TIRANE- Të gjithë kandidatët për student të shpallur fitues në listat paraprake të fazës së parë duhet të bëjnë regjistrimin online deri në orën 24:00 të 22 shtatorit. Ashtu si edhe vitin e kaluar, studentët kanë dy opsione, të zgjedhin opsionin për të qëndruar në degën ku janë shpallur fitues në listën paraprake, ose të zgjedhin opsionin e vazhdimit të konkurrimit në një preferencë më të lartë. Nëse zgjedhin opsionin e zgjedhjes së degës ku janë shpallur fitues, studentët do të rezultojnë fitues në po këtë degë edhe në listën përfundimtare.
 
Ndërsa në rastin kur zgjedhin opsionin e vazhdimit të konkurrimit në një preferencë më të lartë, atëherë në listën përfundimtare studenti në varësi të pikëve që ka fituar do të rezultojë fitues në një degë tjetër. Nëse jo, atëherë ky student do të rezultojë në listën përfundimtare në po atë degë ku ka rezultuar fitues edhe në listën paraprake.
 
Në të dyja rastet, regjistrimin përfundimtar studenti do ta kryejë pranë sekretarive të Universiteteve në këtë program studimi nga data 01.10.2014 deri në datën 07.10.2014.
 
Të gjithë studentët duhet të bëjnë regjistrimit online, pavarësisht opsionit që do të zgjedhin, pasi nëse nuk regjistrohet online në fazën paraprake, fituesi e humbet të drejtën të shpallet fitues në listat përfundimtare në datën 29.09.2014.

Redaksia online
(e.s/shqiptarja.com)