Te nderuar Zonja dhe zotërinj,
Meqenëse është hera e parë që marr fjalën në këtë legjislaturë, dëshiroj ti uroj suksese të gjithë kolegëve deputetë të të gjitha partive politike parlamentare. Gjithashtu, dëshiroj të falënderoj të gjithë votuesit e zonës time në Rrashbull dhe në Durrës, që besuan te unë duke më dhënë votën përsëri. Dua ti garantoj ata që unë, pavarësisht se në opozitë, do të vazhdoj të mbroj denjësisht interestat e të gjithë qytetarëve pavarësisht përkatësisë politike.
Ashtu siç e do Kushtetuta dhe zakoni Kuvendor, sot ne duhej të diskutonim për Programin Qeverisës për 4 vitet që do vijnë, por në fakt duket se kemi si përmbajtje vecse versionin Rama të novelës “Harry Potter and the Chamber of Secretes”, në të cilën ndërthuren disa zhanre përfshirë: fantazinë për karrigen e kryeministrit, misterin e premtimeve te tij dhe histori triller që të mbajnë në suspansë kur lexon se si zerohet cdo gjë e mirë që bëri Berisha, si zhduken si me magji mbi 10 mije km rruge, 1300 shkolla, 400 spitale e 1500 klinika shëndetësore, qindra ujësjellës apo kanalizime. . .
Në novelën “Rama” ka edhe aventurë, ka edhe romancë, ku kabineti I dhëndërrit “Kryeministër” nuk largohet dot as nga veset! Në këtë libërth me “pulle të kuqe,” ku përdhoset dhe simboli i shqiponjës, martesa e tij qeverisëse nis plot paragjykim dhe e mbushur me korrupsion premtimesh disa prej të cilave shkojnë deri në marrëzi. . .
Te nderuar Kolegë deputetë,
Në këtë Kuvend, nuk është guxuar ndonjëherë të vihet në provë mençuria e zgjedhësve. Nuk është lexuar e dëgjuar, kurrë më parë një program kryekëput në stilin e “thashethemeve gjinore”.
Ju, në eksperiencat tuaja ligjvënëse, ekzekutive dhe administrative nuk besoj se keni parë të tillë program klientelist.
Llogaritë nuk u dalin!! Ministritë u ndanë Brenda oborrit familjar dhe klientelës kryeministrore. . .ndaj dhe nuk ka as numra, as kosto ky program që nuk thotë gjë tjetër veçse na paralajmëron për vendosjen në Tiranë të një ngrehine mashtrimi nga të ashtuquajturit rilindës të shekullit të dytë shqiptar.
Lëmsh e bëri edhe politikën në rajon. E praktikoi që në vizitën e tij të parë si Kryeministër i dekretuar dhe ende pa u votëbesuar në Parlament, shkoi dhe la nam në Kosovë. Se kur lexon ndër rrjeshta për “traktat miqësie” me Kosovën, e kupton shumë kush, sa rilindas është Rama.
Ecim më tej në zbërthimin e formulës ” alla Rama” për zhvillimin ekonomik (në të cilin do ndalem më gjatë pak më poshtë). Ky mini kapitull i gjatë në rreshta sa një memo, ka më shumë pyetje, sesa aksion. Besoj që edhe vetë z. Angjeli mezi e kishte kuptuar, se edhe ai e quajti atë thjeshte një filozofi në një koment mediatik.
Të gjithë respektojnë kodin e heshtjes, si urdhëroi Rama e siç shkruhet qartë në program:
“Nëse do të ngecim diku, - thotë Rama në Program - do t’ju japim shpjegime.
Nëse do të gabojmë diku, - thotë përsëri Rama në program - do vijmë që t’ju kërkojmë ndjesë. “
Të nderuar kolegë deputetë,
Fillimisht, dua të përgëzoj sinqerisht kryeministrin e dekretuar Rama për një nga vendimet e para që ai ka marrë– vendimin për punësimin e redaktoreve të gjuhës shqipe, pasi është e qartë, nga gabimet e shumta ortografike, gramatikore dhe sintaksore të programit të paraqitur, që qeveria në formim, ka mungesa të ndjeshme në kuptimin dhe përdorimin e gjuhës shqipe. Sa për ilustrim të nderuar qytetarë, ju ftoj t’i hidhini një sy faqes së parathënies së programit dhe shikoni përdorimin pothuajse kudo të gabuar të presjes, apo fjalitë e shumta që mbasi janë përkthyer nga gjuhë të huaja nuk janë përshtatur ashtu sic duhet në gjuhën shqipe.
Por . . Duke injoruar anën gjuhësore, programi është zhgënjyes në përmbajtje. Më shumë sesa një program i strukturuar, me objektiva e propozime konkrete, nuk ka më as afate, as 100 apo 300 ditësh . . . ai i ngjan një grumbulli deklaratash e përsiatjesh të përgjithshme, të cilat thonë pak, në mos aspak e mbi të gjitha që nuk kanë lidhje me politik-bërjen.
Niveli i dobët i programit është edhe më shumë zhgënjyes kur mendon se qeveria e re ka pasur pothuajse tre muaj të plotë kohë, pa asnjë preokupim apo shpërqendrim tjetër për të prodhuar këtë program. Nëse duke patur gjithë kohën dhe qetësinë e botës, ekipi i qeverisë në formim, mundi të prodhojë vetëm një gjë kaq sipërfaqësore dhe të përgjithshme, mendo se çfarë cilësie do të mund të ofrojë ai në të ardhmen kur përveç politikë-bërjes do t’i duhet të ndeshet edhe me problemet e përditshme të qeverisjes dhe zbatimit të politikave dhe ligjeve!
Le të ndalemi shumë shkurt në pjesën sociale. Në "programin e vjeshtës", Rama sërish ngel në premtimet për Kujdesin dhe Përfshirjen Sociale, kur premton një paketë rregullatorë për transformimin e Programit të Ndihmës Ekonomike në një Program për Riintegrimin Social. Ky nocion, shkakton jo vetëm konfuzion por mohon Marrëveshjen e Huasë me Bankën Botërore, miratuar edhe nga deputetët socialist vetëm disa muaj më parë, plot 38 milionë euro, dedikuar pikërisht mbrojtjes sociale, posaçërisht programit të ndihmës ekonomike dhe programit të aftësisë së kufizuar, përmes të cilit do të ngrihej sistemi i automatizuar për përfituesit, duke shmangur çdo mundësi abuzimi.
Rama premton trajnime, ndërkohë që nuk ka asnjë ushtrim matematikor, pa pretenduar për kalkulime të holla financiare. Ju kujtoj që Qeveria “Berisha” dyfishoi buxhetin për programet e formimit profesional. Në 2005 ishte 72 milionë lekë, sot është 132.6 milionë lekë. 60 mijë punëkërkues kanë përfituar programe të formimit profesional dhe 120 mijë të tjerë kanë marrë shërbim ndërmjetësimi për punë.
Le të ndalemi më gjatë në pjesën ekonomike të programit të qeverisë së re. Programi ekonomik është po aq sipërfaqësor, i përgjithshëm dhe i mangët në përmbajtje. Pa fokus, pa sistem prioritetesh, pa strukturë të qartë, programi ekonomik thjesht riciklon apo rishpreh pothuajse çdo ide dhe objektiv të përgjithshëm ekonomik që del në ekranin e kompjuterit pasi bën një kërkim të thjeshtë në google. Programi nuk ofron asnjë analizë të situatës aktuale dhe as nuk identifikon problemet apo çështjet kryesore ekonomike që duhet të jenë fokus i politikave të ardhshme ekonomike. Programi ndoshta shënon një rekord, e mund te futej edhe ne librin e rekordeve Ginness (Guinness Book of World Records), për numrin më të vogël të shifrave, dhe statistikave që mund përmbajë një program ekonomik qeveritar.
Më shumë sesa një dokument masash, qëndrimesh e politikash ekonomike, programi ekonomik i qeverisë së re ngjason me një koment të gjatë letrar mbi ekonominë, i mbushur plot klishe ekonomike dhe trajtesa standarde që mund të jenë të vërteta për pothuajse çdo ekonomi botërore. Gjuha me të cilën është formuluar dhe përcjellë programi ekonomik nuk është as gjuhë ekonomike, as gjuhë politike, por gjuhë e mbushur me metafora e terma banale të zhargonit të bulevardit. Kështu për shembull, në programin ekonomik flitet për “mbushje gropash” “ushqim rritjesh”, “lokomotiva tërheqëse”, “kapriçio tregjesh” “ndreqje strukturore” e të tjera sajesa letraro-artistike mbi ekonominë. Në këtë trajtese letraro-ekonomike, ekonomia rurale quhet “hapësirë rurale”; buxheti i balancuar quhet “luks i të qenit të buxhetit në ekuilibër”; rritja ekonomike lidhet me “faktorë jetësorë”.
Programi ekonomik nuk përcakton as politika prioritare as sektorë prioritare që do të mbështeten me politika të posaçme nxitëse. Paragrafi që flet për prioritete shprehet se “do të ndërtojmë “profilin” e ekonomisë shqiptare të dy dekadave në vazhdim, të identifikuar nëpërmjet disa sektorëve prioritarë si manifaktura, energjia, turizmi, bujqësia dhe agroindustria, arsimi dhe shërbimet.” Mund t’ju duket qesharake, por besojeni, sikurse shprehet në këtë paragraf, qeveria e re zotohet se do të ketë sektorë prioritare . . . që të gjithe sektorët e ekonomisë. Kjo të kujton sjelljen e fëmijëve të vegjël që janë ende të paditur e të paftë për të kuptuar mirë se cfarë duan, ndaj i kërkojnë prindërve një nga një të gjitha ëmbëlsirat që ju dalin përpara.
Sikurse e theksova më lart, programi ofron pak në përmbajtje. Pasi bën një analizë sipërfaqësore të rritjes ekonomike të deritanishme dhe faktorëve të saj, dhe pasi konkludon apriori se “modeli i deritanishëm nuk mund të vazhdojë më”, qeveria e re Rama, angazhohet për një model të ri rritjeje ekonomike i cili përshkruhet me një fjali të vetme: “promovimi i produkteve të përpunuara dhe ofrimi i shërbimeve moderne”. Është skandaloze në mendimin tim, që një program qeverie të ofrojë vetëm këtë fjali të çalë dhe krejt të pakuptimtë për modelin e tij të ri të rritjes ekonomike!
Në fushën e zhvillimit të biznesit, programi riciklon të gjitha drejtimet dhe prioritetet që qeveria jonë ka thënë e zbatuar gjatë tetë viteve të shkuara, përfshi këtu edhe uljen e barrierave administrative, uljen e taksave për biznesin e vogël, rritjen e shërbimeve të e-qeverisjes, etj etj. Ndaj sot, unë dua t’ju përgëzoj për këtë. Keni bërë shumë mirë që do të vazhdoni në rrugën që Berisha shtroi. JU garantoj që kjo është rruga e duhur për nxitjen e biznesit të vogël e të mesëm.
Ndonëse programi diku zotohet për rritjen e lirisë ekonomike dhe konkurrencës, një pjesë e politikave dhe masave të propozuara janë thellësisht etatiste. Për shembull një nga drejtimet e programit është që qeveria do të ristrukturojë dhe modernizojë biznesin, pra qeveria Rama nuk do të fokusohet thjesht në politikat dhe mjedisin ku zhvillohet biznesi por do të reformojë direkt vetë biznesin! Është interesante për të kuptuar se si do ta bëjë Rama këtë gjë, por si për çdo objektiv tjetër, programi nuk jep asnjë detaj teknik! Po ashtu programi merr përsipër një sërë angazhimesh direkte të qeverisë në ekonomi, duke e shndërruar praktikisht qeverinë në aktor ekonomik. Kështu, përshembll programi shprehet se qeveria do të krijojë apo mbështesë institucione kredi-dhënëse përfshi edhe një bankë bujqësore. Po ashtu qeveria zotohet që do të zhvillojë produkte të reja të sektorit bankar, por nuk thotë se si do ta realizojë këtë gjë që në fakt i përket vetëm aktorëve privatë dhe jo shtetit.
Programi është edhe diletant. Një tregues i rëndësishëm i këtij diletantizmi është fakti që programi ekonomik njehson rritjen e mbështetur në huamarrjen e huaj me rritjen e mbështetur në investimet e huaja duke i quajtur të dyja njësoj “rritje e bazuar në iluzionin e një jetese përtej mundësive të tua”. Mbështetjen tek investimet e huaja programi e quan “të rrezikshme si varësi ndaj kapriçiove të tregjeve ndërkombëtare“! Për këtë arsye programi ekonomik e përjashton mbështetjen e zhvillimit ekonomik tek investimet e huaja. Madje në program as që flitet qoftë edhe një fjali e vetme për investimet e huaja dhe rolin e tyre në zhvillimin e vendit. Ndoshta ky është programi i parë ekonomik i një qeverie në botë ku nuk flitet fare për investime të huaja.
Pavarësisht mendimit të saj, unë do t’i sugjeroja qeverisë Rama, të rishikonte rolin e investimeve të huaja I cili është i pazëvendësueshëm për çdo vend në botë dhe jetik për vende si Shqipëria. Pa investime të huaja nuk mund të ketë zhvillim, nuk mund të ketë rritje ekonomike. Mjafton që të përmend faktin që vendet që marrin më shumë investime të huaja direkte në botë janë gjithashtu edhe ekonomitë më të mëdha të botës, pra SHBA-të dhe Kina, për të kuptuar rëndësinë e investimeve të huaja. Madje këto investime janë të rëndësishme jo vetëm për rritjen ekonomike, bilancin e llogarisë rrjedhëse dhe stabilitetin e monedhës, por edhe për transferimin e teknologjive të përparuara dhe aftësive njerëzore në fushën e biznesit. Fatkeqësisht, programi i qeverisë së re, në vend që të nxisë këto përfitime, i injoron ato duke u bërë kështu faktor shkurajues për investimet e huaja! Në fakt ky program qeverie është mesazhi më i keq që mund të merrnin investitorët e huaj nga Qeveria e Rama!
Është thënë nga shumë kolegë të mi, është thënë nga shumë ekspertë vendas dhe të huaj të ekonomisë, por dëshiroj ta them edhe unë, ndonëse pa shumë shpresë, por POLITIKA E RRITJES SË TAKSAVE ËSHTË POLITIKË E RREZIKSHME që do të prodhojë më pak të ardhura, më shumë informalitet dhe korrupsion. Rama u angazhua apriori në këtë politikë të rritjes së taksave, pa bërë asnjë analizë të politikave dhe situatës fiskale të vendit, por thjesht për motive populiste dhe nga nevoja për të krijuar identitet artificial ideologjik si parti e majtë. Në fakt problemi fiskal i Shqipërisë nuk është niveli i ulët i taksave, por është niveli i informalitetit fiskal, i cili nuk mund të luftohet duke rritur taksat, por duke i mbajtur ato të ulura dhe duke përmirësuar administratën dhe sistemin e menaxhimit fiskal. Rritja e taksave do të ketë një efekt të jashtëzakonshëm negativ në imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë veçanërisht tek investitorët e huaj.
Së fundi, dy fjalë për pjesën time të preferuar të programit Rama, atë për gratë. Duke parë numrin e zonjave ministre, e që në mendimin tim, është e vetmja gjë e mirë e Kabinetit Rama, shpresova që edhe kapitulli “për gruan” në Program do të ishte më I plotë e më përmbajtjesor, me aksione konkrete për promovimin e grave në shoqëri. Po ashtu, dëgjova me shumë vëmendje edhe fjalimet e dy kolegeve të mija, Kryetare të Organizatave të Grave në PS dhe LSI – nuk thanë asnjë fjalë për gratë në Programin Qeverisës. . . .
Por . . . Sot pamë që edhe në Qeveri gratë qenkan të pambrojtura nga “dhuna” e Kushëririt Kryeministër. E patë Ramën si e ngriti “dhunshëm” Ministren Harito duke harruar që të paktën publikisht . . . ajo s’është as kushërirë . . . e as sekretare . . . por është Ministre e duhet respektuar si e tillë!!
Rama thotë se “do të krijojë një sistem kombëtar online të regjistrimit dhe monitorimit të rasteve të dhunës në familje”. Nëse ai ende nuk e di, dua ti tregoj që kjo nismë është duke u realizuar. I kujtojmë kopjacëve të pavëmendshëm se është pjesë e Programit të Kombeve të Bashkuara 2012-2016 nënshkruar nga Berisha.
Në “Doracakun Rama” vihet si premtim “aksioni ligjor për të dënuar dhunuesit e grave”. Dua të vë në dijeni Ramën, që kjo iniciativë tashmë ka ardhur në fuqi nga Qeveria Berisha. Dhe ju z. Rama, s’ju mbetet gjë tjetër veçse të angazhoheni personalisht që dhunuesit e grave të vihen para drejtësisë.
Dhe në fund, për kënaqësinë tuaj në këtë orë të vonë të natës, të nderuar kolegë deputetë, si dhe për kënaqësinë e të gjithë atyre që besuan në alternativën e Partisë Demokratike dhe Berishës, do ju recitoj disa vargje të poetit të madh Pushkin:
Mos u ndrydh prej dëshpërimit,
Nëse jeta të gënjen,
Hesht në ditën e mundimit,
Rishtas ditë e gati vjen!!
Ju faleminderit!!