Botërori/ Kombëtarja bën autokritikë, mposht 3-0 Andorrën dhe merr vendin e dytë në grup! Tifozët revoltë kundër FSHF-së

Botërori/ Kombëtarja bën autokritikë, mposht 3-0 Andorrën dhe merr vendin e dytë në grup! Tifozët revoltë kundër FSHF-së

Kombetarja kundër Andorrës

FT/ Shqipëri 3-0 Andorra (Manaj 9', 19', Uzuni 90+2')

TIRANË - Kombëtarja shqiptare e futbollit mposhti 3-0 Andorrën në "Arenën Kombëtare" dhe merr vendin e dytë në Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026. Pas humbjes 2-0 me Anglinë tre ditë më parë në Londër, kuqezinjtë reaguan dhe siguruan tri pikët e para në misionin për ëndrrën e madhe të finaleve të një Botërori.

REVOLTA E TIFOZËVE - Ndeshja u karakterizua nga revolta e tifozëve të Kombëtares kundër presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Tifozat Kuq e Zi dhe "Illyrian Elite" nisën sharjet në kor kundër Dukës dhe pas vetëm tre minutave lojë u larguan nga tribuna e tyre, për t'u rikthyer në minutën e 35-të.

Gjithçka vjen si shenjë proteste pas një përplasje mes tyre prej disa javësh tanimë, pasi FSHF-ja vendosi që të gjitha biletat për ndeshjet e Kombëtares të dalin në shitje online, duke përjashtuar nga biletat e dedikuara për anëtarët ultras të Kombëtares, që janë Tifozat Kuq e Zi, të cilët kanë pasur një numër prej tyre në çdo sfidë. Kjo lidhet me faktin se TKZ i dolën kundër FSHF-së në lidhje me bashkorganizimin e Euro 2027 për moshat deri në 21 vjeç me Serbinë.

Veç protestës në stadium dhe thirrjeve kundër Dukës, TKZ para ndeshjes protestoi para selisë së FSHF-së.

NDESHJA - Kundër një rivali të lehtë në letër, Shqipëria e nisi ndeshjen më së miri dhe Rey Manaj pas nëntë minutash lojë përfitoi nga asisti i Asllanit duke zhbllokuar ndeshjen dhe bërë që tifozët të gëzonin. Sërish Manaj në të 19 minutë shënoi golin e dytë të ndeshjes dhe të dytin personal, kjo pas pasimit të Brojës.

Duket se Manaj e ka Andorrën kundërshtar të preferuar pasi i kishte shënuar edhe në 2019. Tanimë lushnjari e çon në 9 shifrën e golave për kuqezinjtë, një më pak se legjendat Sokol Kushta apo Igli Tare. Pas kësaj minute ekipi i Sylvinhos kontrolloi lojën dhe shënoi golin e tretë me Uzunin në shtesën e dytë.

Pas Anglisë e cila ka gjashtë pikë (fitoi edhe kundër Letonisë), Shqipëria me tre pikë merr vendin e dytë dhe tanimë mendja është në ndeshjen e radhës, ajo kundër Serbisë më shtatë qershor në Tiranë.

Komentet më të rëndësishme të ndeshjes:

90+4' Mbyllet 3-0 ndeshja në Tiranë.

90+2' GOOL! Myrto Uzuni shënon golin e tretë.

75' Qazim Laçi dhe Armando Broja dalin nga fusha, në lojë Adrion Pajaziti dhe Myrto Uzuni.

67' Gjimshiti i lë vendin Marash Kumbullës.

62’ Tre zëvendësime tek Andorra. Largohen Rubio, Rosas dhe Rebes, për t’i lënë vendin Rodrigo, Fernandez dhe Da Silva.  

56' Rey Manaj shpërdoron një mundësi të mirë shënimi. Sulmuesi nuk shfrytëzon si duhet një top të marrë nga Asllani në zonë.

46' Nis pa zëvendësime pjesa e dytë.

45' Mbyllet 2-0 pjesa e parë.

30' Ndeshja luhet me një portë, Shqipëria kontrollon lojën.

26' 'Shpërthim' i Arbër Hoxhës nga e majta. Pasimi i tij në zonë ndalet nga portieri Alvarez.

19' GOOL! Armando Broja bën 'lëmsh' mbrojtjen mike dhe asiston për Manajn i cili shënon edhe golin e dytë.

9' GOOL! Rey Manaj kalon Kombëtaren në avantazh.

3' Tifozat Kuq e Zi shajnë në kor Armand Dukën, kreun e FSHF-së për shkak të problemeve me biletat e dedikuara për ta. Pas vetëm tre minutash lojë ata së bashku me 'Illyrian Elite' braktisën stadiumin, ku u rikthyen pas minutës së 35-të. 

1' Nis ndeshja me topin e parë shkelmuar nga miqtë. 

Pragndeshja:

Tifozët - Para ndeshjes me Andorrën në 'Arenën Kombëtare', grupimi Tifozat Kuq e Zi është drejtuar për në stadium, por këtë herë rruga ishte e ndryshme. Ata janë ndalur përpara godinës së Federatës Shqiptare të Futbollit për të protestuar kundër këtij institucioni pasi nuk kanë arritur të marrin bileta për herë të parë pas 21 vitesh.

Ata vendosën disa banderola në rrethimin e godinës, ndërsa të bashkuar si gjithmonë, ju drejtuan stadiumit 'Arena Kombëtare', aty ku do të jenë të parë në mbështetje të djemve kuqezi në këtë përballje të dytë eliminatore për Kupën e Botës. Protesta vijoi edhe në stadium, ku TKZ dhe "Illyrian Elite" shanë në kor Armand Dukën, kreun e FSHF-së dhe më pas braktisën ndeshjen pas tre minutash nga nisja.

Emrat e lënë jashtë - Simon Simoni, Andi Hadroj dhe Etnik Brruti do e ndjekin sërish ndeshjen nga tribunat e stadiumit. Në bazë të rregullores së UEFA-s, Sylvinho do duhet të ketë të gatshëm vetëm 23 futbollistë për ndeshje, me tre emrat më sipër që janë të sakrifikuarit.

Duke qenë se trajneri kishte në grumbullim 26 lojtarë, një lëvizje e tillë ishte e pashmangshme. Bie në sy se edhe ish-kapiteni i Kosovës U-21, Etnik Brruti i cili u afrua me zhurmë te kuqezinjtë mbetet sërish jashtë për ndeshjen e dytë, pasi të njëjtët e ndoqën ndeshjen nga tribunat e ‘Wembleyt’ kundër Anglisë.

Historia - Mes dy skuadrave janë luajtur tetë përballje në histori, ndërsa numërohen gjashtë fitore për kuqezinjtë, një barazim dhe një humbje. Fitorja e parë ka qenë një ndeshje miqësore në vitin 2000, ndërsa më pas u mposhtëm në Andorrë me rezultatin 2-0.

Sërish ishte një miqësore në 2010 që pa Shqipërinë fituese, ndërsa dy ndeshjet kualifikuese të Europianit 2020, ekipi ynë fitoi në transfertë 0-3, ndërsa ndeshja në shtëpi përfundoi në barazim 2-2. Dy duelet e fundit për kualifikueset e Botërorit 2022 panë Shqipërinë që të triumfonte, të dyja me rezultatin minimal 1-0.

Formacioni - Trajneri i Kombëtares hodhi në fushë një formacion sulmues dhe skema e lojës ishte (4-3-3). Nga ndeshja kundër Anglisë porta dhe mbrojtja nuk ndryshuan, teksa mesi i fushës i përket Asllanit, Laçit dhe Julian Shehut. Ky i fundit për herë të parë është pjesë e ekipit dhe debuton me fanellën kuqezi. Në sulm Broja dhe Hoxha nga krahët, në mbështetje të Manajt.

Ndeshja u gjykua nga austriaku Sebastian Gishamer.

Formacionet zyrtare:

Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Balliu, Ajeti, Gjimshiti, Aliji; Asllani, Laçi, Shehu; Broja, Hoxha, Manaj. Trajner: Sylvinho

Andorra (4-5-1): Alvarez; Bora, Garcia, San Nicolas, Cervos; Babot, Rebes, Julian Rubio, Marc Garcia, Olivera; Rosas. Trajner: Koldo Alvarez

Renditja në Grupin K

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:41
'Vlerë kishte rezultati', Kristjan Asllani: Shehu më ngjan në fushë, shumë teknik


Kristjan Asllani foli pas ndeshjes që Kombëtarja fitoi 3-0 në Tiranë kundër Andorrës.

“Rezultati ishte gjëja kryesor. Sot kishim topin, ndryshe nga Anglia. Kemi luajtur që nga fillimi dhe sigurisht që arritëm të bënim mirë.

3-shja me Shehun? Gjithë skuadra ka bërë mirë. Është një futbollist shumë teknik. U gjenda shumë mirë. Luajmë thuajse njëlloj para mbrojtjes. Bëri një ndeshje shumë të mirë dhe gaboi shumë pak.

Pse tenton të godasësh vetëm me të majtën? Nuk e tentoj gjithmonë. S'e di pse kur godas topi shkon ashtu larg. Duhet të përmirësohem se kështu nuk bën.

Ritual para ndeshjes? Unë nuk kam asnjë, jam shumë i qetë dhe bëj më të mirën”, tha ai për Supersport.

Ora 23:36
Debutimi si kuqezi, Julian Shehu: Ëndërr e bërë realitet, Sylvinho më habiti


Julian Shehu ishte debutues në fitoren 3-0 të kombëtares shqiptare kundër Andorrës. Mesfushori i Uidleu Lodz në Poloni foli për 90 minutat e para me Kombëtaren.

"Për mua, e kam thënë edhe më përpara, ishte një ëndërr e bërë realitet në momentin që mora ftesën. Sot nuk e prisja kur më tha trajneri, isha shumë i habitur dhe në të njëjtën kohë shumë i lumtur për këtë debutim timin por gjithashtu shumë i lumtur edhe për fitoren pasi kjo na jep shtysë  akoma që të besojmë për ëndrrën që ne të shkojmë përpara në Botëror.

Më sulmues - Mund të bëhem në të ardhmen, por kjo është ndeshja e parë normale që ndeshja e parë ka ato emocionet e veta ose do që shumicën e kohës të jesh më i sigurt. Jo që nuk provova përpara, por në momentet që eipi i Andorrës mbyllej shumë mbrapa, nuk kishte shumë hapësira,ishte më mirë që të  luanim thjesht deri në momentin që të gjenim hapësira të shkonim përpara sesa ta humbnim topin, kjo është ajo që po mendonim në lojë", tha ia për Tv Klan.

Ora 23:28
Goleadori Manaj: Ëndrra jonë është Botërori, me Asllanin kuptohem mirë


Rey Manaj ka shënuar nëntë gola me Kombëtaren, dy nga të cilët kundër Andorrës në fitoren 3-0. Pas ndeshjes ai tha se ëndrra e të gjithëve është Botërori.

“Me Asllanin gjendemi në fushë, patëm edhe 2-3 raste të tjera, kemi një komunikim të mirë dhe njihemi në fushë. Unë shpresoj gjithmonë të vazhdoj me këtë ritëm. Ndaj Anglisë ishin lojtarët më të mirë në botë, zhvilluam një ndeshje të mirë, edhe sot ishte një ndeshje e vështirë, është e vështirë t’i çash kur janë 10 veta mbas topit.  

Trajneri gjithmonë kërkon që të fitojmë kur futemi në fushë. Tani do të ikim me fitore me pushime deri në qershor. Shumë ekipe kanë çaluar me Andorrën. Sot e menaxhuam situatën mirë, jam i kënaqur për të gjithë çunat, për rikthimin e Brojës, për Hoxhën që luajti nga fillimi, për Uzunin që shënoi, për të gjithë. As në klub dhe as në Kombëtare, nuk duhet të ketë rival. Uroj që të shënojë sa më shumë gola Broja, rëndësi ka që Kombëtarja të eci dhe të fitojmë ndeshjet.  

Të gjithë e kemi si ëndërr që të shkojmë në Botëror. Duhet të shikojmë ndeshjet e radhës”, deklaroi Manaj për Supersport.  

Ora 23:22
Broja: Shpresoj të kaloj Bogdanin me gola, luaj në çdo pozicion në sulm


Sulmuesi Armando Broja foli pasi Kombëtarja fitoi 3-0 kundër Andorrës. Broja e nisi ndeshjen titullar, kjo në një pozicion të ri në krahët e sulmit.

“Isha pak i lodhur në fund. Luajta 75 minuta. Nuk luaja shumë minuta për një kohë të gjatë. Sot isha i lumtur sepse e nisa nga fillimi dhe dola mirë nga fusha. Jam i lumtur që morëm 3 pikët. Më kishte munguar publiku. Tifozët na japin një mbështetje të madhe. Isha shumë i kënaqur që jam kthyer me ekipin dhe të luaj disa minuta.

Bogdani është legjende për Kombëtaren dhe shpresoj ta kaloj me gola një ditë. Kur kam qenë i vogël tek Akademia e Chelsea, kam luajtur gjithmonë në sulm, në të majtë në të djathtë. Jam një lojtar që luaj me topin. E dinim sot që Andorra do linte pak hapësira, është e vështirë për të depërtuar.

Unë jam i kënaqur që trajneri më dha mundësinë për të luajtur në fushë dhe jam i kënaqur që dhashë diçka për tifozët.

Trajneri më dha lirmshmëri gjatë ndeshjes, për të mos e ditur kundërshtari se ku jam në fushë. Në pjesën e parë krijova. Qejf kam të bëj shumë gola. Goli do vijë, por unë jam i kënaqur që jam kthyer fizikisht dhe erdhi fitorja.

Trajneri i merr vendimet se kush luan. Sot vendosi që të luaja në krah. Unë mund të luaj në çdo pozicion në sulm”, deklaroi Broja.

Ora 23:10
'Skemën e ndryshuam pa bërë stërvitje', Sylvinho: Ndoshta Broja luan në këtë pozicion


Trajneri i Kombëtares, Sylvinho foli pas ndeshjes që Shqipëria fitoi 3-0 kundër Andorrës. Ai tha se Broja mund të luajë sërish në krahët e sulmit, teksa skema 4-3-3 u përshtat pa asnjë stërvitje.

“Edhe unë e djemtë jemi të lumtur. E meritonim fitoren që të ktheheshim në garë në grup. Çdo gjë është e shpejtë, kemi bërë mirë. Jam krenar për lojtarët. Kemi ndryshuar pak skemën dhe funksionoi shumë mirë.

Ndryshimet - Zëvendësimet varen nga ndeshja. Ndoshta ndonjë ndeshje mund të bësh 4-5. Unë mendoj se sinqerisht, nëse bën 4-5 zëvendësime, ndryshon gjithçka. Zakonisht më pëlqeu edhe diçka tjetër, që e kemi respektuar ekipin e tyre, ata janë njerëz që luajnë me dëshirë dhe kemi bërë mirë.

Ata kanë një bllok të ulët shumë të mirë. Dua t’i bëj komplimente Shehut i cili bëri një ndeshje të mirë, në ekuilibër. Për të vendosur një kundër një në krah, Broja është shumë i fortë. Ne mundohemi të shohim lëvizjet, Broja mund të përshtatet shumë mirë, e ka bërë edhe më parë. Hoxha nga ana tjetër, ishin skuadër që mund të hapnin ndeshjen. Për fat bëmë mirë, ata kanë bërë një ndeshje shumë të bukur.

A mund të përdoret Broja kështu me ekip më të fortë? E shohim që ai në të kaluarën ka bërë atë rol shumë mirë. Duhet të përdorim karakteristikat e lojtarit dhe është shumë i fortë, ka lëvizje në thellësi, ai bën hyrje në zonë se është shumë i fortë. Varet nga kundërshtari, mund të përshtatet se ka gjithçka, forcë, teknike, ka gol. Përtej kundërshtarit, varet nga ekuilibri i skuadrës. Nëse e ekuilibrojmë mirë skuadrën në nivel mbrojtës, në Angli ai bëri 30 minuta shumë të mirë.

Në sulm ishte e vështirë, se ata luanin me bllok të ulët, ata qëndrojnë gjithmonë aty, bëjnë mirë, me zemër, duhet respektuar gjithmonë. Me Letoninë tri pikët i fituan me një goditje standarte vendasit. Mund të bëhej ndonjë pasim i gjatë i Asllanit. Por është e vështirë, që nuk e kishim bërë asnjëherë këtë, pa asnjë stërvitje, kemi bërë mirë, pa stërvitur duke provuar diçka. Shehu hapi mirë lojën, bëri që skuadra të shkonte para me topin kur kalonte mesfushën”, tha Sylvinho për TV Klan pas ndeshjes.

Ora 23:09
Qazim Laçi: Mund të shënonim më shumë se tre gola


Mesfushori Qazim Laçi foli pas fitores 3-0 të Shqipërisë kundër Andorrës.

“Ishte një ndeshje e rëndësishme dhe donim të fitonim. Besoj goli i parë hapi të gjithë lojë, 3 gola janë 'okej'. Mund të kishim shënuar edhe më shumë, por fitorja është ajo që ka më shumë rëndësi. Ishte pak e vështirë të luanim në mesfushë sepse kundërshtari po mbrohej. Unë ndenja mes linjave për të hapur hapësira për Brojën ose për Manaj. Kishte momente që hapja lojën kur më jepej topi”, u shpreh Laçi.

Ora 23:00
Berat Gjimshiti: Ishim pak të lodhur, kjo ishte një përgjigje që duhet të jepnim


Pas fitores 3-0 të Kombëtares kundër Andorrës, foli edhe kapiteni Berat Gjimshiti.

“Ishte kjo përgjigja që duhej ta jepnim. Gjëja më e rëndësishme ishte të fitojmë. Ishim të lodhur nga udhëtimi, nuk kishim shumë kohë për ta analizuar kundërshtarin, por çunat kanë bërë një ndeshje mjaft të mirë”, tha Gjimshiti për SuperSport.

Ora 22:53
NOTAT/ Kombëtarja fiton një mesfushor, Gjimshiti e Strakosha të 'papunë'! Shkëlqejnë Manaj e Asllani


Pas fitores 3-0 të Shqipërisë kundër Andorrës, "SofaScore" ka vlerësuar edhe lojtarët në fushë. Më i miri padyshim ishte autori i dygolave, Rey Manaj, por edhe Kristjan Asllani.

Formë e mirë për debutuesin Julian Shehu, me kuqezinjtë që fituan një lojtar në mesin e fushës. Të "papunë" Gjimshiti edhe Strakosha në prapavijë. Paraqitje dinjitoze edhe për Hoxhën dhe Uzunin.

Ora 21:54
Përplasja me Federatën dhe çmimet e 'kripura', tifozët po braktisin Kombëtaren


Si rrallëherë në ndeshjet e Kombëtares stadiumi "Arena Kombëtare" nuk është në kapacitet maksimal. 22 mijë e 200 ulëse ka stadiumi më i mirë në Shqipëri, por mbrëmjen e 24 marsit në sfidën kundër Andorrës ishin vetëm 17.183 bileta të shitura, kjo sipas organizatorëve.

Në shumë pjesë të stadiumit ulëset ishin bosh, paçka se sfida vlente për kualifikueset e Kupës së Botës. Përtej emrit të kundërshtarit apo edhe humbjes së ndeshjes së parë kundër Anglisë, çmimet "e kripura" të biletave kanë bërë që shumë tifozë mos preferojnë shkallët e impiantit.

Një faktor kyç është edhe përplasja e FSHF-së me Tifozat Kuq e zi, grupimin e organizuar të Kombëtares. Këta të fundit akuzuan FSHF-në se i la pa bileta për sektorin e tyre të veçantë pas 21 vitesh nga krijimi.

Revolta e tyre u zhvendos para selisë së FSHF-së dhe më pas në stadium, ku në kor ofenduan Armand Dukën dhe më pas braktisën ndeshjen për 32 minuta.

Ora 20:57
Tifozat Kuq e Zi shajnë në kor Armand Dukën, braktisin ndeshjen e Kombëtares pas 3 minutash lojë (VIDEO)

Konflikti mes Tifozave Kuq e Zi dhe FSHF-së për mungesën e biletave për sektorin ultras ka bërë që tifozët e organizuar të Kombëtares dhe "Illyrian Elite" të shajnë në kor kreun e FSHF-së Armand Duka dhe pas vetëm tre minutave nga nisja e ndeshjes kundër Andorrës të braktisnin stadiumin "Arena Kombëtare" në Tiranë.

Para këtij momenti TKZ protestuan në dyert e FSHF-së dhe revoltën e sollën në stadium me të shara kundër Dukës, ndërsa më pas braktisën ndeshjen dhe stadiumi heshti.

Ora 20:37
Tifozët i 'zënë derën' FSHF-së, protestë para godinës së Federatës


Para ndeshjes me Andorrën në 'Arenën Kombëtare', grupimi Tifozat Kuq e Zi është drejtuar për në stadium, por këtë herë rruga ishte e ndryshme.

Ata janë ndalur përpara godinës së Federatës Shqiptare të Futbollit për të protestuar kundër këtij institucioni pasi nuk kanë arritur të marrin bileta për herë të parë pas 21 vitesh.

Ata vendosën disa banderola në rrethimin e godinës, ndërsa të bashkuar si gjithmonë, ju drejtuan stadiumit 'Arena Kombëtare', aty ku do të jenë të parë në mbështetje të djemve kuqezi në këtë përballje të dytë eliminatore për Kupën e Botës.

Ora 20:30
Tifozat Kuq e Zi dhe 'Illyrian Elite' sfidojnë FSHF-në, bëhen bashkë në stadium për Kombëtaren (VIDEO)

Konflikti mes grupimit të Tifozave Kuq e Zi dhe FSHF-së për biletat ka sjellë akuza mes palëve në javët e fundit. Tanimë Tifozat Kuq e Zi janë bashkuar me grupimin tjetër 'Illyrian Elite' dhe ndodhen në sektorin e tyre në "Arenën Kombëtare".

TKZ akuzoi FSHF-në se i hoqi të drejtën e biletave të dedikuara në sektorin e tyre, aty ku për 21 vite kanë mbështetur ekipin në çdo cep të botës ku Kombëtarja ka luajtur.

Paçka numrit jo shumë të madh sot në stadium, tifozët janë aty për ngjyrat kuqezi dhe si rrallëherë gjen vende bosh në "Arenën Kombëtare" kur luan Kombëtarja. Sot në 20:45 zhvillohet Shqipëri - Andorra.

Ora 18:56
VIDEO/ Atmosferë e vakët në Tiranë, s'ka grumbullim tifozësh para Shqipëri - Andorrë

Atmosferë e vakët në rrugët e Tiranës, paçka se në 20:45 në "Arenën Kombëtare" luhet Shqipëri - Andorrë e vlefshme për grupin K kualifikues në Kupën e Botës 2026.

Humbja me Anglinë dhe niveli i rivalëve ka bërë që kuqezinjtë mos jenë të shumtë në numër para ndeshjes në rrugët e kryeqytetit, kjo në mbështetje të Kombëtares.

Këtë "ftohtësi" e tregon edhe numri i biletave që ende nuk janë shitur dhe si rrallëherë stadiumi pritet mos jetë në kapacitetin maksimal. Në 18:00 stadiumi hapi dyert për tifozët.

Ora 17:15
FORMACIONET ZYRTARE/ Sylvinho luan me Brojën e Hoxhën nga minuta e parë, një debutues kundër Andorrës

Trajnerët Sylvinho dhe Koldo Alvarez kanë bërë publike formacionet zyrtare para ndeshjes Shqipëri - Andorra.

Trajneri i Kombëtares ka hedhur në fushë një formacion sulmues dhe skema e lojës do jetë (4-3-3). Nga ndeshja kundër Anglisë porta dhe mbrojtja nuk ndryshojnë, teksa mesi i fushës i përket Asllanit, Laçit dhe Julian Shehut (Widzew Lodz, Poloni). Ky i fundit për herë të parë është pjesë e ekipit dhe debuton me fanellën kuqezi. Në sulm Broja dhe Hoxha nga krahët, në mbështetje të Manajt.

Formacionet zyrtare:

Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Balliu, Ajeti, Gjimshiti, Aliji; Asllani, Laçi, Shehu; Broja, Hoxha, Manaj. Trajner: Sylvinho

Andorra (4-5-1): Alvarez; Bora, Garcia, San Nicolas, Cervos; Babot, Rebes, Julian Rubio, Marc Garcia, Olivera; Rosas. Trajner: Koldo Alvarez

Ora 16:49
Etniku s’grumbullohet sërish, Sylvinho dërgon në tribunë tre futbollistë para Andorrës


Trajneri Sylvinho ka dërguar në tribunë tre futbollistë para ndeshjes me Andorrën, të tre të njëjtë si në përballjen e humbur tre ditë më parë kundër Anglisë.

Simon Simoni, Andi Hadroj dhe Etnik Brruti do e ndjekin ndeshjen nga tribunat e stadiumit. Në bazë të rregullores së UEFA-s, Sylvinho do duhet të ketë të gatshëm vetëm 23 futbollistë për ndeshje, me tre emrat më sipër që janë të sakrifikuarit.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • dori: 24/03/2025 21:37

    Tifozët kuq e zi këta djem të mrekullueshëm që e ndjekin kombëtaren harxhojnë nga xhepi i tyre për të mbështetur ekipin duhet të mblidhen me një përfaqësi dhe ti bojkotojnë stadjumet në të gjitha ndeshjet deri sa të qëllohet Duka i drogës,rrugë tjetër nuk ka sepse ky çdo gjë e blen.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 26 Mars, 08:02

    Sa të rëndësishme janë zgjedhjet e 11 majit për integrimin në BE?



×

Lajmi i fundit

Fier/ Incident në ndeshjen e futbollit Apolonia-Gramshi për femra, Koço Kokëdhima shtyn dhe kërcënon gjyqtarin! Takimi duhej ndërprerë, por u rinis pas presioneve? (VIDEO)

Fier/ Incident në ndeshjen e futbollit Apolonia-Gramshi për femra, Koço Kokëdhima shtyn dhe kërcënon gjyqtarin! Takimi duhej ndërprerë, por u rinis pas presioneve? (VIDEO)