Fituan 3 medalje në Turqi, Veliaj pret atletët Luiza Gega e Izmir Smajlaj: Investojmë në sport, që të rinjtë të ndjekin modelin tuaj

Izmir Smajlaj dhe Luiza Gega, dy kampionët që na kanë bërë krenarë me arritjet e tyre sportive, kanë sjellë edhe 3 medalje të tjera për Shqipërinë nga Kampionati Ballkanik i Atletikës në Stamboll. Ata u takuan me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili u shprehu mirënjohjen për rezultatet e arritura dhe tha se Smajlaj dhe Gega janë dy modele që vlejnë të ndiqen nga të gjithë të rinjtë shqiptarë.

“Luiza dhe Izmiri kanë pasur një sezon fantastik dhe e kanë nisur me këmbë të mbarë vitin 2022 - një vit i veçantë për ne sepse Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë. Dy të rinjtë tanë model, kanë marrë medalje ari, respektivisht në kërcim së gjati dhe në garën 3 mijë metra, ku jemi shpallur kampionë Ballkanikë - Luiza për herën e tetë dhe Izmiri për herë të gjashtë. Çunat dhe gocat e Tiranës kanë dy modele për të ndjekur - një vajzë të mrekullueshme dhe një djalë të mrekullueshëm. Jam super krenar për ju! Fakti që vini me këto medalje në vitin ku Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë, do të thotë se çdo investim te rinia është një investim që ia vlen”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se investimet e Bashkisë së Tiranës në sport po japin çdo ditë e më shumë fryte, duke veçuar sidomos terrenet sportive, pistat e reja të vrapit dhe së fundmi, edhe pishinat e notit në zonën e Liqenit.

“Me rezultatet e Luizës dhe Izmirit provojmë se aty ku kemi investuar, jemi shpërblyer. Përmirësimi i statusit financiar, reformimi i Sport Klub Tirana me një lidership të ri, terrenet e reja, qoftë 'Fahrie Hoti', qoftë Parku Olimpik, qoftë pistat e reja që po bëjmë në natyrë - të gjitha këto ia kanë vlejtur. Kjo do të thotë se reforma në sport është e rëndësishme për çdo federatë. Sot ne kemi një marrëdhënie speciale me Federatën e Atletikës dhe historitë e suksesit të Luizës dhe Izmirit janë dëshmi e kësaj. Kemi një super histori me volejbollin dhe basketbollin, ekipet e Tiranës kanë dalë të parët në vend dhe po përgatiten për ndeshjet ndërkombëtare. Do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm edhe me futbollin, por shumë shpejt do të kemi lajme edhe për notin, ku do marrim në dorëzim pas 20 vitesh, të gjitha pishinat te zona e Liqenit,” deklaroi kryebashkiaku.

Smajlaj dhe Gega vlerësuan mbështetjen dhe investimin e bashkisë për sukseset e sportistëve elitarë.

“Jam krenar që përfaqësoj ngjyrat bardheblu në arenën ndërkombëtare. Ky sukses nuk do të ishte i mundur pa ndihmën tuaj kryetar, pa shefin e klubit dhe pa Komitetin Olimpik”, u shpreh Smajlaj.

“Jam shumë e lumtur që vazhdoj të mbaj titullin si kampione Ballkani për shumë vite, por kjo është falë mbështetjes që tashmë kemi nga klubi dhe nga bashkia. Sinqerisht, faleminderit për këtë, sepse sporti kërkon mbështetje, ndryshe nuk mund të mbash këtë nivel. Jam shumë e lumtur që do kemi edhe pistën, që kaq shumë e duam, dhe më në fund edhe Tirana do ta ketë një pistë të tillë,” tha kampionia Gega.

Të dy sportistët konfirmuan se objektivi i radhës janë Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

SI.E./Sh.Sh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Andi: 20/03/2022 12:47

    Si nuk i vjen turp! Tirana eshte i vetmi kryeqytet qe nuk ka mje piste atletike te standarteve nderkombetare. Nuk ke lene vend pa ndertuar, por nje piste nuk e ke bere. Kerko falje tek keta sportiste dhe shoket e tyre, mos shit pordhe!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen