“Kreu i ri i Bashkisë së Kavajës dalë nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, Fisnik Qosja, ka nisur punën e tij të parë si kryetar bashkie, duke dhënë leje për kioska në bregdetin e Golemit”.

E çuditshmja që vjen pas këtij lajmi, nuk është vizioni për zhvillimin e bregdetit me kioska, por fakti që një ditë më pas, teksa Report Tv bëri një vëzhgim në Golem në territorin ku sipas lejes, ishte ndërtuar kioska që u publikua edhe me foto në disa media, objekti prej druri rreth 8 metra katrorë, nuk gjendet më.

Kioska që tashmë është hequr, ishte vendosur pranë shëtitores kryesore të Golemit. Tashmë kanë mbetur vetëm disa blloqe druri të cilat kanë shërbyer për të niveluar kioskën në terrenin prej rëre.

Burime bëjnë me dije se kioska u hoq se nuk ishte e lëvizshme ndërsa leja ishte dhënë për kioskë që kishte mundësi për t'u lëvizur.

Kujtojmë se tashmë prej disa vitesh ka pasur disa aksione për lirimin e hapësirave publike nga kisokat në qendrat e qyteteve dhe zonat e plazhit, ndërkohë që fenomeni i kioskëzimit duket se rrezikon të rikthehet.