivalët e Lulit nuk ishin as bindës dhe as shpresëdhënës tek shumica e anëtarëve të asaj partie. Nga sot e tutje, Luli ka “fituar” një tjetër mandat si kryetar PD, por nuk dihet sa do ti zgjasë, në rast se do të kemi parasysh deklaratën e fundit të Sali Berishës. Edhe Doktorit, i është rizgjuar “oreksi” për të “ushtruar të drejtën e tij në parti” pas vendimin nga DASH. Kjo do të thotë se, në rast se ai do të ngrihet një mëngjes me mëndjen e mbledhur top se, “duhet të rikthehem në postin e kryetarit të PD”, atëhere ëndërra e Lulit mbaron me kaq.

Ajo çka po ndodh aktualisht brënda asaj partie, është e dhimbshme për ata që dikur ishin themeluesit e saj, kontribuesit e saj, dhe që në vite u larguan me dhunë nga Berisha dhe pastaj nga Basha, duke u shpallur si “armiq të saj”. Zgjedhjet e sapombyllura në Partinë Demokratike, ishin treguesi më negativ i ecurisë shkatërrimtare pas të cilës fshihet dora e Lulit dhe Saliut. Mbi 70 per qind e anëtarësisë në shkallë vendi në atë parti, ose u ndaluan të votojnë, ose u blenë me premtime boshe, për të votuar Lulin. Nga sot e tutje, është detyrim moral i çdo rivali që kandidoi përballë Lulit, të dalë dhe të sqarojë anëtarësinë e asaj partie, për sinqeritetin dhe vërtetësinë e garës. Nuk mjafton të thuash se “kishte mangësi, na përjashtuan vëshguesit”, por të deklarojnë publikisht dhe në detaje vendimin e tyre postzgjedhor. Asnjë nga anëtarët e asaj partie, (pjesa e pablerë) nuk bindet plotësisht në reagimet gjysmake të Kadillit, Harxhit dhe Shehajt, në rast se nuk sqarojnë pozicionin e tyre këtej e tutje. Në rast se ata kanë vendosur të bashkëjetojnë politikisht me një kryetar fiktiv partie, i pazgjedhur nga shumica e anëtarësisë, në rast se ata këtej e tutje e konsiderojnë Lulin “kryetar i rizgjedhur” atëhere duhet të besojmë se mes tyre dhe atij ka patur një pazar të mbyllur.

Nuk mund të qëndrosh brënda një partie me një kryetar të pavotuar, për hir të “idealit”, apo se na qenke “qëndrestar”. Askush nga anëtarësia nuk të beson më në “Manifestin për ringritjen e partisë”, kur pranove të garosh në kushte të pabarabarta, edhe pse justifikohesh me argumente aspak bindëse. Nga sot Partia Demokratike ka në krye të saj humbësin serial, kryetarin e pavotuar nga shumica e bazës, njeriun e akuzuar nga shumica e drejtuesve të asaj force politike si “pazarexhi kalibri në dobi të interesave personale dhe në dëm të interesave të Partisë Demokratike”. Do ta vlerësoja fitoren e Bashës, në rast se do të ishte e lirë, e drejtë, dhe pa dëme të konsiderueshme për atë parti, duke i kujtuar atij deklaratën e Pirros pas fitores me dy ushtritë romake dhe humbjeve të mëdha kur tha se “edhe një betejë tjetër si kjo, dhe më duhet të kthehem i vetëm në Epir”. Pra, edhe një betejë e humbur elektorale (gjë e cila është e sigurtë edhe në 2025) dhe Lulzim Basha do të kthehet i vetëm në Hollandë, duke lënë pas në “fushëbetejë” një parti të shkatërruar plotësisht.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Putin dhe ëndrra për Ukrainën si një shtet kukull i Moskës! Plani i tij për të pranuar armëpushimin

Putin dhe ëndrra për Ukrainën si një shtet kukull i Moskës! Plani i tij për të pranuar armëpushimin