Ndërsa Holanda feston fitoren e kryeministrit Rutte, Ankarja nuk e ndal retorikën e saj sulmuese duke thënë se kontinenti po shkon drejt një lufte fetare.

Pak orë pasi kryeministri Rutte u shpall fitues i zgjedhjeve parlamentare, ministri i jashtëm turk Cavusoglu u shpreh se të gjitha partitë kishin të njëjtat pikëpamje me partinë anti BE dhe anti islame të Wilders.

“Ku po shkoni”, u shpreh ministri turk duke iu drejtuar politikanëve europianë.

“Ku po e çoni Europën. Ju po e futni në kolaps kontinentin.Së shpejti në Europë do të ketë një luftë fetare” shtoi Mevlüt Çavuşoğlu.

Prej pak ditësh Holanda dhe Turqia janë 'ftohur' diplomatikisht për shkak se zyrtarët holendezë kanë ndaluar që politikanët turq të zhvillojnë tubime për komunitetin turk në kuadër të referendumit i cili synon ta shndërrojë Turqinë në republikë presidenciale.

Për këtë arsye Erdogan e ka cilësuar Holandën mbetje naziste duke pezulluar komunikimin zyrtar me të.

Ndërsa BE ka dënuar retorikën e ashpër të Turqisë jo vetëm ndaj Holandës.

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com