Fjala e Fatmir Xhafes ne Kuvend per "CEZ-in"

Fjala e Fatmir Xhafes ne Kuvend per "CEZ-in"
Po e them qysh në fillim të fjalës sime. Kam qënë (siç edhe kam pasur rast ta deklaroj disa herë edhe publikisht) dhe vazhdoj të mbetem përkrahës i përfshirjes aktive të ekspertëve ndërkombëtarë për hetimet penale lidhur me disa çështje sensitive për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe interesat e qytetarëve dhe veçanërisht për ato që kanë për subjekte zyrtarët e lartë. Kjo të paktën për një periudhë kohe të arsyeshme deri në konsolidimin e hetimit dhe gjykimit penal në vend dhe rikthimin dhe konsolidimin e besueshmërisë së publikut te peshorja jonë e drejtësisë. Personalisht jam i gatshëm të kontribuoj dhe të votojë pa asnjë rezervë çdo rregullim kushtetues dhe procedurial që mundëson kryerjen e këtij procesi konform edhe standarteve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare në këtë fushë.

Një grup deputetësh, anëtarë të grupit parlamentar të partisë demokratike, ka propozuar për shqyrtim dhe miratim në Kuvend projektligjin “Për lejimin e hetimit të pavarur ndërkombëtar mbi akuzat publike të ngritura mbi cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a”. Sikurse rezulton edhe nga relacioni që shoqëron projektligjin, qëllimi dhe përmbajtja e këtij projektligji ka për objekt përcaktimin e rregullave për kryerjen e hetimeve të pavarura nga organet ligjzbatuese të huaja, për faktet e bëra publike lidhur me akuzat për çështjen “CEZ Shpërndarje SH.A”. Propozohet që një strukturë e specializuar hetimi që ushtron veprimtarinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe/ose në një vend të Bashkimit Europian, dhe që pranon të caktojë prokurorë të saj në Shqipëri për llogari të hetimit të akuzave të bëra publike për çështjen CEZ, të hetojë veprimet apo mosveprimet e funksionarëve publikë apo personave privatë.

Projektligji parasheh që të gjitha veprimet ose aktivitetet hetimore, si thirrja dhe pyetja e dëshmitarëve, marrja e provave, këqyrja e mjediseve apo dokumenteve të kryhen vetëm nga organi ligjzbatues i huaj. Sipas projektligjit, Prokurori i Përgjithshëm do të jetë bashkërenduesi i bashkëpunimit me organin ligjzbatues të huaj, dhe do të vendosë në dispozicion të tyre të gjitha dokumentet, faktet, provat dhe të dhënat e siguruara deri tani nga organi i prokurorisë. Kështu siç është shkruar, i parë në këndvështrimin kushtetues projektligji me parashikimet e tij bie ndesh haptazi me disa nene të Kushtetutës, e konkretisht bie ndesh me nenin 148 të saj ku parashikohet se Prokuroria shqiptare është i vetmi organ që duhet dhe mund të ushtrojë ndjekjen penale dhe të përfaqësojë akuzën në Republikën e Shqipërisë. Projektligji bie ndesh me parashikimet e nenit 123 të Kushtetuttës ku parashikohet shprehimisht se “Republika e Shqipërisë, në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare, u delegon organizatave ndërkombëtare kompetenca shtetërore për çështje të caktuara”.

Pra me fjalë të tjera, Kushtetuta e lejon delegimin e kompetencavve shtetërore për cështje të caktuara, por vetëm tek organizata ndërkombëtare dhe për më tepër në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare, marrëveshje të cilat, në përputhje me nenin 116, pika 1, shkronja ”b” dhe neni 122, pika 2, prevalojnë mbi ligjin e brendshëm. Projektligji kështu siç është shkruar, bie ndesh edhe me vet jurisprudencën e konsoliduar tashmë të Gjykatës Kushtetuese e konkretisht, me vendimin e saj nr. 26/2006 (V -26/2006), i cili shprehet se: “....organi i Prokurorise ka disa veçori, te cilat janë përcaktuar ne Kushtetute dhe në ligj, te cilat e vendosin në një pozitë të dallueshme nga pushtetet e tjera dhe veçanerisht : a) si organi i vetëm në vend qe ushtron ndjekjen penale...”.

Po ashtu me vendimin nr. 3, datë 06.02.2008 (V – 3/08) ku gjykata kushtetuese që në krye të herës thekson se “Neni 148/1 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë parashikon: “Prokuroria ushtron ndjekjen penale si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit” dhe se “asnjë organ tjetër nuk është i autorizuar të fillojë ndjekjen penale dhe të përfaqësojë akuzën në gjyq përveç asaj. Pra, procedimi penal dhe ngritja e akuzës publike është tagër e prokurorisë, i takon këtij organi, në bazë të nenit 148/1 të Kushtetutës dhe nenit 24/3 të Kodit të Procedurës Penale, të ushtrojë ndjekje penale dhe të ngrejë akuzë publike në emër të shtetit, nëse ndodhet para kryerjes së një vepre penale të parashikuar si të tillë nga Kodi ynë Penal.”.

Gjithashtu projektligji nuk e sheh figurën e prokurorit të përgjithshëm si një figurë procedurale, sikurse Kodi i Procedurës Penale e normon, por e sheh thjesht si koordinator, bashkerendues punësh apo adminisrator. E shprehur në këtë mënyrë kjo e bën projektin antikushtetues dhe në kundërshtim të plotë me Kodin e Procedrës Penale. Kjo është dhe arsyeja themelore pse nuk u mbështet miratimi në parim i këtij projektligji. Mbi gjykimin kushtetues e ligjor nuk mund të vendosen argumentat politike, emocionale e personale për cfarëdo motivi e qëllimi sado pozitiv qoftë ai dhe pavarësisht se cili është individi apo organi që i artikulon ato.

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Vrasja e Egli Progës në Pogradec, LZHK kërkon rikthimin e dënimit me vdekje: Derisa të anëtarësohemi në BE! Do të ndikojë në uljen e kriminalitetit

Vrasja e Egli Progës në Pogradec, LZHK kërkon rikthimin e dënimit me vdekje: Derisa të anëtarësohemi në BE! Do të ndikojë në uljen e kriminalitetit