Fjala e Kryeministrit Edi gjatë shpërndarjes së lejeve të legalizimit në Kamëz

Jam veçanërisht i gëzuar sot, sepse faktikisht, jo vetëm procesi i legalizimit po ecën me ritme të mira dhe sot ka një tjetër numër të konsiderueshëm familjesh që përfitojnë lejen e legalizimit, por dhe sepse sot është momenti i duhur, për të bërë një bilanc lidhur me një aspekt të procesit. Me ligjin e legalizimeve, ku ne morëm vendimin që çdo qytetar, çdo familje që dëshmonte se nga data e marrjes së lejes së legalizimit për një vit rresht do të paguante rregullisht energjinë elektrike, atëherë do të përfitonte përveç të tjerave edhe një ulje të faturës së truallit që legalizon, të barabartë me 10% të saj. Në kuptimin e çmimit të truallit është rreth 10%, por në vlerë është e barabartë me pagesën për energjinë elektrike. 

Sot është mbushur praktikisht një vit nga marrja e atij vendimi dhe unë kam kënaqësinë të ndaj me ju konstatimin se janë 95% e familjeve, të cilat e kanë respektuar këtë marrëveshje, duke paguar rregullisht energjinë elektrike dhe për këtë arsye përfitojnë zbritjen prej 10% më pak për truallin për legalizim.

Unë e di që ju u mësuat për një kohë të gjatë me rrena dhe gjithmonë “për të kapur çfarë të kapnit në momentin e parë” dhe jo vetëm ju, por i gjithë populli ynë kështu u mësua dhe kjo krijoi mosbesim të madh qoftë ndaj idesë se duhet së bashku të bëjmë reforma për të përfituar nga reformat. Por reformat kërkojnë kohë dhe përfitimi nga reformat kërkon mund dhe durim. E pra, ja ku është një episod shumë kuptimplotë, se në qoftë se ne së bashku mbështesim reformat, secili kontribuon në pjesën e tij, me detyrimet e tij, në rrugën e reformave, atëherë nga reformat përfitojmë që të gjithë. 

Sot këtu janë 1200 familje që përfitojnë këtë zbritje prej 10 % më pak. Pra ky është përfitimi. Ky është një mësim i madh për të gjithë, një mësim i madh për këdo që priret t’i shikojë reformat me mosbesim, ose për këdo që thotë unë kam 25 vjet që pres, nuk pres më. Mirëpo ngaqë u bënë 20 e kusur vite që i bëjmë gjërat në këmbë, nuk i kemi dhënë vetes mundësinë asnjë ditë që të mund të ulemi rehat, qoftë dhe për një moment dhe të marrim një përfitim konkret. 

Sot ky është një përfitim konkret që unë kam kënaqësinë ta ndaj me të gjithë ju, ashtu sikundër kam kënaqësinë të ndaj me ju edhe disa fakte të thjeshta për këtë zonë. 
Ju e dini që në këtë zonë unë jam njeriu më i sharë, mos thuaj jo -nuk më ke sharë ti, më kanë sharë të tjerët, ti i ke dëgjuar dhe ke thënë me siguri kanë të drejtë. Sepse, prej 20 e kusur vitesh, këtu nuk kanë lënë gjë pa thënë për mua dhe nuk kanë lënë vesh pa futur fjalinë “po votuat për atë, do t’ju kthejë andej nga keni ardhur”.
Ju jo vetëm që nuk po ktheheni andej nga erdhët, por po bëheni pronarë me të drejta të ligjshme në shtëpinë që e keni ndërtuar me aq mund dhe sakrifica dhe nuk jeni më mish për top për partitë dhe ata që vijnë, e që janë mësuar që t’ju trajtojnë si dele për t’ju marrë dhe për t’ju nxjerrë të hani bar mitingjeve.

Sot, realiteti flet krejt ndryshe. Në këtë zonë, në gjithë ato vite ata të cilëve ju, i dhatë shumë hapësirë dhe ju i bëtë shumë respekt, duke ia dëgjuar të gjithë marrëzitë dhe të gjitha akuzat dhe shpifjet, bënë vetëm regjistrimin e një pjese të vetëdeklarimeve, por faktikisht nuk bënë asgjë për të legalizuar shtëpitë tuaja.

Si për çudi, kjo zonë është nga zonat me numrin më të ulët të legalizimeve që kanë bërë ata, sepse thjesht ju kanë parë si dele dhe ju kanë trajtuar si dele dhe përderisa si dele ua kanë marrë votën, pse duhet t’ju merrnin më seriozisht, s’kishin pse t’ju merrnin seriozisht. Ndërkohë që, ne kemi bërë të kundërtën që nga dita e parë e kemi me domosdoshmëri trajtimin me dinjitet, si njerëz dhe si qytetarë të barabartë të këtij vendi të të gjithëve ju, që erdhët nga zona shumë të vështira, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për fëmijët tuaj.

Në tetë vjet, në gjithë Shqipërinë ata bënë gjithsej 21 mijë legalizime, nga të cilat masa më e madhe, thuajse 80% apo më shumë, legalizime për biznese, për bare, për kafene, për hotele, për motele, për pishina, për magazina, sepse aty ishte edhe ryshfeti më i madh dhe vetëm 20%, madje më pak se 20% për shtëpi. 21 mijë gjithsej.
Ata me legalizimet e tyre na kanë krijuar kosto të mëdha, kosto që sigurisht i paguani ju, të gjithë bashkë këtu dhe i paguajmë ne të gjithë bashkë në Shqipëri, sepse nga paratë tona, nga paratë e taksave tona, kur duhet të çlirojmë një zonë që është monument kulture, kur duhet të çlirojmë një zonë që është zonë parku, kur duhet të çlirojmë një oborr shkolle, një oborr spitali, nga ndërtesa biznesi që ata i legalizuan dhe i hipotekuan, duhet t’u paguajmë paratë dhe t’i shpronësojmë.

Përfytyroni se çfarë krimi i madh ekonomik dhe çfarë padrejtësie e madhe sociale është kjo. Ndërkohë që, ne kemi 18 muaj që kemi filluar të japim leje legalizimi, sepse 6 muajt e parë duhet të mblidhnim dokumentet që ju i kishit dorëzuar dhe që Shabani me kompani i kishin lënë rrugëve, nëpër korridore, nëpër banjat e institucionit që s’kishin as derë as dritare, dhe në një rrëmujë totale.

E pra, ata në tetë vjet, 21 mijë legalizime. Ne vetëm në 18 muaj kemi dorëzuar 40 mijë leje legalizimi dhe nuk jemi aspak të kënaqur me këtë rezultat, sepse nevojat janë për më shumë. Ashtu sikundër nuk jemi të kënaqur me faktin që pasi ju merrni lejen e legalizimit duhet të prisni në radhë për të marrë hipotekën, prandaj kemi bërë një ndryshim të rëndësishëm dhe nga fillimi i vitit që vjen, nuk do të shkoni më ju në hipotekë, nuk do të shkojë më në hipotekë askush që kërkon të marrë legalizimin dhe ne nuk do të ndajmë më leje legalizimi për t’i çuar njerëzit në hipotekë, por do të japim drejtpërdrejtë hipotekën, pasi edhe shkuarjen në hipotekë do ta bëjë shteti, nuk do ta bëni ju.
Siç ka ardhur për shumëkënd mbrapsht vajtja në hipotekë sepse ka pasur vonesa, ka pasur edhe kërkesa për bakshish, është e pamundur të vazhdohet. Ashtu siç e kemi thënë që në fillim, lufta kundër korrupsionit është luftë për të bërë sistemin të tillë që njerëzit të mos kenë nevojë të paguajnë ose ata që i shërbejnë shtetit të mos kenë mundësi të marrin lekë. Siç ka ardhur ALUIZNI tek ju dhe jeni dëshmitarë vetë që ju ka ndihmuar të mbushni aplikimin, pasi ju ka bërë matjen atje, ashtu ALUZINI do të marrë këtë leje legalizimi, gjithë këtë dosjen e legalizimit, këtë do e merrni ju sot, ndërsa kopjen tjetër do ta marrë ALUIZNI, do të shkojë në hipotekë dosja dhe hipoteka do t’ju vijë juve në shtëpi S’keni nevojë fare të shkoni në hipotekë.

Me këtë sistem, objektivi ynë është që deri në vitin e ardhshëm të legalizojmë 145 mijë banesa. Le të qeshë Artan Lame, sepse në fakt më tha do të mundohemi të arrijmë deri në 145 mijë, unë dua që të bëjmë 145 mijë dhe e rëndësishme është që sidoqoftë, të shkojmë drejt këtij objektivi në mënyrë që përfytyroni, ata për tetë vjet 21 mijë legalizime. 

Këtu ka njerëz që u është dashur t’i bëjnë dokumentet dy herë, i kanë bërë me Shabanin, i kanë bërë edhe me Artanin. Diferencën dinë ta bëjnë shumë mirë, se si më parë duhet t’i bënin të gjitha vetë, të shkonin tek dera e godinës, që edhe fjalën ALUIZNI e kishte me gabime dhe të prisnit në radhë, të paguanit edhe lekë që t’ju merrnin dokumentet, jo që t’ju jepnin legalizimin. Plot nga ju këtu janë pishtarë të vërtetë të demokracisë dhe Partisë Demokratike se i kanë futur letrat për legalizim në 2005-n, kur ka fituar Partia Demokratike dhe tani do të vijnë ta marrin lejen nga unë, që duhet në fakt t’ju kisha përzënë sipas Partisë Demokratike. Përse nuk ua dha Partia Demokratike, përse nuk ua dha Saliu? T’ua kishte dhënë! Jo vetëm që nuk ua dha, por ju thoshte “kujdes mos i jepni votën atij se po i dhatë votën atij ju fshiu me gjithë shtëpi”.
E kundërta është e vërtetë, ja ku jeni të gjithë dëshmitarë. Mua më vjen keq vetëm për një gjë, që i ka ecur shumë në këtë zonë dhe i ecën shumë akoma me njerëz që nuk duan të shohin me sytë e tyre dhe nuk duan të dëgjojnë me veshët e tyre, por ia kanë lënë në besë veshët dhe sytë Saliut. Sheh Saliu për ta, dëgjon Saliu për ta, flet Saliu për ta dhe kur u thotë Saliu “hajde pas meje”, të gjithë shkojnë pas berihait. Të ishte Saliu akoma sot, asnjë leje nuk merrnit ju, do të dëgjonit këtu vetëm të shara për mua dhe do të kënaqeshit, siç jeni kënaqur gjithë ato vite.
Megjithatë nuk ka rëndësi, Saliun mbajeni, ta gëzoni, unë kam për borxh t’ju jap sot lejet e legalizimit. Ndërkohë dua t’ju jap edhe dy informacione të tjera. E para, falë atyre dritave që mezi e bëtë mendjen top që do t’i paguani se nuk keni nga shkoni, jo vetëm që sot i përfitoni zbritjen qe keni paguar këtë vit, por në të gjithë këtë zonën këtu, ka filluar një investim, 17 milionë dollarë për të përmirësuar rrjetin e shpërndarjes së energjisë, që t’ju vijnë dritat dhe mos iu dridhet poçi, siç dridheni ju nga emocionet kur shihni Saliun.
Siç ky investim është rezultat i reformës dhe i kontributit tuaj prapë sepse kush paguan energjinë elektrike ka të drejtë të thotë që dakord unë po e paguaj, po ku janë dritat, unë po e paguaj po pse më ikin dritat, po e paguaj po pse më dridhet poçi. Poçi nuk ka si të mos dridhet, sepse i vjen akoma drita nga telat që ka lidhur Enver Hoxha përpara 40 vjetësh, akoma nga shtyllat që ka vënë Enver Hoxha. 45 vjet që nga koha e elektrifikimit nuk vuri dorë njeri që të rregullonte as shtyllën, as telin, - poçat ua lanë juve - dhe do të dridhet poçi sepse duhen investime? Si t’i bënin investimet duke vjedhur? Duke ju thënë ju vidheni energjinë “s’ka problem jemi tanët, vetëm aman mos mungoni në miting, mos paguani energjinë, por aman votën” dhe pastaj duke e lënë gropë atje, nuk kishin si të investonin. Kurse sot kompania ka filluar për herë të parë të bëjë investime, bën investime në jug, ku kemi një zonë strategjike për zhvillimin e turizmit. Këtu, patjetër, në Tiranë brenda, lart në veri, e kështu me radhë.

Të gjitha këto investime janë produkt i kontributit. Duke paguar të gjithë bashkë dritat rrisim mundësinë për investime, duke u rritur mundësia për investime bëhet shërbimi më i mirë, kështu do të përmirësohet edhe shërbimi ndaj klientit, që të mos rrini siç rrinit deri dje, që edhe kush donte të paguante energjinë, duhej të torturohej nëpër radhë pa fund, ose e paguanin energjinë dhe punonjësit e postës nuk e dorëzonin fare pagesën tek kompania, e merrnin e çonin në shtëpi. 
Sot energjia mund të paguhet edhe me telefonin celular, mund të paguhet edhe me kompjuter dhe kush nuk di kompjuter këtu, ka një nip apo një mbesë, e po të jenë katër vjeç e lart e paguajnë ata energjinë, mjafton që ju të jepni lekët ata bëjnë të gjithë veprimet në kompjuter.

E dyta, janë 400 familje që janë shpërngulur këtu për shkak të ndërtimit të ujësjellësit të Bovillës. Kanë 20 vjet, vijnë vërdallë, dhe nuk ua njeh njeri të drejtën që të legalizohen dhe Bashkia e Kamzës, është Bashkia juaj, - e paçi, e gëzofshi, ia pafshi hajrin votave që u jepni, është e drejta juaj. Ia kanë dhënë burrat sepse i kanë dhënë fjalën Saliut, i kanë dhënë besën që në 1990 për të luftuar komunizmin dhe kanë 25 vjet mbajnë një komunist në krah. Më në fund, ne e kemi bërë gati dhe të mërkurën e ardhshme, në qeveri, - do ta bëjmë me qeveri, nuk do ta bëjë Bashkia Kamëz, nuk do ta bëjë - dhe 400 familje të kësaj zone që nuk i pranojnë në asnjë derë, do të marrin edhe ata lejen e legalizimit, do të bëhen edhe ata pronarë të shtëpisë së tyre.
 
 
 
 
 
 
 
 
 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

NBA/ Oklahoma lider në Perëndim, fiton Celtics! Zhgënjejnë Golden State dhe Denver